A solli numri dy i Departamentit Amerikan të Shtetit dosjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit?
Më 19 maj, DASH shpalli “Non Grata”, Berishën, ku e akuzoi si të përfshirë në veprime korruptive për shpërdorim të fondeve publike, minim të demokracisë dhe ndërhyrje në proceset publike duke përdorur pushtetin. Departamenti Amerikan i Shtetit është shprehur se, nëpërmjet këtyre veprimeve, ish-kryeministri ka pasuruar aleatët e tij politikë dhe familjen e tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar.
Por DASH, mesa duket nuk po mjaftohet me kaq. Dje, ka patur një sinjal shumë të fortë se Berishës po i ngushtohet edhe më shumë laku nga amerikanët. Numri dy i DASH, zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Lisa Johnson, ka zhvilluar një vizitë “blic” në Tiranë. Ajo ka mbledhur si asnjëherë më parë gjithë strukturën e SPAK dhe BKH. Këtë gjë e ka bërë të ditur dje ambasada amerikane me anë të një postimi në Facebook, ku shkruan se SPAK po tregon rezultate me arrestime, hetime dhe dënime për Ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë, figura të krimit të organizuar.
“Jemi krenarë për bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion. SPAK po tregon rezultate me arrestime, hetime dhe dënime për Ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë, kryebashkiakë, figura të krimit të organizuar, etj. Përgëzime Kreut të SPAK Arben Kraja dhe Drejtoreshës së BKH-së Aida Hajnaj”, shkruan ambasada.
Pra përmes këtij mesazhi, amerikanët u kanë dërguar një mesazh të fortë të korruptuarve në Shqipëri, duke ua bërë të qartë se i kanë ditët e numëruara dhe ditët në vijim priten “prerje kokash” politikanësh, ku më i rrezikuari është Sali Berisha, referuar akuzave që DASH ka ngritur ndaj tij.
SHBA mbështete BKH dhe SPAK
Më tej në statusin e saj, ambasada amerikane në Tiranë, bë me dije se diplomatja Lisa Johnson është takuar edhe me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët i ka përgëzuar për trajnimin që kanë bërë pranë FBI, ndërsa i ka inkurajuar ata që të punojnë me përkushtimi, duke çuar përpara çdo personazh që është përfshirë në korrupsion apo krimin e organizuar. “U takova me hetuesit e BKH-së. Gjysma e tyre kanë përfunduar trajnimin disa javë më parë, përfshirë edhe trajnim një mujor të specializuar me FBI-në.
Ata janë patriotë të përkushtuar dhe plot energji të cilët do ta ndjekin krimin në çdo vend dhe do ti bëjnë shqiptarët krenarë. SHBA ka mbështetur nga afër SPAK në çdo hap të saj, nga ngritja tek rekrutimi dhe fillimi i punës. Presim me kënaqësi të takohemi sërish muajin tjetër gjatë vizitës së tyre në Uashington dhe Akademinë e FBI-së në Quantico, Virginia”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Diplomatja Johnson mbështet reformën në drejtësi
Megjithatë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë edhe të mbështesin reformën në drejtësi në Shqipëri. Një premtim të kësaj natyre e ka bërë ditën e djeshme zv/ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ambasadorja Lisa Johnson, gjatë një takim që zhvilloi me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, ku sipas njoftimit të ambasadës, u bisedua mbi vijimin e mbështetjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi.
“Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Ambasadorja Lisa Johnson është në një vizitë zyrtare në Tiranë. Sot ajo u takua me Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja për të biseduar mbi mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi që vijon.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar ndaj reformës në drejtësi dhe luftës së Shqipërisë kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve. Ndërsa festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, ne qëndrojmë krah për krah me Shqipërinë”, njoftoi dje ambasada e SHBA në Tiranë.