Në historinë e ndritur të Atdheut tonë, në panteonin e lirisë ndodhet një pishtar i ndezur flakë i cili ditë e natë i jep dritë Shqipërisë, u tregon brezave të sotëm, por dhe atyre që do të vijnë më mbas, se kjo tokë është larë me gjak, se një grusht dheu po ta marrësh në dorë e ta shtrydhësh fort, ai do të pikojë gjakun e lirisë.
Natyrisht, mbijetesa e çdo populli në botë është simbol i qëndresës së tij, është shpirti luftarak dhe i paepur në kërkesë të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, që dhe Shqipërisë tonë të dashur, ata burra dhe heronj kurrë nuk i kanë munguar. Kanë rënë heronj e dëshmorë në përpjekjet për liri dhe pavarësinë tonë kombëtare, veçse deri para çlirimit, asnjë qeveri nuk është përkujdesur për ta. Gjaku dhe legjenda e tyre ka qenë e stampuar në kujtesën popullore edhe e trashëguar brez pas brezi, nëpërmjet këngëve, valleve, tregimeve epike, e deri në artin figurativ popullor.
Skalitja dhe gdhendja në shpirtin e popullit, ka qenë një nga karakteristikat dhe vitalitet i qenies dhe vazhdimësisë shqiptare. Edhe pse kjo traditë e mrekullueshme është ruajtur, madje dhe vazhdon të ruhet në popull, ajo që i dha rëndësinë më të madhe dhe vlerësimin që i takon, është shpallja e “5 Majit “ nga ana e Partisë Komuniste si dita e dëshmorëve të Atdheut, pikërisht me vendimin 109 të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të datës 28 gusht 1945. Dita e 5 Majit përkon me vrasjen e Heroit të Popullit, Qemal Stafa anëtar i KQPKSH, në vitin 1942 nga fashistët italianë. Natyrisht, që ngelet një ditë simbol për gjithë të rënët e sidomos atyre të Luftës Nacional-Çlirimtare. Ka patur një traditë të mirë gjatë periudhës së socializmit sepse jeta dhe vepra e tyre nderohej e respektohej nga i gjithë populli ynë.
Nuk gjeje shkollë, institucione, rrugë, lagje të mos lidhej me emrat e tyre dhe me datat e shënuara historike të popullit tonë. Me mijëra, buste monumente u ngritën në kujtim të tyre, sikurse nuk kishte qytet të mos krenohej me varrezat dhe gjakun e dëshmorëve të vet. Në çdo 5 Maj, bëheshin vizita në familjet e dëshmorëve, në çdo 5 maj varrezat e dëshmorëve mbuloheshin si asnjë herë tjetër me gjithfarë lulesh ku mbizotëronte lulëkuqja dhe shallet e kuq të pionierëve. Nuk ishte thjesht një ritual, por një ndjenjë e pastër që gëlonte në shpirtin e popullit për të nderuar bijtë e vet të rënë për Atdhe. Po sot?
Sot, Shqipërinë të gjitha kastat drejtuese, sidomos mbas viteve ‘90-të të shekullit të kaluar, e kanë katandisur deri në atë gjendje, sa është bërë për të ardhur keq. “Historianë”, nga ku historia baballarët e tyre, i pat dënuar si bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit, na ngrihen dhe në “rolin e fitimtarit” për të dëshmuar se jo vetëm që ne nuk qenkemi çliruar më 29 Nëntor, por dhe dëshmorë nuk kemi patur aq, madje disa karagjozë të cilët çuditërisht gjenden dhe në krye të institucioneve, duke e shtrembëruar historinë, na tregojnë dhe dëshmojnë se shumica e tyre ishin viktima lufte!!
Po cilët ishin viktima lufte? Mos vallë “10 Këshilltarët Hekalit”, që duan të na i paraqesin se u vranë nga inati i një beu? Ja po e konsiderojmë për një moment ashtu sikurse thonë bashkëpunëtorët e fashizmit, po si shpjegohet se pikërisht nazistët gjermanë në bashkëpunim ma ballistët e Kadri Cakranit dhe Halil Halisë vranë gjithsej 44 këshilltarë! Ku i njihte gjermani këshilltarët e Hekalit apo dhe fshatrave të tjera të Mallakastrës? Për dëshmorët tanë do të ishte turp i madh që t’u lihej sikurse u është lënë në dorë bashibozukëve kuislingë, të cilët janë po aq përgjegjës sa dhe vetë pushtuesit, që të shkruajnë e bëjnë historinë e gjakut të derdhur nga ana e dëshmorëve dhe heronjve tanë.
