Nga Anri Bala
Brohoritjet për SPAK dhe BKH, se ora e drejtësisë po vjen, tani janë shuar e harruar dhe zëvëndësuar me thirrjet: “Drejtësia vdiq…”, deri sa ra në dorë të atyre që erdhën nga lukunia e ujqërve të padrejtësisë, me një ndryshim… kishin ngrënë si miu e jo si ariu!
Ndaj shqiptarët ndjehen të turpëruar kur u kujtohet koha e humbur turpëruese, që me currle dhe lodra dilnin rrugëve për të bërë “dasëm”. Madje shumë kishin përgatitur dhe duvak e kuaj për drejtësinë nuse, që po vinte, por në fakt drejtësia nuk hypi kurrë në atë kalë, sepse kryedasmorët ishin ca dhjeracakë, që u pëlqente ahengu, por nuk u pëlqente logu dhe kuvendi.
Ndërsa pritej që BKH të ishte sinonimi i FBI-së amerikane, ajo jo nuk u bë, por humbi pa nam dhe nishan dhe çuditërisht struktura e drejtuar nga fqinji i Berishes dhe Monikës, në Gjirin e Lalzit, e ktheu SPAK-un në S’TKAP, kur rolin e hetuesit e morën në dorë si asetin e tyre hajdutët e opozitës LSI-iste.
Rrëshkitja rrokullimthi nga një strukturë drejtësie, në një derë ku mund të falen tenderuesit humbës, sikur të jetë auditi i KLSH, është vërtet pjesa më fyese për shqiptarët, që tregon nivelin e ulët dhe zhgënjyes ku ka rënë ëndrra për drejtësi.
Kur mendon se si trajtohen, mbrohen, paguhen dhe nderohen prokurorët e SPAK, të vjen turp nga vetja që je shqiptarë, që gënjehesh me tambure dhe fanfare të hedhur si fishekzjarrë, nga ata që nderojnë dhe përfaqësojnë lugën bosh të drejtësisë.
Struktura më e fuqishme dhe më e rrezikuar në Shqipëri, që do luftonte krimin dhe korrupsionin, tashmë është kthyer në një dordolec biznesesh dhe tenderash, duke treguar publikisht se e ka humbur rrugën në oborrin e shtëpisë së saj dhe po inkurajon “zotin kriminel” të mos trembet, se ajo nuk do e gjej kurrë portën e saj ku shkruhet: Strukturë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Vilat milonëshe të politikanëve që erdhën sikurse i përshkruan i madhi Ali Asllani: “…të pabrekë ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka”, të verbojnë sytë dhe të sfidojnë moralin dhe ndershmëria të turpëron.
Ndjehesh keq sa herë që të pyesin dhe nuk mund të përgjigjesh, se përse trajtohen si prokurorët e antimafias italiane shpura e disa njerëzve të trembur dhe pa asnjë vlerë, që vetëm drejtësi nuk bëjnë?!
Eshtë aq e pakuptimtë dhe qesharake gjendja kur soji i tyre hanë, pinë dhe rrjepin me mllef taksapaguesit shqiptarë, për tu thënë se po bëjnë drejtësi në emër të tyre, që “kriminelët” të mos na hanë arkën e peshkut, të përfitojnë ndonjë celular apo dy metra kanal, e pse jo edhe ndonjë shkallë zjarrfikseje.
Kështu ata mund të marrin edhe dekorata, se në fund të fundit “kanë punuar”… kanë arrestuar në emër të hakmarrjes një ish ministër dhe një ish deputet, që tradhtuan partinë, aty ku dekoratat jepen si këmborë… te Iliri.
Populli e di mirë, se gijotinat për tradhëtar i takojnë mesjetës dhe drejtuesit e SPAK apo BKH-së e kanë humbur sensin e kohës, duke e braktisur detyrimin ligjor që kanë, duke emëruar si pa dashje por me “guxim” skandaloz, pas “prokurores” Kryemadhi & Co shokun Ilir… kryetar i trupit gjykues.
Kështu që shqiptarët që kanë sy e vesh, më shumë se ato që i kanë zgjedhur e votuar, tashmë janë të bindur, se shpresa e tyre për drejtësi të re vdiq, pa u celebruar, që kur Lalëzi lulzon dhe të vërbon me shkëlqimin e arit të vjedhur, kthyer në aset, që kur daullja e SPAK dhe BKH-së u ça dhe “nuses së drejtësisë”, që udhëheqësit na trumbetuan aq shumë, i vjen erë e keqe mbi shalën e kalit të cofun të politikës zezane të së shkuarës./Ekskluzive.al