Ish-kryeministri Sali Berisha është treguar i hapur, por edhe i trembur për hetime nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Në një intervistë televizive, i pyetur se Rama ka lëshuar një mesazh kërcënues që SPAK të hetojë Berishën, ai tha se nuk njeh imunitet, pasi ka vepruar gjithmonë bazuar në ligje. Në një moment, ai qëlloi edhe tavolinën disa herë, teksa fliste.
“Unë do të vazhdoj çdo ditë më inceneratorët dhe i kërkoj atij çdo ditë që t’i kërkoj SPAK-ut të partisë që të veprojë kundër Berishës sepse unë kam vepruar me ligj, është krijuar një komision në ’97, hetoi dy vite dhe ishte i detyruar të vijë në Kuvend që të raportojë se qeveria nuk ishte e përfshirë në skemat piramidalë sepse ishte zbatuar vetëm ligji.
Nuk njoh parashkrim, njoh vetëm ligjin, nuk njoh imunitet”, deklaroi ai. Më tej ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar mënyrën se si do ta zëvendësojnë Enkelejd Alibeajn në krye të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Berisha tha se gjithçka do të bëhet sipas statutit.
Sipas Berishës, Alibeaj duhet të zëvendësohet nga nënkryetari i partisë i cili do të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar dhe në këto rrethana, pa u mbledhur Kuvendi i 30 prillit, pa u formuar Këshilli Kombëtar, nuk bëhet dot. Sipas Berishës, Alibeaj është në funksion të kryeministrit Edi Rama.
“Absolutisht pas asnjë diskutim që shumica dërrmuese e deputetëve njeh 11 dhjetorin dhe 6 marsin. Nuk ka asnjë diskutim por ka një problem, zëvendësimi i Alibeajt që nuk është më kryetar për ne, bëhet sipas statutit, duhet të zëvendësohet nga nënkryetari i partisë i cili do të zgjidhet nga Këshilli Kombëtar dhe në këto rrethana, pa u mbledhur Kuvendi i 30 prillit, pa u formuar Këshilli Kombëtar dhe Nën Kryetari që do të kryesojë grupin, ai rri thjeshtë në funksion të Edi Ramës por ai për grupin është krejtësisht i pavlerë”, nënvizoi dje Berisha ndër të tjera.