Presidenti Ilir Meta nuk do ta ketë aspak të lehtë që të fusë në kaos sistemin e drejtësisë. Për shkak të veprimeve të tij, sot Gjykata Kushtetuese nuk funksionon, ndërkohë që kemi një konflikt të hapur mes Presidencës dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Por përveç Partisë Socialiste që po nxiton t’i rrudhë kompetencat presidentit Ilir Meta, në lojë janë vënë edhe ndërkombëtarët.
Në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy nisma nga disa deputetë socialistë që synojnë t’i heqin të drejtën e betimeve presidentit, sa i takon anëtarëve të institucioneve të drejtësisë. Këto dy nisma pritet të shqyrtohen nesër në Komisionin e Ligjeve, ndërsa gazeta ka mësuar se ndryshimeve të kërkuara nga mazhoranca iu janë shtuar edhe disa propozime nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Ndërkombëtarët ndryshime ligjore kundër Metës
Gazeta ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve, teksa ka qenë kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje zbuloi se OPDAT dhe EURALIUS kanë kërkuar që në projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të përfshihen edhe disa rekomandime nga këto dy misione të atashuar në Shqipëri. “Lidhur me projektligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, përveç ndryshimeve që kanë kërkuar deputetët me nismë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë depozituar edhe disa kërkesa të tjera, në bashkëpunim edhe me misionin EURALIUS dhe OPDAT, që kërkojnë të adresohen në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Unë kërkoj që këtë projektligj ta planifikojmë për seancën e datës 3 shkurt dhe më pas në dinamikë mund të shikojmë nëse do ta mbyllim brenda kësaj date. Ndërsa lidhur me projektligjin për Gjykatën Kushtetuese unë kërkoj që të shtyhet për në datën 3 shkurt”, deklaroi deputeti socialist, Ulsi Manja.
Pas PS, edhe SHBA-BE fundosin Metën
Por marrja në konsideratë e propozimeve të kërkuara nga misioni EURALIUS dhe OPDAT sa i takon projektligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pritet që të fundosin presidentin Ilir Meta. Ky projektligj pritet të diskutohet këtë javë në Komisionin e Ligjeve dhe pasi të marrë dritën jeshile nga deputetët, do t’i shkojë seancës plenare të datës 3 shkurt për votim, çka do të thotë se presidentit Ilir Meta do t’i rrudhen kompetencat. Me ligjet aktuale gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK, si dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë betohen tek presidentit, por me ndryshimet që ka kërkuar mazhoranca në konsultimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, kjo e drejtë do t’i hiqet kreut të shtetit. Kjo do të thotë se pas miratimi të këtyre ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, presidenti Ilir Meta, pas 3 shkurtit nuk ka asnjë shans që të bllokojë reformën në drejtësi. Pra, duket qartë që për SHBA-BE reforma në drejtësi është e shenjtë dhe se për ta implementimi i saj është domosdoshmëri.
Ja disa nga izolimet që do i bëhen Metës
Interesant është fakti se në dy projektligjet që pritet të diskutohen nesër tek Komisioni i Ligjeve, të cilët rrudhin kompetencat e presidentit Ilir Meta, socialistët propozojnë ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë zgjidhje së pari çështjes së SPAK. Me ligjin aktual anëtarët e SPAK betohen tek Presidenti i Republikës, por me ndryshimet e reja që kanë bërë socialistët, prokurorët dhe gjyqtarët që do luftojnë korrupsionin nuk kanë nevojë të presin t’i thërrasë presidenti për betim, pasi kjo kompetencë i është hequr plotësisht Ilir Metës. Ndërkohë, ndryshime socialistët kanë bërë dhe sa i takon anëtarëve të Gjykatës së Lartë, teksa propozohet që këta gjyqtarë të betohen pranë KLGJ dhe jo pranë presidentit./RIGELS SELIMAN