Filmi “Lule të kuqe, lule të zeza” që e fokuson ngjarjen pas vitit 1997 në vendin tonë u shfaq në “Vajzë Fest”.
Filmi me skenar nga Natasha Lako dhe regji Mevlan Shanaj konsiderohet në kohën sot si një nga filmat më interesantë të epokës post-Kinostudios, i cili vijon të ngjallë interes te publiku në festivale të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Filmi është prodhim i vitit 2003 dhe 21 vite nga realizimi i tij “Lule të kuqe, lule të zeza” vazhdon të trondisë me atë që i përcjell publikut. Por regjisori Mevlan Shanaj, i cili është dhe vetë me rol në këtë film thotë se ka një ndërtim të veçantë.
““Lule të kuqe, lule të zeza” është filmi që ndryshon logjikën e kinemasë shqiptare, ndërtim i veçantë në kufijtë e absurdit!
Filmi trondit mentalitetin, trondit me të vërtetat e hidhura!”, shprehet regjisori Shanaj kur pyetet për këtë film. Por për filmin që u shfaq më parë në festivalin “Vajzë Fest” u shpreh edhe skenaristja e njohur Natasha Lako. “25 vjet të filmit “Lule të kuqe lule të zeza” para disa kohësh m’i kujtoi profesor Përparim Kabo.
Sot në fshatin e poetit Ali Asllani”, shkruan skenaristja Lako në rrjete sociale për filmin.
“Lule të kuqe lule të zeza” prodhim i vitit 2003 në vendin tonë është në vijim dhe të tjerë prodhimeve kinematografike me skenar të Natasha Lakos, filma që janë vlerësuar nga publiku dhe kritika për çfarë kanë përcjellë përmes historive të tyre në ekran.
Subjekti i filmit
Në film në role janë Mevlan Shanaj, Yllka Mujo, Kastriot Çaushi, Elia Zaharia, Bujar Lako, Petrit Malaj, Gentian Demaliaj, etj. Muzika e filmit është shkruar nga Kujtim Laro. Subjekti i këtij filmi na flet rreth marrëdhënieve dramatike, dashurive, vetmive, dhe historia e një grushti njerëzish që jetojnë si satelitë me njëri tjetrin, në një vend ku kishat janë satelitë të xhamive, ku fshatrat janë satelitë të qyteteve, ku varri ka dështuar. Është historia e Liljanës interpretuar nga Yllka Mujo, një grua e lirë që jeton së bashku me të fshehtat e saj, e cila mbetet e braktisur nga i shoqi. Po kështu mbetet dhe Ana, interpretuar nga Elia Zaharia, e cila në film si në jetë është e bija.
Jo vetëm nga kritika e huaj, por në një shkrim të tij dhe shkrimtari e skenaristi i njohur Vath Koreshi shkruante se filmi episod pas episodi na fut në meditimin për të shpjeguar një shoqëri në apokalips si vendi ynë në 1997. “”Lule të kuqe lule të zeza” i Mevlan Shanajt, episod pas episodi, na fut në meditimin për të shpjeguar një shoqëri në apokalips, si Shqipëria e vitit 1997, ku një pjesë e katastrofës shpirtërore shpjegohet me përçarjen e pjesës së ndritur dhe pjesës së errët të njeriut.
Kataklizmat e mëdha shoqërore janë një përzierje e trembshme gjërash të mira dhe gjërash të këqija, në mesin e të cilave fare thjesht mund ta humbësh orientimin”, shkruante dikur Koreshi. Filmi po vijon rrugëtimin e tij në festivale të ndryshme, por ka arritur dhe mbi 2.5 milionë shikime në Youtube, çka tregon se vazhdon të jetë një prej prodhimeve kinematografike shqiptare që ngjall interesin e shikuesve./Julia Vrapi