Thimi Filipi (1927-1990). Aktor. Lindi në Korçë. I aktivizuar me grupin teatror qysh në radhët partizane dhe më pas, në qytetin e lindjes, u tërhoq si aktor profesionist në teatrin “A.Z. Çajupi” të Korçës, më 1954, dhe punoi aty deri sa doli në pension.
Qysh në fillim të karrierës së tij artistike luajti role kryesore, si ai i Dhimitrit në dramën “Lulja e kujtimit e Foqion Postolit. Realizoi mbi 85 role, të shumtët tipa e karaktere dramatike të ardhura nga shtresat fshatare, figura njerëzish të fortë që përfaqësonin idealet rilindëse e atdhetare, personazhe që rëndom gjendeshin në udhëkryqe ekzistenciale, me brenga e përvuajtje, të trajtuara me tonime të ulëta e të buta të zërit, me heshtje meditative, me qëndrime e gjeste të ngadalta, por të prera e të vendosura.
Në rrafshe të tilla aktoriale, gjithmonë me kahe të thekta psikologjike, janë interpretuar edhe rolet e Batos te drama “Djemtë e Bato Gorës”, e Xhelos te drama “Maro Mokra”, e Delos te drama “Përballë vetes” e Ruzhdi Pulahës etj. Me rolin e Zekos në dramën “Zeko Shkoza” të R. Pulahës iu dha çmimi “Aleksandër Moisiu” si “Aktori më i mire” në Festivalin e Teatrove, në vitin 1986.
Me jetësimin e ndjerë artistik që i beri asaj figure, ai vijoi me ngulm në hullitë e veta aktoriale duke ravijëzuar tipin e një njeriu me karakter të fortë e burrëror, që vendos e jep drejtësi edhe në rastin kur preken thellë ndjenjat vetjake si prind. Th. Filipi u bë një nga aktorët i kërkuar edhe në kinematografi, ku interpretoi në rreth 30 filma.
E nisi me filmin e parë shqiptar, “Tana”, më 1958 duke krijuar më pas një hapësirë të vetën, me ravijëzime karakteresh të ndryshëm, burra atdhetarë, fshatarë të ndershëm, njerëz në udhëkryq, por që dinë të zgjedhin kahun e mbarë etj., si në filmat “Guna pëmbi tela”, 1977 (kapedani); “Njeriu me top”, 1977 (Fahredini); “Përballimi”, 1978 (Neziri), me të cilin ka fituar çmim; “Dollia e dasmës sime”, 1978 (Syrjai babai i nuses)); “Nusja dhe shtetrrethimi” (xha Jani karrocieri); “Balle për ballë”, 1979 (Xhemal Struga); “Mysafiri”, 1979 (Akrepi); “Apasionata”, 1983 (babai i Mirës); “Kush vdes në këmbë, 1984 (farëmbjellësi); “Rrethi i kujtesës”, 1987 (Loro) etj. Mban titullin “Artist i merituar”.