Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, Saimir Vishaj shprehet se ka ardhur koha që të dalin para drejtësisë të gjithë politikanët e përfshirë në afera, korrupsion dhe që janë të lidhur me krimin e organizuar.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, e teksa komentoi shtimin në listën e zezë SHBA të dy personave të tjerë, Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi, avokat Vishaj theksoi se SPAK duhet të fillojë indiciet për të marrë në përgjegjësi penale pse jo dhe arrest ndaj këtyre personave.
-Avokat Vishaj, kryeministri Edi Rama pak ditë më parë deklaroi se do të legalizohet kanabisi për qëllime mjekësore, ju jeni pro apo kundër legalizimit?
Ne kemi që në vitin 2016 që kemi ngritur zërin duke kërkuar legalizimin e kanabisit, në kuadër të një përdorimi mjekësor. Jemi pro. Besoj që hapja e kësaj mundësie do të ketë një kontroll nga qeveria për të ndërprerë veprimet e kundraligjshme.
Paralelisht me ligjin për legalizimin e kanabisit, duhet të përgatitet një amnisti për të gjithë personat që duke mos pasur ligjin për legalizimin e kanabisit, të parashkruhet pjesa e mbetur e dënimit. Kemi qindra persona që janë dënuar për shkak të mospasje të ligjit, në momentin që ligji del, pjesa e mbetur e dënimit të të burgosurve, duhet të konsiderohet e shlyer.
Kultivimi do bëhet në mënyrë të kontrolluar, nuk do kemi më raste sporadike të mbjelljes nëpër parcela, por do jetë e licencuar dhe e kontrolluar. Mendoj se ka ardhur koha edhe për legalizimin e prostitucionit, të gjitha duhet të kontrollohen nga shteti.
-Si i komentoni arrestimet e SPAK lidhur me korrupsionin?
Ajo që ne duhet që të presim nga SPAK është që të godas jo për të futur njerëz në burg por për të gjetur paratë, paratë për t’ia rikthyer qytetarit sepse ne jemi në një moment dhe themi që në Shqipëri mund të jetosh me 120 euro. Ne duhet që t’i gjejmë ata që qeverisin ose edhe ata që kanë qeverisur, që të thonë ku e kanë çuar lekun e pisët.
Nëse ne flasim për persona non grata duhet tu themi se këtë lloj pasurie të paligjshme, por jo vetëm ti merret, por edhe t’i ngrihet pasuria. Jemi në një moment që ish-kryeministri, presidenti kryeministri aktual, apo ministrat duhet që të heshtin para SPAK.
A ka guxim prokuroria që të shkoj tek një kryeministër apo ish-kryeministër, unë them që jo nuk ka. Në momentin që SHBA të shpall non grata kanë një lloj informacioni, dhe informacioni nuk është një provë indirekte, por është një provë direkte.
-Mendoni se do shkohet te politikanët e paprekshëm…
Shiko, ajo që duhet përshëndetur është fakti se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është iniciativa që ka guxuar të prekë titullarët e prokurorive, ministra, pse jo nesër le të presim që në rrjetën e SPAK të bjerë një president, kryeministër apo këdo qoftë që hyn në kategorinë e të paprekshmëve. Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj se koha që të shohim para drejtësisë politikanët dhe pushtetarët e lartë ka ardhur.
-A duhet të vihen në lëvizje institucionet shqiptare në momentin që një persona shpallet “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta hetojnë?
Një mesazh që e thash edhe më herët shumë të qartë është se këto pasuri dhe ato subjekte të cilat janë të dyshuara për trafik apo çdo lloj trafiku dhe pasuritë e tyre janë ato që shqiptarët duhet të jen të informuar se nga ka ardhur çdo lloj pasurie.
Nga personat e shpallur non grata deri më tani SPAK duhet që të filloj procedim dhe nuk është se ka nevojë për kallëzim penal që nga Dako etj, pra duhet që të flasim edhe për ata që janë në pozitë.
Unë vazhdimisht e kam ngritur zërin jo për ish-kryetar bashkie jo me ish-ministra, por me ata që janë në pushtet aktualisht për çdo lloj korrupsioni dhe pasurie të paligjshme.
SPAK nuk duhet të merret me ata që i ka kapur me një arkë peshk, por me ata që kanë vënë miliona në mënyrë të paligjshme.
-Sot pas 5 vitesh si e shihni ju vetingun. Ka qenë i suksesshëm?
Duhet të shpresojmë dhe t’i lëmë gjykatat dhe prokuroritë që të fitojnë pavarësinë, ku pushteti gjyqësor të ndahet nga ai politik, që edhe sot ky fenomen është prezent, pavarësisht implementimit të reformës në drejtësi. Pra kemi ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, çka e bënë këtë të fundit mosbesues.
Dhe së dyti ka shumë raste që gjatë procesit të rivlerësimit për subjekte të caktuar nuk është mbajtur një standard nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Kemi para që gjatë procesit të vetingut kemi parë që nga njëra anë janë larguar një subjekt i rivlerësimit për një pasuri të pajustifikuar, por është mbajtur bashkëshortja e tij gjyqtare. Ky për mua është problem shumë i madh. Pra kemi parë që janë dhënë dy standarde nga ana e organeve të vetingut.
-Ka zërë se edhe politika duhet të hyjë në veting, ju e mbështesni?
Për mua është i domosdoshëm vetingu në politikë. Ka ardhur koha që politikanët të hyjnë në veting, pasi deri sa procesi dhe kontrolli preku pushtetin gjyqësor, pse të mos prekë edhe pushtetin legjislativ dhe politik. Si politikani dhe gjyqtari apo prokurori janë në të njëjtë kushte dhe duhet të hyjnë në veting.
Megjithatë dua të theksoj se nëse politika dhe politikanët nuk e votojnë vetingun në portikë, i bie që kanë frikë. Askush nuk duhet të ketë frikë të vetohet, pasi nëse je i pastër je dhe nëse nuk je, nuk je. Pra një politikan nëse nuk justifikon pasurinë dhe ka probleme me anën morale, etike dhe integritetin, nuk duhet të jesh pjesë e politikës dhe pushtetit.