“Shkoja shpesh tek kafe “Myzeqari”, një kafe në Athinë që sigurisht ia kam pagëzuar unë emrin kështu. Bëheshim gjithsej 10 burra shqiptarë dhe grekë, e uleshim të pinim nga një teke ujë të bekuar. Sapo kisha ardhur nga Shqipëria dhe isha i trishtuar, sepse e lashë vendin tim me probleme”
Kështu e nis rrëfimin e tij, aktori i njohur, “Artisti i Popullit”, Luftar Paja, për kohët e tij të kaluara në Greqi …
“Mbaj mend sesi ia fillova bisedës së parë ku të gjithë më shihnin me habi..
Ne në Shqipëri i jemi përveshur punës që Europa të mos heqë akoma siklet për ne. Ndërkohë, që emigrantët shqiptarë e kanë pak keq se nuk i bëhen letrat për legalizim. 70% e familjes sime është duke u përgatitur seriozisht për këtë problem. Është kthyer në fakt në një epidemi. Sepse mbi tavolina e karrige shoh gjithnjë karta të ndryshme në greqisht. “Janë për legalizimin”, më thonë.
“Bëjini, bëjini!” u them se do ju duhen. Unë vazhdoj të punoj në Shqipëri ndërsa “lejen e krijimtarisë” e bëj në Athinë. Ndoshta, kushedi. Në të ardhmen mund të luaj ndonjë rol emigrantësh dhe jam duke studiuar karaktere. Sa herë vij në kryeqytetin grek, gjëra të reja mësoj. Sepse byrazerët tanë pjellin për çdo ditë karaktere. Nuk e kuptoj pse janë kaq pjellorë këtu në dhè të huaj dhe jo në Shqipëri.
Një nga miqtë e mi është Idajet Beqiri. Me të kam gjetur belanë. Sa herë që takohemi, kur na ndodh të trokasim ndonjë gotë, ai më uron për unitetin. Edhe unë kudo që vete, sa herë trokas gotën, ngre shëndenë për unitetin. Edhe në shtëpi, trak gotën dhe këtë avaz, kam.
– More burrë, po ne në unitet jemi në familje.
– Dëgjo grua! – i kthehem, – për këtë llogari kërkoi Idajetit e jo mua. Ma ngjiti që ma ngjiti… Hajde gëzuar, për Unitetin.
Gruaja ime, Qamilja, i ka për zemër aktivitetet e emigrantëve. Së bashku me Sofika Toporen merr pjesë në të gjitha aktivitetet e tyre. Në fakt, në shtëpinë tonë ne i kemi të ndara takëmet. Unë në aktivitete serioze nuk shkoj, se po të diskutoj unë, ndonjë prej të pranishmëve mund të qeshë. Ndërsa Qamilja është tepër me namuz.
Kam bërë të qesh edhe veten time, ndërsa gruan time, jo. Asaj i shkojnë aktivitetet me peshë, ku flitet për gjëra të mëdha. Mua më kanë privuar nga kjo e drejtë. Edhe po të vete, do të rri jashtë radhe, ose jashtë liste. Ajo në çdo aktivitet emigrantësh është e para, por në asnjë gazetë, s’ia kam parë emrin.
Kam nisur të zgjas flokët. Jo, s’i kam rritur për ndonjë rol, por i kam lënë për qejf. Edhe gruaja kështu më thotë, “Priji!”, por unë jam burrë dhe nuk marr urdhra nga gratë. Flokët i lashë të gjata kur filluan t’i shkurtojnë pjesa tjetër e “ekuipazhit” të shtëpisë. Dua që në shtëpi edhe me flokë të kemi një masë mesatare, që t’i përgjigjet “nivelit” mesatar të jetesës.
Por me flokët kam gjetur edhe një bela tjetër. Pronari ku punon djali, i ka flokët tamam si unë. Dhe jo vetëm flokët. Edhe nga trupi, edhe nga surrati, more. Një ditë u ulëm në një tavolinë dhe shikonim njëri-tjetrin me vëmendje. Ai shiko mua me habi, unë shiko atë. Unë prishja buzët, ai ngrinte supet. Unë psherëti, ai fërko sytë. Pastaj më tha:
– Jemi njësoj.
– Sikur je sozia ime.
– Dëgjo, o babi yt në Greqi, o babi im në Shqipëri, diçka kanë ngatërruar.
– Ka qenë ndonjëherë babai yt në Greqi?
– Është “arratisur” një ditë në kohën e luftës. Ia këputa kot.
-Lëre! – më thotë dhe më përqafon…
Në emigracion ka shumë vështirësi, por kalohen dhe ditë të bukura.
Beharin që shkoi ai “vëllami” im më dha çelësat e vilës në një fshat bregdetar në periferi të Athinës. Ç’e do, ç’vilë ishte… Ndenjëm 20 ditë si në përrallë. Na dukej vetja si mbret. “Ah, s’e patëm fat që muajin e mjaltit ta bënim në një vilë të tillë… – i thashë gruas. – Konita re, konita… Jo gjel fare, por edhe gjel hëne gjeje aty brenda në frigorifer. Çdo dhomë dhe korridor televizor. Po të kërceje mbi dy metra, bije në det. Qejf o qerrata! Telefon edhe në banjë. E provova edhe një herë të flisja nga banja. Pse të mos e provoja? Mbase s’më vinte më ai rast…”.
/Nga Albert Z. Zholi