Gjykata Kushtetuese vendosi sot, masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, derisa Gjykata të jap vendimin përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës në këtë rast.
“Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:
TË MIRATOJË masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;
TË PEZULLOJË MENJËHERË zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;
Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar”, thuhet më tej.
LDK kishte dorëzuar në Kuvend kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së re, që pritej të mbahej të shtunën e 2 majit.
Pas pezullimit të dekretit seanca do të anulohet.
Kreu i LDK-së ka deklaruar sot se në qoftë se merret vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë të shtunën seancë në Kuvend por do të presin që gjykata ta marrë vendimin përfundimtar, shkruan Telegrafi.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci një ditë më parë tha se presidenti i vendit ka bërë presion të vazhdueshëm ndaj LVV-së, kurse me dekretimin e Avdullah Hotit për kryeministër, partia e saj vlerëson se Thaçi ka shkelur me paramendim Kushtetutën e vendit.