Kreu i komanduar i PD Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar se një pjesë e deputetëve të PD kanë marr ftesë për të shkuar në Uashington.
Kjo ftesë vjen në një kohë kur Partia Demokratike rrezikon të kontrollohet nga Sali Berisha, një person i shpallur non grata nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Ky sinjal alarmues që Berisha të rimarrë sërish kontrollin me PD duket se ka shtuar edhe përpjekjet e SHBA për të shmangur këtë gjë.
Një gjë e tillë duket se është edhe ftesa që disa deputetë të DP kanë marrë për të zhvilluar një vizitë në Uashington.
Kjo u konfirmua nga kreu i grupit parlamentar dhe kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj i cili tha se një ftesë e tillë është e vërtetë.“Jam në dijeni që disa deputetë të PD kanë marrë ftesë për të qenë në Uashington”, tha Alibeaj.
Enkelejd Alibeaj iu përgjigj akuzave të Sali Berishës i cili nuk e njeh atë si kryetar i grupit të PD. Alibeaj tha se qëndrimi i tij ndaj Berishës është i qartë.
“Është i tepërt apo jo, është e ditur për këdo se Berisha nuk ka qenë pjesë e grupit parlamentar sipas rregullores së Kuvendit në momentin kur legjislatura ka filluar dhe grupet parlamentare janë konstituuar.
Unë e thash për çdo propozim tjetër është për t’u diskutuar me frymë bashkëpunimi dhe gjithëpërfshirje. Unë e kam bërë të qartë qëndrimi tim ndaj Berishës, qëndrimi i tij ndaj meje është i qartë gjithashtu por kjo nuk është kjo çështja, por bashkimi i demokratëve që janë poshtë dhe përballja me regjimin e Ramës”, tha Alibeaj.
Ndërkohë, ndonëse platforma e tij u përball me kundërshtime të forta në grupin parlamentar, Enkelejd Alibeaj arriti që të siguronte 31 firma deputetësh që përkrahin planin me 6 pika për bashkimin e PD, të prezantuar dy ditë më parë prej tij.
31 emra Alibeaj i lexoi në një konferencë për mediat, ndërsa Xhelal Mziu zgjodhi t’i bashkohej pak orë më vonë kësaj platforme përmes një postimi në Facebook por që pasdite vonë e fshiu këtë postim dhe shpalosi platformën e tij të bashkimit.
Boçi: Kërkojnë të na përçajnë
Bashkimi i Partisë Demokratike nuk mund të bëhet me platforma individuale. Kjo pasi deputeti mbështetës i Komisionit të Rithemelimit, Luçiano Boçi, e cilësoi dje gjatë një prononcimi për mediat platformën e prezantuar nga Enkelejd Alibeaj, si një shpikje që nuk gëzon vullnetin e grupit parlamentar të demokratëve.
“Janë të karakterit subjektiv, ndonjëherë kanë prapavija të tjera të cilat lexohen nën rreshta dhe si të tilla kanë mungesë sinqeriteti që janë eko e zërit të Ramës, por nuk është ndonjë habi që ende ka zëdhënës Rama brenda nesh”, deklaroi ai.
Pas kërkesës së socialistëve për të nisur raundin e votimeve për presidentin e ri në 4 maj, në opozitën e kryesuar nga Sali Berisha nuk ka asnjë dyshim se në krye të shtetit kryeministri Edi Rama do të vendosë një prej të bindurve të tij.
“Rama në Shqipëri ka kapur të gjitha pushtetet dhe ato kushtetuese të pavarur dhe i kishte ngelur vetëm presidenti që do ta kapë nëpërmjet emërimit në atë post sepse zgjedhje nuk ka. Të jetë person që i bindet atij, nuk ka rëndësi se kush do të jetë”, u shpreh ai.
Por teksa kryeministrin Edi Rama e akuzon për intimidim të drejtësisë, pas deklaratës së SPAK duhet të nisë hetimet për “non gratën” e ish kryeministrit Sali Berisha, që akuzohet nga Departamenti Amerikan të Shtetit, për korrupsion dhe minim të demokracisë.
“Dukë intimiduar drejtësinë që ajo të bëjë një hap të gabuar në drejtim të një hetimi në erë që nuk ka një objekt të caktuar, por thjesht për të turbulluar dhe paksa situatat dhe për të mbajtur gjallë konfliktin brenda PD.
Ata që bëhen zëdhënës dhe nuk e kuptojnë që veprojnë si njerëz jo politik”, nënvizoi ai. Qëndrimet e tij, Luçiano Boçi i bëri pas zgjedhjes së kryetarit te ri të degës së Elbasanit, proces i nisur ky në të 71 degët e PD-së nga Komisioni i Rithemelimit.