Armando Broja, po kalon një prej momenteve më të mira në karrierën e tij. Vetëm 20 vjeç dhe ai figuron si golashënuesi më i mirë i kësaj moshe në kampionatin anglez, Premier League.
Pra, Sauthempton po i falet gjithnjë e më shumë sulmuesit të kombëtares së Shqipërisë, Armando Broja, me 20-vjeçarin i cili këtë edicion po shkëlqen, teksa ka realizuar 4 gola në Premier League. Ndaj Kristal Palace sulmuesi kuqezi dhuroi spektakël, duke realizuar një gol fantastik, që i mjaftoi skuadrës së tij për të marrë një pikë në këtë transfertë. Broja është lojtari që ka shënuar më shumë gola nga futbollistët 20 vjeç e poshtë.
Në të gjitha ndeshjet që ka shënuar Broja, Sauthempton nuk ka dalë duar bosh, duke marrë 3 barazime dhe një fitore. Kështu Broja shënoi golin e katërt në 6 ndeshje si titullar dhe mes futbollistëve 20 vjeç e poshtë, është lojtari që ka shënuar më shumë gola këtë sezon. Një vlerësim maksimal për sulmuesin pati edhe “Sofascore”, që i vendosi notën 7.3 pas ndeshjes, teksa më lart u vlerësua vetëm kapiteni Uard Prouse, me notën 7.5.
Trajneri i Sauthemptonit nuk i kursen elozhet për Brojën
Ralf Hasenhutl ka në organikën e Southempton një xhevahir si Armando Broja dhe trajneri 54-vjeçar nuk mund të jetë veçse shumë i lumtur për këtë fakt. Edhe në mbrëmjen e së mërkurës, ku “Shenjtorët” barazuan me rezultatin 2-2 në transfertë ndaj Krystal Palace, sulmuesi i kombëtares ishte protagonist kryesor për të tijtë.
Fillimisht, 20-vjeçari fitoi një goditje dënimi në hyrje të zonës që u shndërrua në gol nga shoku i skuadrës, Uard-Prose, ndërsa më pas realizoi vetë nga distanca. Për Brojën ishte goli numër katër në kampionat, duke u bërë edhe golashënuesi më i mirë për Sauthempton në këtë sezon. Kështu, pas ndeshjes, trajneri Hasenhutl lavdëroi futbollistin kuqezi, ndërsa theksoi se në fushë dallohet qartësisht se sa i rëndësishëm është Broja për skuadrën.
“Unë isha shumë i lumtur që Broja ia doli të rikuperohej në kohë për ndeshjen ndaj Kristal Palace, sepse nuk kishte garanci që mund të luante pas një dëmtimi në sfidën e kaluar. Pastaj, në fushë të gjithë e shohin qartësisht se sa i rëndësishëm është ai për skuadrën tonë. Në këtë moment na duhen të gjithë futbollistët, mund të ndodhë që për një ndeshje je jashtë skuadre, por në sfidën pasardhëse të duhet të luash sepse të gjithë janë të rëndësishëm”, u shpreh Hasenhutl.
Broja më efikas se të gjithë sulmuesit e Çelsit
Broja është i huazuar nga Çelsi në Sauthempton deri në përfundim të këtij sezoni dhe është duke bërë shumë më mirë se të gjithë sulmuesit e Çelsit para portës. Derisa Broja i ka shënuar katër gola në 13 paraqitje në Premierligë deri tani këtë sezon, Romelu Lukaku i ka shënuar vetëm tri, Kai Havertz dy dhe Timo Verner një. 20-vjeçari, produkt i akademisë së Çelsit, pritet të kthehet në “Stamford Bridge” nga sezoni e ardhshëm dhe të fitojë një vend në formacionin e Çelsit duke e parë formën që po shfaq. Për më tepër, Broja i ka shënuar dy gola në dy ndeshje në EFL Cup këtë sezon. Ai ka treguar formë të lartë edhe me kombëtaren kuqezi, duke i shënuar tri gola dhe dy asiste në shtatë paraqitje në kualifikime për Kupën e Botës 2022, shumicën si zëvendësues.