Shqipëria humbi ndaj Izraelit edhe duelin e dytë me të, duke mos pasur më tani asnjë shans matematik për pozitën e parë, madje, nëse nuk fiton me Islandën rrezikon të përfundojë e fundit në grup dhe rrjedhimisht të bjerë nga Divizioni B në Divizonin C të Ligës së Kombeve.
Ky do të shënonte një hap prapa në ecurinë e Kombëtares, nisur nga progres që ishte bërë në eliminatoret e shkuara. Gjithsesi, përtej objektivit që tani ka mbetur ëndërr ë sirtar, duket e Kombëtarja po vuan kokëfortësinë e federatës dhe menaxhimin e ekipit kombëtar sipas një filozofie “pronë e babës”. Ende nuk po kuptohet që ekipi përfaqësues i përket një kombi dhe duhet punuar mirë për të.
Kjo vë direkt nën shënjestër kreun e FSHF-së Armand Duka, i cili po dëshmohet përditë e më shumë si “bosi” i federatës, ku çdokund është dora e tij dhe cilësia nuk duket gjëkund. Investimet në infrastrukturë gjatë këtyre viteve nuk mund të jenë suksesi i padiskutuar i saj, pasi investimet e mëdha janë dorë e qeverisë, kështu që futbolli, cilësia e tij, matet nga rezultatet në fushë, gjë që Shqipëria sidomos këtë vit ka pësuar rënie në të gjithë treguesit.
Deklaratat e vazhdueshme të Dukës se “ky kampionat më i mirë nga vjet”, apo “ky grup i Kombëtares si kurrë më parë”, po dëshmohen si propagandë qesharake për të justifikuar mandatet e njëpasnjëshëm në krye të FSHF-së, pasi praktikisht as ekipet e moshave, as klubet dhe as përfaqësuesja nuk po tregojnë cilësi në garat ndërkombëtare. Këtë e tregon mungesa e objektivave dhe natyrisht moskalimi i më shumë se një turi në kompeticonet e UEFA-s, rënia e Superligës tonë në rang europian dhe rënia e pozitave të skuadrës përfaqësuese në ranglistën e FIFA-s.
Po të shihet me kujdes edhe ata që e rrethojnë Dukën lëshojnë të njëjtat deklarata, një lloj refreni i mësuar përmendësh dhe interpretuar me kujdes sipas shijeve të “bosit” të FSHF-së, një politikë e gabuar sportive që nuk të çon gjëkundi.
Reja, “plakushit” i dështuan të gjitha eksperimentet
Trajneri Edi Reja kishte krijuar bindjen tek lexuesit që në ndeshjen ndaj Izraelit do të bënte një skemë, një lloj shpikje, që t’i jepte skuadrës fitoren. rezultoi se “shpikja” e Rejës nuk ishte gjë tjetër veçse një skemë e radhës që dështon, një eksperiment i shëmtuar, ku të paktën dy lojtarë ishin krejtësisht jashtë rolit të tyre.
Kështu, Elseid Hysaj ishte pozicionuar mesfushor i majtë, kurse Ivan Balliu ishte pozicionuar si mesfushor i djathtë, lëvizje krejtësisht të pamenduara më parë, madje shumë guximtare, po të mendosh se i pari luan mbrojtës i djathtë e tjetri mbrojtës i majtë. Eksperimenti rezultoi dështim total. Hysaj ishte ndër lojtarët më të dobët në fushë dhe aspak zgjidhje për ekipin, kurse Balliu nuk u ngjit dot në lartësinë e eksperimentit.
Mbrojtja futi ujë e sulmit, krahas gabimeve të Brojës në finalizim, sërish ishte larg objektivit që kishte vendosur Reja. tentativa për të hedhur fajin tek Broja që nuk realizoi në rastet e paraqitura është dëshpëruese për një staf teknik dhe për një trajner me përvojë si Reja.
Shkurt, “plakushit” italian i ka skaduar çdo alibi për këtë dështim spektakolar deri tani në Ligën e Kombeve, prandaj e ardhmja e tij në krye të kuqezinjve shihet e pamundur, paçka se Reja foli për “miqësoret e ardhshme”. /Nga Adriatik Balla