Sot edhe vende si Franca shkojnë e vendosin lule te anëtari i KQ të Partisë Komuniste franceze, Gabriel Perry, sikurse dhe presidenti italian me 25 prill, ditë që përkon me largimin e nazistëve gjermanë dhe kapjen e kreut fashist Bennito Mussolinit shkon e nderon të rënët e rezistencës antifashiste, teksa Partia Socialiste, e cila ndodhet dhe në pushtet, i ka lenë varrezat, memorialet, bustet e heronjve në mëshirë të fatit, pa folur këtu se askush prej tyre nuk guxon dot të vendosi një tufë lule te komandanti i partizanëve Enver Hoxha (përjashto këtu komunistët dhe njerëzit e ndershëm), pa shkruar këtu se askush prej tyre nuk flet dot për historikun dhe rrugën e lavdishme të brigadave tona heroike e partizane. Në kryqëzatën e luftës kundër ideve të komunizmit, socializmit dhe vetë Enver Hoxhës, ata për nga veprat jua u kalojnë dhe vetë ballistëve klasikë të Mithat Beut.
Madje të parët, që siluruan veprën e tyre ishin vetë socialistët me në krye Ramiz Alinë, paçka se betoheshin dhe stërbetoheshin se ata u përuleshin gjakut të tyre. Nuk ka, e s’mund të ketë hipokrizi më të madhe teksa rehabilitohen kolaboracionistët e pushtuesit, madje dhe vetë kreun e tyre e duke e portretizuar si martir demokracie, nuk ka tradhëti më të madhe të heqësh shtatoren e Enver Hoxhës dhe ta zëvendësosh atë me të Zogut, sikurse nuk ka atentat më të madh që mbas plagosjes së parë që i bënë në këmbë “Besnikut” (Hysni Kapos), çorba socialiste me dinamitin e Saliut në dorë e plagosi atë për herë të dytë, në memorialin e Drashovicës, por tashmë dhe në bronx.
Idealet e partizanëve të thjeshtë, të komandantëve, komisarëve, ushtarëve dhe gjeneralëve tanë që udhëhoqën gjithë epopenë e Luftës së madhe Nacional-Çlirimtare u tradhtuan. Nuk e kam fjalën për ekstremin e djathtë, të horrit të horrave, kryebanditit të të gjitha bandave, arkitektit Neron të Vuçidolit, i cili e çoi Shqipërinë në vëllavrasje dhe vendosi në themelet e saj tërësisht eksplozivin e Gërdecit, aq sa lëkundi gjithë Ballkanin. Jo! Fjala është për lepujt socialistë, që si ato rrospitë plaka e të vjetra, duke bërë lojë të dyfishtë hiqen sikur janë e do të ngelen jo vetëm vazhduesit e denjë dhe pasardhës të vlerave më të mira të popullit tonë, por dhe të luftës antifashiste. Ata nuk mungojnë dhe të mbajnë ndonjë fjalim dhe të përmendin me emra heronjtë dhe dëshmorët tanë, madje të çojnë nëpër memoriale dhe kurora e tufa me lule.
Është tërësisht hipokrizi dhe rrospia plakë këtë “akrobaci erotike” e bën jo se me të vërtetë di t’i nderojë vlerat e mëdha të atdhetarëve të vërtetë, të bijve që dhanë jetën me pushkë e penë për mëmëdhe. Jo, absolutisht që jo! Ato janë e ngelen demonstrime si piruetat artistike të patinatorëve në pistën e akullt, për të kënaqur përkohësisht publikun. Me këtë rast, është me vend të bëhet dhe diferencimi, diferencim ky, që duhet ta bëjë çdo anëtar dhe simpatizant i çdo lloj partie. Jo të gjithë mund të pajtohen me qëndrime dhe praktika të tilla. Shqipja ende ka bij e bija që e kuptojnë të vërtetën, larg fasadës propagandistike.
Ata janë në gjendje ta kuptojnë se stafetën e ballistëve dhe zogistëve klasikë të djeshëm e kanë marrë në dorë “ballistët modernë”, derivate të degjenerimit dhe tradhtisë së madhe të ish-PPSH. Mbi varrin e një dëshmori një tufë lulesh dhe një kurorë nga një njeri i thjeshtë do ta vlerësoja me kënaqësi… se sa me dhjetra kurora nga bastardët horra plot hipokrizi!/ NGA YLLI MEÇE