Avokati Spartak Ngjela ka bërë një analizë lidhur me situatën në të cilën ndodhet Shqipëria. “Në Shqipëri, Moska dhe Beogradi, duan destabilizim shoqëror, dhe këtë e kërkojnë mes foltoreve të Sali Berishës dhe veglave të tij antishqiptare”, shkruan Ngjela.
Postimi i Ngjelës
Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët në këtë kohë kur reaksioni sllav Beograd-Moskë është në luftë kundër Perëndimit?
Po politika amerikane dhe NATO, çfarë duhet të bëjë për të neutralizuar gjallërimin punist antiamerikan në Shqipëri?
l.
Në të vërtetë kjo, për shqiptarët, nuk është një luftë e re. Shqiptarët ka 600 vjet që kërcënohen, shfarosen, shpërngulen me gjenocid nga trojet e tyre prej pushtimeve serbe.
Por koha historike, në vitin 1999, e ndërroi kahun e vet dhe historia u përmbys për serbët. Ndërsa ndihma e madhe amerikane iu dha shqiptarëve shtetin e tyre të dytë: Kosovën.
Sot në Ballkanin Perëndimor janë dy shtete shqiptare, dhe kjo është një arritje shekullore, sepse shqiptarët më në fund e garantuan sigurinë e tyre drejt shekujve që do të vijnë.
Po shqiptarët sot çfarë po bëjnë?
Në Shqipëri, Moska dhe Beogradi, duan destabilizim shoqëror, dhe këtë e kërkojnë mes foltoreve të Sali Berishës dhe veglave të tij antishqiptare.
Në fakt, historikisht, ka një emërues të përbashkët në të gjitha grupet që kërkojnë shkatërrimin apo destabilizimin e një shteti apo të një shoqërie. Ky është interesi.
E pra, cili është interesi i grupit Berisha në Shqipëri, i cili po kërkon destabilizimin e Shqipërisë?
ll.
Ky është tërësisht një grup njerëzish të korruptuar që vijnë nga qeveritë Berisha 2005-2013.
Por, në këtë kohë, politika amerikane ka insistuar juridikisht me ligje të veçantë kryerjen e reformës antikorrupsion në Shqipëri.
Pikërisht këtu ka filluar reaksioni antikombëtar i të korruptuarëve, dhe po këtu e me këta njerëz ka lindur shpresa e Beogradit për të destabilizuar Shqipërinë e, madje, edhe Kosovën.
Arsyeja aktuale politiko-historike në rrafsh ndërkombëtar, është një kohë lufte midis Perëndimit dhe Rusisë në Ukrainë, dhe kjo e sjell në logjikë të kohës faktin e destabilizimit të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Politika ruse, po kërkon t’i japë mundësi Beogradit të ripushtojë Kosovën dhe të krijojë hegjemoninë e vet kundrejt botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Dhe po kuptohet se, pikërisht për këtë qëllim, destabilizimi i Shqipërisë me anë të aksionit antikombëtar të korrupsionit Berisha, është e vetmja shpresë e boshtit politik serborus për të destabilizuar Shqipërinë dhe Kosovën.
Po politika amerikane, çfarë po bën, në një kohë që Shqipëria është një vend i NATO-s dhe kur forcat antiamerikane po kërkojnë në Tiranë destabilizimin e Shqipërisë në favor të Rusisë?
Edhe politika e jashtme amerikanë, në këtë pikë, është në lartësinë e duhur.
lll.
Por pikërisht kjo është arsyeja politike e kësaj kohe që ka ngritur tensionet në Moskë dhe në Beograd. Gjithçka po luhet kundër Shqipërisë dhe Kosovës.
