Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi ka komentuara raportet mes mazhorancës dhe presidentit Ilir Meta, si dhe ndryshimet në Kodin Penal. Dje Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare, ku pavarësisht përplasjeve në distancë dhe debatit që shkaktuan propozimet e mazhorancës për ashpërsimin e masave në Kodin Penal për ata qytetarë që thyejnë rregullat e karantinës, këto ndryshime u votuan.
Ndryshimet në Kod që morën plot 88 vota, nuk kaluan sikundër kishte kërkuar shumica socialiste, por kaluan sipas variant të propozuara nga presidenti Ilir Meta, veprim ky që ka sjellë një farë qetësimi të marrëdhënieve mes mazhorancës dhe kreut të shtetit. Por gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH shprehu bindjen se pakti i arritur mes Partisë Socialiste dhe presidentin Meta u imponuan nga situata në të cilën ndodhet vendi për shkak të koronavirusit, ndërsa shtoi se kësisoj marrëveshjesh janë normale në këtë kohë.
Në këtë kontekst, zoti Klosi theksoi se qytetarët aktualisht nuk kanë nevojë për politikë, kështu që sipas tij, edhe politikanët e kanë kuptuar prandaj dhe kanë ulur shpatat. “Shiko! Situata në të cilën ndodhet vendi është e rëndë dhe për mendimin tim do të ishte gabim shumë i madh që në këtë kohë partitë politike dhe aktorët të bëni politikë. Pra, do ishte e gabuar që kjo situatë të shfrytëzohej për konflikte politike dhe për të nxjerrë përfitime nga politikanët të të gjitha anëve. Kështu që, fakti që Partia Socialiste pranoi të bashkëpunonte me Presidencën, duke marrë parasysh propozimet e presidentit Ilir Meta sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal më duket një veprim i drejtë. Kjo edhe për faktin se situata është e tillë dhe ta imponon një gjë të tillë, që qëndrimet e palëve duhet të jenë të ndryshme nga ato që ishin kur Shqipëria ishte në një situatë normale. Sigurisht, kjo është një situatë që të imponon “armëpushim” dhe kjo gjë është shfrytëzuar nga Iliri dhe Edi që përqafojnë, pasi nuk ka vend për politikë. Jemi në një situatë ku flitet për jetë njerëzish dhe politika ka dalë në plan të dytë”, deklaroi ai.
Më tej, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi teksa komentoi shtyrjen e afateve të komisionit hetimor për kreun e shtetit, u shpreh se marrëdhëniet Rama-Meta do të jenë ndryshe pas përfundimit të pandemisë së Covid-19. “Mendoj se gjëja më e mirë do të ishte që pasi të mbaroj kjo situatë, të gjendje një mirëkuptimi dhe të shikonim një bashkëpunim me të gjithë aktorët politikë. Kështu që, pavarësisht se siç thatë ju që mazhoranca shtyu komisionin hetimor për Metën, mendoj se situata nuk do të jetë sikundër ishte para disa muajsh, sa i takon përplasjeve mes shumicës dhe Presidencës. Kjo situatë na vendosi përpara shumë vështirësive, kështu që shpresoj që edhe politikanët të kenë nxjerrë mësim nga kjo gjë”, nënvizoi ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi.