Poeti dhe intelektuali shqiptar Daut Gumeni është shpallur në sondazhin e realizuar nga Gazeta “SOT” si kandidati më i preferuar për të qenë kryetar i ri i shtetit shqiptar. Në anketën e hapur për afro 1 muaj nga media jonë, ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit ka marrë afro 20% të votave të lexuesve të Gazetës “SOT”.
Në këtë sondazh për kandidatin më të preferuar për president të Shqipëri, Gumeni rezulton më i pëlqyeri ndër 8 emra. Poeti i njohur, i cili vuajti më shumë se 23 vite të jetës së tij në burg gjatë kohës së diktaturës komuniste, lë pas emra të njohur të politikës, medias dhe fushës akademike si: ish-ministren demokrate Majlinda Bregun, deputeten socialiste Mimi Kodheli, ish-kryetarin e Parlamentit Gramoz Ruçin, ish-deputeten e PS Valentina Leskajn, ish-ministrin e politikanin Paskal Milo, moderatorin e njohur Blendi Fevziun dhe akademikun Lisien Bashkurtin.
Sipas, renditjes së preferencës nga 2173 vota, në vendin e dytë renditet Majlinda Bregu me 18%. Ish-ministrja e Mbrojtjes Kodheli renditet kandidatja e tretë më e preferuar për kryetare shteti në sondazh me 13%. Leskaj dhe Ruçi renditen të katërtit me 12% të votave. Më pas vjen ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo me 10%. Në vendin e shtatë pozicionohet prezantuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu me 7%. Lista mbyllet me politologun Lisien Bashkurti që ka marrë 6% të votave të lexuesve të Gazetës “SOT”.
Kush është Daut Gumeni?
Ai lindi në 11 mars 1943 në fshatin Gusmar në zonën e Kurveleshit në Tepelenë. Gumeni studio në shkollën pedagogjike “Pandeli Sotiri” në vitet 1957-1961. Më pas, ushtroi profesionin e mësuesit në lëndët matematikë dhe fizikë nga viti 1961 deri në 1967 kur u arrestua.
Daut Gumeni nuk njihej vetëm si mësues i përkushtuar, por dhe si poet i guximshëm që shkruante në kundërshtim me realizmin socialist dhe vijën politike të Partisë së Punës së Shqipërisë. Për shkak të këtyre shkrimeve dhe qëndrimeve të tij, ai u burgos për 23 vite e gjysmë duke u shpallur fajtor për veprën penale agjitacion e propagandë. Prokurorët e akuzuan se shkruante poezi reaksionare dhe antikomuniste. Në 1990, Gumeni u lirua nga burgu si pasojë e ndryshimeve politike që u përhapën dhe në Shqipëri me shembjen e regjimeve totalitare komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore.
Në periudhën e pluralizmit politik në Shqipëri, ai ka kryer disa funksione shtetërore ku i fundit ishte në Autoritetin e Informimit për Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit. Ai njihet për qëndrimet e ashpra kundër sistemit aktual politik në Shqipëri si dhe për zvarritjen e hapjes së plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit që i përkasin kohës së diktaturës komuniste.
Gumeni deklaroi 4 vite më parë se në listat e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit ka emra që bëjnë pjesë në klasën e sotme politike. Daut Gumeni ka botuar disa librat: “Udha e ëndrrës” (poezi, 1998), “Mulliri i harruar” (përmbledhje me tregime, 2007), “Tranzicion apo trashëgimi” (publicistikë, 2011), “Sa larg është Danimarka!” (2011), “Shënime nga shkolla e partisë: pesë tablo që mund të shihen dhe si një roman” (2012), “Ku jemi e ku vemi” (2013), “Bletë dhe fishekë” (roman, 2014), etj.