Në pjesën e fundit të dossier-it lidhur me interpelancën e ish-shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede në Kuvendin e Shqipërisë në 26 mars 1997, do të shikojmë se si ish-bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të kohës Sali Berisha i faturon përgjegjësinë kryesore të destabilizimit të Shqipërsë ish-ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali.
Duke parë përgjigjet e ish-drejtuesit të kohës së shërbimit sekret shqiptar lihet të kuptohet se Partia Demokratike së bashku me Berishën, kryeministrin e kohës Aleksandër Meksin dhe pjesën tjetër të lidershipit donin të hiqnin nga vetja përgjegjësinë e falimentimit ekonomik, politik, të mbrojtjes dhe sigurisë së vendit duke drejtuar gishtin te Zhulali.
Ky i fundit ishte larguar nga Shqipëria drejt Italisë nëpërmjet një anijeje me refugjatë në Portin e Durrësit në kohën kur në vendin tonë filluan trazirat me rënien e komisariateve, ushtrisë, etj. Gazidede fajëson Zhulalin se dështoi të realizonte reformimin e forcave të armatosura të Shqipërisë në 5 vite pas ndryshimit të sistemit politik. Gjatë raportimit në Parlament, Gazidede u shpreh para deputetëve se ministri Zhulali dështoi në vendosjen e forcave ushtarake në dispozicion të tij për të realizuar operacionin e shtypjes së revoltave në jug të Shqipërisë kundër qeverisë demokrate.
Pa shfajësuar ish-ministrin e ndjerë Zhulali, duket se mazhoranca kishte vendosur ta linçonte publikisht këtë të fundit ku nëpërmjet pyetjeve të disa deputetëve të shumicës qeverisëse kërkohet nga Gazidede të dihet nëse Zhulali ishte pjesë e komplotit kombëtar-ndërkombëtar për rrënimin e shtetit shqiptar dhe copëtimin e tij. Madje, njëri prej përfaqësuesve të pushtetit legjislativ nga mazhoranca i drejton pyetje ish-shefit të SHIK-ut nëse ish-ministri i Mbrojtjes Safet Zhulali ishte pjesë e agjenturave të huaja që po përgatisnin e zbatonin planin për shkatërrimin e shtetit shqiptar.
Pyetje-përgjigjet në Kuvendin e Shqipërisë në 26 mars 1997 lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme në vend
-Ali Spahia (deputet i Partisë Demokratike): A ka dijeni organi i SHIK-ut për gjendjen në ushtrinë shqiptare gjatë muajve te fundit dhe sidomos për aktivitetin e ish-ministrit Zhulali, për rolin e tij në revoltën e armatosur dhe ku ndodhet ai tani dhe çfarë aktiviteti zhvillon?
Bashkim Gazidede (shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar): SHIK-u me ligj nuk lejohet të ndërtojë punën në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Ministrinë e Brendshme, të cilat kane dy shërbime të tyre që quhen SHIU dhe SHIR-i dhe varen nga ministrat përkatës. Natyrisht, për te gjitha problemet që i dalin SHIK-ut në veprimtarinë e tij dhe që lidhen me këto ministri, u raporton ministrave përkatës, u dërgon informacione dhe në raste të veçanta ndërton edhe punën e përbashkët me shërbimet përkatëse.
Për të gjitha të dhënat që kanë dalë në lidhje me problemet e ushtrisë, ne ia kemi dërguar informacionin me shkrim ish-ministrit të Mbrojtjes. Nuk mund të pretendoj që e njihja këtë gjendje të ushtrisë shqiptare. Se çfarë roli ka ish-ministri Zhulali në këtë revoltë nuk e them dot me siguri, por gjatë kohës që kam qenë komandant operacioni, mund të them se ushtria shqiptare nuk vu në dispozicion të këtij operacioni pothuajse asgjë dhe në këtë kuptim natyrisht që nuk mund të shmanget përgjegjësia dhe z. Zhulali si ish-ministër, i cili kishte drejtuar reformën në ushtri dhe që në fund të fundit i kishte lënë në mëshirën e fatit të gjitha depot e armatimit të ushtrisë, ashtu siç nuk dua të shmang as veten nga përgjegjësia për ngjarjet që jeton sot Shqipëria. Për z. Zhulali di që është jashtë shtetit, kam dëgjuar që është larguar nga Durrësi dhe ka shkuar në Itali, por nuk di se ku ndodhet sot dhe çfarë bën.
