Kobe Bryant është më shumë se basketbolli, sepse nuk janë thjesht atletë ata që i bëjnë miliona njerëz të dashurojnë sportin dhe të jenë sportistë. Nuk janë thjesht sportistë ata që ndihmojnë sportistët tjerë të ngriten – ata janë njerëz të mëdhenj që nuk vdesin kurrë. Ky është Kobe dhe si Kobe Bryant historia e njerëzimit njeh shumë pak.
Pesë unaza të kampiont të NBA, dy herë MVP i finaleve e një herë MVP në vitin 2008, 18 paraqitje të All Star, e qindra arritje tjera personale dhe me klubin, flasin shumë për të si basketbollist legjendë, e që për shumëkënd do të jetë mbi emrat tjerë kulmorë të këtij sporti – si më i miri në histori. Kobe frymëzoi gjenerata të tëra të duan basketbollin, të dashurojnë sportin. Mentaliteti i tij inspiroi fëmijët, talentët, bashkëlojtarët dhe kundërshtarët. Mentaliteti Mamba është mentalitet që njeh ngritjen në triumf, fitoren në disfatë, mësimin në çdo gabim dhe ngritjen pas çdo rënie.
Lojaliteti – nëse do të quhej ndryshe – do të quhej Kobe Bryant. Filloi dhe mbaroi karrierën te Los Angeles Lakers, duke i qëndruar 20 vjet besnik. Kurrë nuk e tradhtoi klubin. Kurrë nuk e tradhtoi as gruan Vanesën, as familjen, përkundër se fama, paraja dhe suksesi e vënë njeriun para gabimeve të tilla.
Kobe Bryant vdiq duke shkuar në një lojë basketbolli me vajzën e tij, pak orë pasi përgëzoi LeBron Jamesin që e tejkaloi në listën e top koshashënuesve në histori. Njerëzor e miqësor, basketbolli dhe edukimi i talentëve të rinj dhe lojtarëve të rinj aktual në ngritje ishin prioritet i tij.
Kobe është dashur të punojë në shumë talentë të basketbollit në vitet në vijim, por Zoti e mori atë para kohe sepse qielli kishe nevojë për njerzillëkun e tij.
Basketbolli nuk ishte i njëjtë prej kur ai u pensionua. Definitivisht nuk do të jetë kurrë më i njëjtë tash pasi ai shkoi në qiell./telegraf/