SPAK është institucion më i lartë i drejtësisë së re që është ngritur me një destinacion të caktuar: Hetimin dhe dërgimin në burg të “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit në Shqipëri. SHBA dhe BE kanë hedhur miliona për të formatuar këtë strukturë.
Por dhe për të trajnuar ekspertët dhe për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit që të plotësojë tërë kuadrin institucional në luftën kundër korrupsionit.
Në Shqipëri kur thua “peshqit e mëdhenj” nënkupton menjëherë krerët më të lartë të politikës që nuk kanë lënë zullum pa bërë në këto 30 vite. Me fondet e qytetarëve shqiptarë janë bërë zengjinë dhe nuk dihet ku i kanë vilat dhe paratë, aq shumë kanë.
Kur shpresa që këta “peshq të mëdhenj” më në fund do përballen me drejtësinë e re është shumë e madhe, papritur lind zhgënjimi. Ndonëse e kemi paralajmëruar, por tani po shohim faktin.
Prokuroria e Posaçme ka një dosje nëpër duar! Eshtë afera CEZ-DIA, nga e cila shteti shqiptar ka humbur 500 milionë euro. Themi kështu, sepse nën hetim është vetëm abuzimi me privatizimin në dobi të CEZ. Pra SPAK-ut i kishte ardhur “zogu” në dorë për të bërë pikërisht atë për të cilën është ngritur si institucion, dhënien fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.
Por Prokuroria e Posaçme nuk ka pranuar as ta shqyrtojë dosjen “CEZ-DIA”, një prej abuzimeve më të mëdha në historinë e pluralizmit shqiptar. Për habinë e të gjithëve SPAK-u ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e dosjes, ndërsa ka vendosur ta dërgojë çështjen në Durrës.
Juristi dhe eksperti ligjor i ish-OSSH Romeo Kara kallëzoi në SPAK për shpërdorim detyre gjyqtarin Lazër Sallaku që mbylli dosjen CEZ me kërkesë të Prokurorisë.
Në të njëjtën kohë, në kallëzim kërkohej nga SPAK-u edhe sekuestrimi i gjithë dosjes CEZ, me dëm ekonomik mbi 500 milionë euro, ku të kallëzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha, sekseri kryesor Nuel Kalaj, ish-ministrit Genc Ruli, ish-zëvendësministra, ish-këshilltarë, ish-drejtorë. Madje është thirrur dhe djali i ish kryeministrit, Shkelzen Berisha. Ndërsa duhej thirrur dhe presidenti aktual Ilir Meta, sepse ka ndikuar në kontratën kontraverse të DIA-s për borxhet, me vlerë miliona euro.
Prokuroria e Posaçme e ka kapur çështjen nga “bishti”. Ka anashkaluar politikanët dhe është fokusuar vetëm tek veprimet e gjyqtarit Lazër Sallakut. Pra është marrë me gjyqtarin dhe jo me dosjen. Një mënyrë efikase për të evituar përballjen me “peshqit e mëdhenj”.
Në terminologjinë popullore një mënyrë veprimi e tillë perifrazohet: Ujku është përballë, SPAK kërkon të ndjekë gjurmët. E dërgon në Durrës me një fjalë.
Madje dhe e ka argumentuar. Meqenëse gjyqtari punon në Tiranë, SPAK ka vendosur dërgimin e dosjes kundër tij në Durrës për verifikim. Sipas SPAK-ut, vepra për të cilën akuzohet gjyqtari, pra shpërdorimi i detyrës, është në kompetencë të një prokurorie të zakonshme.
SPAK-u nuk është investuar për të hetuar rolin e Berishës dhe Genc Rulit në aferën CEZ. Sipas nenit 135 të Kushtetutës, Berisha dhe Ruli janë subjekte të SPAK-ut, për çdo vepër të mundshme penale të dyshuar se mund ta kenë konsumuar. Prandaj janë marrë me Lazrin. I cili vepron me urdhër të Berishës e Metës.
Por Romeo Kara nuk është dorëzuar. Ai ka vënë në lëvizje Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për të rrëzuar vendimin e SPAK. Juristi i kërkon Gjykatës Speciale të detyrojë SPAK-un të shqyrtojë dosjen. Duhet të bëjë një hetim të plotë e të hollësishëm, jo vetëm për rolin e gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili mbylli dosjen disa ditë pasi mbylli edhe dosjen e Lulzim Bashës për lobimin rus. Me sa duket SPAK e ka ndarë mendjen, s’merret me Berishën e Metën. Kanë shumë frikë. Jepu sa të duash kompetenca, ata nuk dalin nga “lëkura” e tyre. Prandaj e çojnë këtë dosje sa andej këndej.
Për gjashtë muaj me radhë janë marrë me dosje anësore të cilat më shumë janë në kompetencë të prokurorive vendore. Askush në Shqipëri nuk mendon se ka “peshq” më të mëdhenj se Sali Berisha dhe Ilir Meta. Me sa duket gjithçka është kopsitur për t’i shpëtuar drejtësisë. SPAK shpall moskompetencën, dhe pas kësaj do t’i duhet të merret me “xhepistët”. Janë në radhë!
Në Gjykatën e Apelit të Tiranës është gjyqtarja Shpresa Beçaj, që përmes “shortit” është ngarkuar për të shqyrtuar ankimimin e Kuvendit kundër vendimit të gjyqtarit Lazër Sallaku për mbylljen e dosjes. Dhe Beçaj, mikesha e Metës dhe Berishës do merret me Lazrin, duke mos u interesuar për dosjen. Në këtë mënyrë shpëtohen dy familje mafioze dhe zhytet shteti shqiptar që ka humbur 500 milionë euro nga afera CEZ-DIA. Bashkë me të “gremisen” dhe drejtësia e re dhe shpresat e shqiptarëve për ndryshim në këtë vend./Pamfleti