Roza dhe Dhimitër Anagnosti janë ulur në radhët e spektatorëve. Për filmin “Lulëkuqe mbi mure” të kineastit nis një jetë e re.
47 vjet më vonë pas premierës së parë, Arkivi i Filmit shfaqi ‘Lulëkuqet’ të restauruar.
“Ndihem i emocionuar, jam përpjekur të bëj diçka të mirë”, shprehet regjisori Dhimitër Anagnosti.
Salla është e tejmbushur! Publiku qan me peripecitë që kalojnë djemtë e jetimores, qeshin me batutat, emocionohen, sikur ta shikonin për herë të parë.
“Nuk ka gjë më të bukur, që pasi bën një punë, shikon se edhe pas kaq vitesh vazhdon të jetojë”, shprehet aktorja Roza Anagnosti.
Është magjia e Anagnostit, me filma që i rezistojnë kohës. Por edhe mjeshtëria e aktorëve.
“Më tha një ditë: Për çdo film kam ndjerë dhimbje! Dhe ashtu ishte, kur Dhimitri fillonte një film, çdo energji shpirtërore, mendore e jepte për të”, thotë më tej aktorja.