-Vasil Ndreko (deputet i PD Fier): A ka të dhëna që Zhulali ka qenë një nga lojtarët e skenarit që paraqitët ju dhe, në qoftë se po, cilat janë këto të dhëna?
Gazidede: Natyrisht, nuk kam të dhëna, por gjendja në Shqipëri nuk mund ta shfajësojë Zhulalin, as ndofta edhe mjaft të tjerë. Pak a shumë përgjegjësia është e të gjithëve, megjithëse përgjegjësia e tij si ish-Ministër i Mbrojtjes mendoj se është e veçantë, por s’kam unë të drejtë ta gjykoj. Unë nuk kam pasur të dhëna që do të ndodhte në ushtri kjo që ndodhi. Natyrisht fakti që nuk kam pasur të dhëna, më ngarkon mua, në radhë të parë, me përgjegjësi. Fakti që u braktisën depot e ushtrisë ngarkon atë me përgjegjësi, në radhë të parë, si ish-Ministër i Mbrojtjes, si dhe personat që janë përgjegjës sipas reparteve.
Isa Sinani (deputet i Partisë Republikane): Cili ka qenë pozicioni i ish-Ministrit të Mbrojtjes, Safet Zhulali, me agjenturat e huaja, kur dihet që ishte ai i parë që u evakua jashtë shtetit?
Gazidede: S’kemi pasur ndonjë te dhënë konkrete për këtë gjë dhe s’mund të them gjë me përgjegjësi. Natyrisht, veprimi i tij është i rëndë. Rezultoi që reforma që ai bëri në ushtri, nuk qe efikase, ose qe e dështuar.
Përse nuk raportoi më herët? Gazidede: SHIK-u informon, nuk arreston
Në vazhdim të interpelancës për raportimin e destabilizimit të shtetit shqiptar dhe arsyeve që shkaktuan këtë kapitull tragjik dhe të tmerrshëm në historinë e shtetit dhe shoqërisë shqiptare, Gazidede pyetet nga deputetët e mazhorancës se përse nuk ka raportuar më herët planet grabitqare ndërkombëtare për shkaktimin e kryengritjeve në jug të Shqipërisë nga vorio-epiriotët si dhe për firmat piramidale, ish-shefi i shërbimit sekret të Shqipërisë përgjigjet se SHIK-u nuk ka përgjegjësi për të nxjerrë në publik materiale sekrete dhe se për problemet në fjalë, garanton se ka vënë në dijeni institucionet ligjzbatuese dhe ministrinë e Brendshme të Drejtësisë.
Për çështjen e firmave rentiere, shumëfishimi i të cilave brenda 1 viti u kthye në modelin kryesor ekonomik të vendit me fund katastrofal, Gazidede ia hedh përgjegjësinë Prokurorisë Shqiptare dhe sistemit të drejtësisë për moshapjen e proceseve gjyqësore ndaj bosëve të firmave piramidale. Madje, ai arsyeton se SHIK-u është organ informues dhe se nuk arreston, dënon, heton persona në shkelje të rënda shtetërore. Ky arsyetim i tij ngjan tejet i pabesueshëm duke patur parasysh se shërbimet sekrete, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend të botës organizojnë operacione eliminimi duke patur një hapësirë të madhe besueshmërie dhe kompetencash nga shteti.
Madje, shërbimet sekrete luajnë një rol të madh në situatat e caktuara destabilizuese të një vendi, lufte civile, etj. Aq më tepër, që vitet e fundit janë publikuar informacione dhe për operacionet kriminale dhe të errëta që kanë kryer CIA, FSB e Rusisë, e shumë të tjerë. Prej vitesh, SHIK-u dhe Gazidede janë akuzuar nga politika dhe media se kanë luajtur një rol tejet negativ në situtatën para dhe pas rënies së firmave piramidale, sidomos në situatën kaotike që u krijua në Vlorë. Në tërësi, raportimi i tij në Parlament tregoi qartë se shteti shqiptar i kohës ishte tërësisht fajtor për shkatërrimin e paprecendent që u krijua në Shqipëria dhe la trauma edhe në vitet e ardhshme në shoqërinë tonë.
