Prokop Mima, (1920-1986). Aktor. Lindi në Durrës, më 7 korrik. Kreu gjimnazin në po këtë qytet dhe më pas shkoi për studime jashtë shtetit për farmaceutikë.
Në shfaqjen përuruese të themelimit të Teatrit Profesionist të Shtetit, më 25 maj 1945, në komedinë “Topazi” të MArsel Pagnol, luajti rolin e Rozhe de Bervil, ku edhe spikati si aktor i planit sarkastik.
Loja e tij është çmuar për vizatimin e karaktereve të goditur, origjinale, ku zëri kumbues, shqiptimi i pastër i fjalës dhe plastika i kanë shërbyer për një përcjellje me elegancë te spektatori i figurave të larmishme, që ndryshonin dukshëm nga njëra-tjetra.
Është interpretuesi i dy roleve nga më mbresëlënëset në Teartin Kombëtar; i pari, ai i Zbishekut te komedia “Morali i zonjës Dulska” (1958) e Gabriela Zapolskes, me të cilin vizatoi, përmes një sarkazme të mprehtë, njeriun vantioz, aventurier, mashtrues, të lidhur pas interesit, kurse i dyti, ai i Xhivolas te drama “Arturo Ui” e B. Brehtit, 1971, regjisor Pirro Mani, me të cilin dha figurën e frikshme të Xhivolas, njeriun e kulisave, çalamanin hidhnak, demagogun dhe atë që organizonte ritualet mortore të kundërshtarëve politikë të Arturos.
Në vitin 1957 luajti Vurmin, te drama “Intrigë e dashuri” e F. Shilerit; rol që u trajtua në një stil alegorik dhe që shkoi deri në simbolizimin e njeriut ziliqar, kobzi dhe i kurtheve. Në komedinë “Pas vdekjes” e A.Z. Çajupit, ai i dha një formë sarkastike portretit të doktor Adhamudhit, duke ironizuar mendjemadhësinë e tij boshe, alogjizmin dhe sharlatanizmin, duke u tallur pa meshirë, po ashtu, me pseudopatriotët dhe njerëzit me dy fytyra, të cilët, edhe për caktimin e alfabetit të gjuhës shqipe, kërkonin të fitonin kapital të pamerituar politik.
Një nga kulmet e aktrimit të tij ishte krijimi i figurës së don Markut te “Cuca e maleve” e Loni Papës (1968), ku ai operoi me rrafshe klasiciste e racionale, duke i ofruar lojës shenja të forta të simbolizmit si dhe metaforizmit social të sjelljes, paçka se brenda një trendi politikisht të paracaktuar. Këngëzimi i qëllimtë i fjalës dhe i sentencave biblike, në oborrin e kishës, në qelë a në shtëpinë e Zefit, realizonin kontrapunkte domethënëse me qëllimet tinëzare të vetë personazhit, gjegjësisht tendencës së hapur politike socrealiste që ai kishte në vepër.
Me rolin e Kiu Gremit në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” të J. Xoxes, 1975, ai solli fshatarin tikip myzeqar, me një të folur të ngadaltë e të matur, me sjellje e veprime të arsyetuara, njeriun e rrogozit, paqësor, por i drejtë. Në rolet e shumta që ka mishëruar shquhen Kockareli te “Martesa” e N. Gogolit, nënpunësi i postës te “Revizori” e N. Gogolit, Tahir beu te “Halili dhe Hajria” e Kole Jakovës, Hasan aga te “Prefekti” e Besim Levonjës, profesori i dansit te “Borgjezi fisnik” e Molierit, gjeneral lejtnanti te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur, sipas romanit homonim të Ismail Kadaresë; Turhani te komedia “I pazëvendësueshmi e Qamil Buxhelit.
P. Mima ka qenë për shume vite pedagog i fjalës artisike në Institutin e Lartë të Arteve. Ishte një ndër recituesit më të talentuar të Teatrit Kombëtar, me një zë të papërsëritshëm. Me mijëra vargje nga poezia shqipe dhe ajo e huaj gjenden të inçizuara në fonotekën e “Radio Tiranës”, ku fjala shqipe prej recitimit të tij pasional merrte tingëllimat e një gjuhe të bukur plot hijeshi.
Ndër to ai recitoi edhe vargjet e njohura nga Historia e Skënderbeut e F. S. Nolit (të cilën e dinte përmendësh). Luajti edhe disa role në kinematografi, si: gjenerali gjerman te telefilmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, 1975; Stefani te filmi “Emblema e dikurshme”, 1979; xha Kiço te filmi “Vëllezër dhe shokë”, 1980. Ndahet ng jeta në Tiranë, më 19.08.1986. Mbante titullin “Artist i merituar”.