Kur kishin pirë kafen e fundit, asnjëri prej të dyve nuk e mendonte se nuk do të shiheshin më. “Na ka lënë të gjymtuar”, thotë Xhevahir Zeneli për vdekjen e Koço Devoles, teksa thotë se dhimbjen fizike e shërojnë vetëm kujtimet pa fund që kishin së bashku. Aktori i humorit vlerëson artin e të shkruarit, vëzhgimin e tij të hollë dhe aftësinë që gjithçka që dëgjonte ta kthente në art. Zeneli ndau disa nga kujtimet e jetuara nën shoqërinë e artistit Koço Devole.
Kemi kaluar bashkë kohërat më të vështira, por edhe më të bukurat. Njohja jonë nis që në vitet e varietesë, por më së shumti pas viteve ’90 me telekomeditë. Ai ishte një nga penat më të bukura të humorit shqiptar. Humbja fizike ishte e dhimbshme, por kemi kaq shumë kujtime të bukura brenda nesh, që na e bëjnë trishtimin të përballueshëm, tha Zeneli muaj më parë.
–Çfarë e dallonte krijimtarinë e tij prej të tjerëve?
]
-Në krijimtarinë e tij kujtohet përmbajtja. Ai nuk bënte humor për humor. Në çdo vepër të tijën kishte një ngjarje që rrëfehej, ishte një problem që ngrihej.
–Një nga kryeveprat e tij ishte “Gjuetia e fundit”, si e kujtoni realizimin e kësaj vepre?
-Koço ishte një vëzhgues i vëmendshëm. Ai qëmtonte episode, personazhe, i ndërthurte bukur me njëri-tjetrin dhe ia vishte një personazhi. Më kujtohet kur xhironim në Pallatin e Brigadave dhe gjatë pushimit bënim batuta, të cilat më pas bëheshin pjesë e veprës.
Shumë prej episodeve të përfshira në telefilm janë rrëfime të njerëzve të ndryshëm. Edhe pse të gjitha bëmat ia veshëm komandantit, nuk i kishte bërë ai të gjitha.
Për shembull, historinë e gjuetisë na e rrëfeu një biletashitës në Teatrin e Varietesë, të cilin kur kishte qenë ushtar e kishin çuar për të trembur derrat, kur gjuante shoku Mehmet; ndërsa atë pjesën e dybekut e kam treguar unë dhe ka ndodhur në Kolonjë, por jo me komandantin, por me një tjetër anëtar Byroje. Por ishte arti i Koços për t’i bërë të gjitha bashkë.
E kishit takuar së fundmi?
-Po, e kam takuar pak kohë më parë. Kemi pirë kafe dhe as që e mendonte se fundi do të vinte kaq shpejt. Ikja e Koços na preu një krah. Nuk di të them në ishte i majtë a i djathtë. Ai ishte një penë e rrallë dhe me të vërtetë na ka lënë të gjymtuar.