“Unë e përbuz artin që kërkoni të bëni, arti është i popullit se ata e shpikën, dhe atë kërkojnë. Ju s’do ngeleni tjetër përveç imitues të ulët të zhargoneve të huaja. Unë e dua popullin tim dhe deri sa jam “Artist i Popullit”, do jem pranë tyre deri në frymën e fundit.”
(Nga ditari i Naim Frashërit)
Naim Frashëri u lind në Leskovik më 15 gusht të vitit 1923 dhe vdiq më 18 shkurt të vitit 1975. Aktor i teatrit dhe i filmit, Artist i Popullit, Hero i Punës Socialiste. Filloi të merret me teatër që në gjimnazin e Tiranës e më pas në teatrin partizan.
Në maj 1945, me krijimin e Teatrit të Shtetit (sot Teatri Kombëtar) filloi karrierën si profesionist. Aktor i fuqishëm dramatik, me ndjeshmëri të lartë e temperament shpërthyes, krijoi mbi 80 personazhe, heronj tragjikë e romantikë, nga dramaturgjia shqiptare dhe botërore, ndër të cilët, në teatër: Hamleti (Shekspir), Selimi dhe Jonuzi (“Familja e peshkatarit”, Sulejman Pitarka), Gjenerali (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Ismail Kadare). Shpendi (“Mbi gërmadha”, Fadil Paçrami), Ferdinandi (“Intrigë dhe dashuri”, Shiler), Edgari (“Mbreti Lir”, Shekspir), Xhaxha Vanja (Anton Çehov) etj.; në kinematografi: Pali (“Skënderbeu”, 1953), Mësuesi (“Fëmijët e saj”, 1956), Stefani (“Tana”, 1957), Qemali (“Furtuna”, 1959), doktor Artani (“Gjurma”), Kirurgu (“Plagë të vjetra”) etj.
Loja aktoriale e Naim S. Frashërit spikat për vërtetësi në përjetimin e gëzimit dhe të vuajtjes e të brengës njerëzore. Naim S. Frashëri kishte mimikë dhe plastikë të zhvilluar, ekspresive, zë me diapazon të gjerë dhe tingëllues, me timbër të ngrohtë njerëzor. Ishte mjeshtër i analizës, vlerësonte botën e brendshme të figurës, gjendjet dramatike të saj, duke bërë të dukshme psikikën e tronditur dhe trazimin shpirtëror të personazhit, veçanërisht të personazheve shqiptare, që shquhen për natyrën realiste, tepër njerëzore dhe
bindëse.
Naim S. Frashëri dha ndihmesë të madhe për forcimin e karakterit kombëtar të Teatrit Shqiptar, në përgatitjen e aktorëve të rinj, si pedagog në degën dramatike të Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Ka marrë Çmimin e Republikës të Shkallës së Parë. U nda nga jeta në vitin 1975