Më bukur se shkrimi i mëposhtëm, asgjë nuk mund të përshkruaj historinë e Kinostudios, aktorëve e protagonistëve të saj, shpirtin dhe zemrën e artit në këto 72 vite.
Tana mori fëmijët e saj dhe doli në malet me blerim mbuluar në çdo stinë. Ishte dita e parë e lirisë dhe kishin nisur të hidheshin themelet.
Kishin çelur lulëkuqe mbi mure, dhe pas mëngjesesh lufte, frynte era e ngrohtë e thellësive.
Në pritë, njeriu me top dhe Kapedani, ballë për ballë, shihnin në sy mysafirin e paftuar. Ishte një duel i heshtur për liri a vdekje.
Gjeneral gramafoni dhe gjenerali i ushtrisë së vdekur, pas shirave të vjeshtës dhe dimrit të fundit kishin hedhur guna përmbi tela dhe prisnin yjet e netëve të gjata për të nisur misionin përtej detit me ilegalët.
Shoku Tili ra në grackën e Tomkës dhe shokëve të tij, dhe teksa Beni ecte vetë, Taulanti kërkonte një motër në qytetin më të ri në botë.
Agimet e stinës së madhe i sollën ndër mend dasmën e shtyrë kur xhirohej një film dhe mbahej një koncert në vitin 1936. Gëzhoja e vjetër e një vrasjeje në gjueti e futi në një rreth kujtese.
Iu ndërmend telefoni i një mëngjesi dhe dora e ngrohtë, që e nxorri nga rrethimi i vogël.
Ata nuk ishin vetëm!
Të mos heshtësh, i tha vetes. Duaje emrin tënd!!
Nusja kaloi shtetrrethimin përtej mureve të gurta; në udhën e shkronjave, zonja nga qyteti dhe një shoqe nga fshati i thirrën: Eja, se treni niset në 7 pa 5!
Kaloi binarët, tokën e përgjakur në pyllin e lirisë, ku partizani i vogël Velo kërkonte rrugët e bardha.
Nga larg vinin tinguj lufte. Radiostacioni luante Apasionatën.
Erdhi në shtëpinë tonë, ku gjeti çiftin e lumtur dhe njeriu i mirë i tregoi kur hapën dyert e jetës.
Dhe zbardhi një ditë. Flutura në kabinën time luante tela për violinë.
Gjithçka iu duk si përrallë nga e kaluara, ndonëse asgjë nuk harrohet.