Pjesë nga interpelanca
-Robert Çeku (deputet i PR) : Veprimtaria antishqiptare e disa qarqeve greke dhe greko-amerikane rezulton e dokumentuar nga raporti juaj. Pse nuk e keni denoncuar publikisht me pare dhe pse pikërisht sot?
Gazidede: Unë mendoj se nuk është detyrë e SHIK-ut për të publikuar materiale. Këto gjëra bëhen në rrugë diplomatike, bëhen në rrugë shtetërore. Unë kam vënë në dijeni instancat përkatëse, pa shmangur natyrisht përgjegjësinë që më takon për parandalimin e një situate të tillë. Mendoj se mjaft probleme te tilla janë bërë në një farë mënyre publike qoftë me gjyqin e 5 shtetasve shqiptarë me kombësi greke, qoftë edhe në raste të tjera. Ata që e kanë ndjekur me vëmendje, besoj se kanë pasur mundësi të njihen me një rrezik të tillë.
-Agim Fuga (deputet): A nuk do të ishte më efektive që ky raportim të ishte bërë më parë dhe jo sot në këtë gjendje të krijuar kur ne analizojmë pasojën?
Gazidede: Ndoshta po.
-Hysen Selfo (deputet i Ballit Kombëtar): Nga raporti që paraqitët, deklaruat se për të gjithë veprimtarinë tuaj dhe veçanërisht për veprimtarinë antikombëtare keni lajmëruar ose vënë në dijeni institucionet përkatëse. Dua të di se çfarë përgjigje kanë marrë dhe në rast se kjo ka munguar, si keni vepruar ju?
Gazidede: Duhet të dini një gjë, që SHIK-u është shërbim informues, është institucion informues, nuk ka kompetenca ekzekutive, nuk ka të drejte të arrestojë persona, nuk ka të drejtë të bëjë veprime të kësaj natyre: ekzekutive, po e përsëris, dhe unë mendoj se puna e SHIK-ut mbaron me informimin që u bën instancave përkatëse.
-Selfo: Në lidhje me firmat rentiere që falimentuan, ju kishit shumë të dhëna ose informacione. Atëherë, pse nuk vepruat në bashkëpunim me organet kompetente për të parandaluar veprimtarinë e tyre?
Gazidede: Thashë që detyra e SHIK-ut është informimi dhe mendoj se informimi nuk u ka munguar mjaft instancave. Për shembull, e kisha edhe në material, por harrova ta lexoj, që ne kemi pas shkëmbyer informacione sistematike me Guvernatorin e Bankës për këto probleme për një përiudhë jo të shkurtër. Megjithëqë në fund të fundit nuk ishte detyrë e SHIK-ut, ne kemi denoncuar firmën ‘Arkond’ dhe përfaqësuesit e kësaj firme ishin të arrestuar të paktën për një kohë të gjate pikërisht për mashtrime të kësaj natyre.
Ne kemi denoncuar gjithashtu fondacionin ‘Xhaferri’, megjithëse s’ishte detyra jonë për të hapur procese gjyqësore për ta. Natyrisht, besoj se nuk kemi bërë gabim për këto, por pothuajse në të gjithë botën demokratike prokurorët hapin çështje kryesisht për probleme që mendojnë se s’janë në rregull. Unë mendoj se vënia ne lëvizje e drejtësisë do të kishte qenë një ndër rrugët më efikase për këtë qëllim.
Prokurorët duhet të kishin marrë iniciativën që të hapnin çështje penale për këto probleme, se pothuajse te gjithë shqiptarët i kanë njohur që ishin firma mashtruese, të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar që po luajnë bixhoz me paratë e tyre, por që fatkeqësisht çoi pastaj në këtë përfundim.