Në të vërtetë, çështja e Kosovës dhe Çamërisë shqiptare ka qenë në qendër të konflikteve botërore në shekuj. Por, sot, Shqiptarët janë në një aleancë të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ky fakt, përbën shqetësimin antishqiptar të forcave që kanë pushtuar territoret shqiptare. Janë disa shtete sllavësh kufitarë me Shqipërinë dhe Kosovës që, në shekuj, janë vendosur me dhunë në hapësirën ilirike të Arbërisë dhe që tani e dinë mirë historinë.
Në këto shtete, përjashtim sot bën Kroacia, sepse, përgjatë dy shekujve, kroatët e dinë që rreth 70 përqind e tyre janë me origjinë ilire, dhe prandaj janë në aleancë të ngushtë morale me shqiptarët.
Kurse, aleanca e fortë amerikano-shqiptare, në këtë kohë historike, po flet për një histori te re shqiptare në Ballkan. Dhe është pikërisht ky fakt historik që e ka hedhur Moskën edhe Beogradin në një politikë aktive drejt korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar në Tiranë që, me të, të ndryshojë kahun e politikës së jashtme në Shqipëri, nga Amerika në Rusi.
Të korruptuarit e sotëm të Shqipërisë, janë individë të identifikuar edhe nga politika amerikane. Dhe këta individë po kërkojnë të destabilizojnë Shqipërinë. Por janë të gjithë nën survejim dhe kontroll, dhe kot lodhen. Destabilizimi i Shqipërisë dhe Kosovës, nuk ka fare gjasë se mund të ndodhë.
lV.
Por, për faktin që destabilizimin e Shqipërisë po e kërkojnë edhe krerët e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, pyetja e këtij rasti historik është kjo: Si do të veprojë NATO dhe politika amerikane në këtë gjendje me tendenca antiamerikane të korrupsionit të lartë në Shqipëri?
Në fakt, antiamerikanizmi ka qenë doktrinë konstante e punizmit Hoxha në Shqipërinë komuniste. Dhe dihet që segmente të caktuara që kanë ardhur nga punizmi, pasi kaluan në qeveritë e Shqipërisë, që pas rënies së komunizmit, u korruptuan dhe, tani, si të tillë, janë kontigjente të Moskës dhe Beogradit
Kjo aleancë antikombëtare spikati hapur në vitin 2017 me çadrën Berisha kur, në favor të çadrrës, në Shqipëri kishin ardhur mbi 250 oficerë rusë që të destabilizonin Shqipërinë.
Dhe të gjitha këto kuptohet se janë aktive në analizat amerikane dhe të shtabit të NATO-s në Bruksel. Madje, nga fjalët e fundit të paradyditëve që shprehu ambasadorja amerikane në Tiranë, kur tha: “O të korruotuar! ju kemi të gjithëve nën kontroll”, kuptohet qartë se politika e jashtme amerikane po tallet me hajvanët e korruptuar albanezë që duan të shpëtojnë gjënë e vjedhur duke pritur nga Rusia.
Por gjithsesi, shqiptarët po presin goditjen e ashpër të korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar, e cila, për shumë arsye, kuptohet se do të jetë edhe një goditje ndërkombëtare.
Shqiptarët, me dy shtetet e tyre në Ballkanin Perëndimor, janë sot një moment kyç në konfliktin Amerikë-Rusi. Dhe, nën këtë kontekst, qeveria shqiptare duhet të rrisë me politikën e vet marrëdhëniet politike drejt Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët janë sot më se 1.4 milionë, në një popullsisë prej 2 milionë banorësh. Por gjithçka është fshehur në 30 vjet nga banditizmi sllav, i cili nuk i regjistron shqiptatrët dhe e ul në mënyrë artificiale popullsinë e Maqedonisë.
Por koha do t’i ndreqë të gjitha këto në favor të shqiptarëve.
Kurse, me Kroacinë, është detyrë politike e qeverive shqiptare që, për ngritjen e miqësisë në rangjet të larta, duhet të fillojë marrëdhënie politike në të gjitha fusha: politikë, ekonomi, arsim, shkencë, etj.