Mes 18 të arrestuarve, pas rrëfimit të Nuredin Dumanit,është dhe polici Leonard Palushi. Në dosjen hetimore, të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala thuhet se Palushi ka qenë efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan ku ka ushtruar detyrën e Shefit të Sektorit për Hetimin e Krimeve, ndërsa tashmë mbante detyrën e shefit të Krimeve në Policinë e Lezhës.
Ai akuzohet se punonte për llogari të Erjon Alibejt, i cili urdhëroi vrasjen e Emiljano Ramazanit. Palushi tentoi të çonte në drejtim të gabuar hetimet.
Pjesë nga dosja hetimore:
Shtetasi Leonard Palushi, i pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethana të hetimit ndër të tjera ka shpjeguar se: Në datën 20.07.2020, kur ka ndodhur vrasja e shtetasit Emiljano Ramazani kam qenë me pushime vjetore. Edhe pse me pushime jam munduar të interesohem për zbulimin e vrasjes së Emilano Ramazanit.
Disa ditë pas ngjarjes, edhe pse ishte me pushime, në Yzberisht, rreth orës 10:00 ose 11:00 të paradites më është afruar një shtetas me maske covidi dhe kapele, rreth 170 cm dhe rreth të 50-tave. Më ka takuar dhe më ka informuar se, tek servisi i Manhasave mbahet e fshehur një armë që është përdorur te vrasja e Milit. M’u drejtua duke më thënë mua ‘nuk më ke parë asnjëherë’.
Eca rreth 2 – 3 hapa në drejtim të këtij shtetasi, por ndërkohë në trotuar erdhi dhe një person tjetër. Ndalova pasi nuk isha i sigurt se çfarë do ndodhte. Të dy bashkë u larguan në drejtim të rrugës kryesore te Unaza e Re. Më vonë komunikova me Drejtorin e Policisë Arjan Muça, i kam thënë se, më ka ardhur një person dhe më ka takuar në Tiranë dhe më ka thënë se arma e ngjarjes së Emiljanos është te Manahasat.
Dua të sqaroj se në bisedën e bërë me Drejtorin e Polcisë Arjan Muça kemi patur dyshime se ky informacion mund të jetë i sajuar, por përsëri duke gjykuar se aty mund të kishte armë do ishte ndihmë për zbulimin e autorëve të ngjarjes, pra mund të kishte gjurmë ADN-je.