Edhe pse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë po qëndrojnë në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, një takim tre palësh nuk është arritur ende.
Arsyeja është se Beogradi dhe Prishtina kanë qëndrime të kundërta lidhur me temat që mund të diskutohen. Të dy delegacionet zhvilluan takime të ndara me të ngarkuarin e BE-së në dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajçak.
Ky i fundit në një postim në Twitter tha, se gjatë takimeve të ndara me Besnik Bislimin, kryenegociator i Kosovës, dhe Petar Petkovi , kryenegociator i Serbisë, ka përsëritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së, se “është i nevojshëm një përparim në ecurinë e dialogut”.
Pala kosovare inisistoi se tema kryesore duhet të jetë ajo e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Ndërsa, delegacioni serb doli me një komunkatë për medie, ku thuhet se ata kanë shkuar në Bruksel për të folur për Asociacionin dhe shtohet më tutje se “varet nga Prishtina nëse do të ketë takim tre palësh në Bruksel: BE – Kosovë – Serbi.
Zyrtarisht nga Bashkimi Evropian ishte njoftuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.
Dhe varësisht nga përparimet në bisedimet e delegacioneve që udhëhiqen nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkovic, varet nëse do të ketë edhe një takim të nivelit më të lartë politik.