Bashkë me pjesën tjetër të sistemit diellor dhe disa yje aty pranë, Toka mund të jetë bllokuar brenda një tuneli magnetik gjigant,dhe astronomët nuk e dinë ende arsyen. Disa astronomët propozojnë në një studim të ri, ekzistencën e një hapësire në formën e një tubi me fletë të mëdha të magnetizuara, 1000 vite dritë të gjatë dhe të padukshëm për syrin e lirë, që mund të rrethojë sistemin tonë diellor.
Xhenifer Uest, astronome në Institutin Danlap për Astronomi dhe Astrofizikë në Universitetin e Torontos, Kanada, e ngriti këtë hipotezë pas një investigimi të gjatë në 2 nga strukturat më të ndritshme që emetojnë valë radio në “lagjen” tonë galaktike, nga ku zbuloi se dy strukturat mund të jenë të lidhura edhe pse ndodhen në anë të ndryshme të qiellit.
“Nëse do të shohim lart në qiell, do të mund ta shihnim këtë strukturë të ngjashme me tunelin në gati çdo drejtim”- tha Uest në një deklaratë.
Lëvizjet e lakuara – të përbëra nga grimca të ngarkuara dhe një fushë magnetike, dhe që u ngjajnë litarëve të gjatë e të hollë – dalin pikërisht nga këto 2 rajone. “Litarët” e çuditshëm kozmikë mund të lidhin jo vetëm këto 2 rajone, por ata mund të formojnë diçka të ngjashme me “një tunel të lakuar”, ku tendat janë si”vijat e formuara nga dritat e tunelit dhe shënuesi i korsisë së rrugës”, thonë studiuesit.
Kjo do ta vendoste sistemin tonë diellor brenda tunelit gjigant magnetik, së bashku me një pjesë të vogël të Rrugës së Qumështit. Yjësia e Polit të Veriut, që shfaqet si një re e madhe e verdhë që shtrihet mbi rrafshin e galaktikës sonë, është një kreshtë gjigante gazi që lëshon rreze X dhe valë radio.
Rajoni në formën e një ventilatori është më pak i kuptuar, por prodhon shumë valë radio të polarizuara. Megjithëse këto rajone të pazakonta në hapësirë u zbuluan që në vitet 1960, kuptimi shkencor i tyre mbetet i pakët, dhe shumica e studimeve të mëparshme e kanë përshkruar veç e veç secilën strukturë.
Por duke bashkuar të dhënat nga vëzhgimet e valëve të radios në një model të ri kompjuterik, Uest dhe kolegët e saj përcaktuan gjatësinë dhe pozicionin e mundshëm të “litarëve” gjigantë. Modeli vlerësoi se këto të fundit ishin afro 1000 vite dritë të gjatë, dhe se strukturat ishin me shumë gjasa rreth 350 vite dritë larg nga sistemi ynë diellor.
Uest thotë se frymëzimi për modelin e saj i erdhi që në vitet kur ajo ishte studente. Vite më vonë, u nxit nga një studim i vitit 1965, që spekulonte mbi sinjalet e çuditshme të radios.
“Bazuar në të dhënat e papërpunuara të disponueshme në këtë kohë, autorët Mejuson dhe Milne, spekuluan se këto sinjale radio të polarizuara mund të lindin nga këndvështrimi ynë i Krahut Lokal të galaktikës, nga brenda saj. Ai studim më frymëzoi për të zhvilluar këtë ide, dhe për ta lidhur modelin tim me të dhënat shumë më të mira që na japin sot teleskopët tanë”- thekson Uest.
Këto fije kozmike nuk janë pikasur vetëm në pjesën tonë të universit. Në fakt, ato janë të kudondodhura në të gjithë galaktikën, dhe mund të rrezatojnë shumë lloje të ndryshme drite. Studiuesit vërejnë në studimin e tyre, se strukturat të tilla janë parë duke lëshuar dritë optike pranë mbetjeve të shpërthimeve gjigante yjore, apo supernovave; në retë molekulare; dhe në muret e “oxhaqeve galaktike” – zgavra të mëdha të krijuara nga shpërthime të shumta supernova, përmes të cilave gazi i nxehtë rrjedh nga disku në aureolën galaktike.
Në fakt, disa studime kanë shkuar aq larg sa të sugjerojnë se fijet spirale të gazit molekular, mund të jenë “eshtrat” që formojnë “skeletin” e Rrugës së Qumështit. Uest shpreson që duke e përsosur modelin, ai mund të përmirësojë aftësinë e astronomëve për të kuptuar fijet e tjera magnetike rreth galaktikës sonë. Një mundësi tjetër intriguese, është që“litarët” magnetikë të padukshëm të jenë një pjesë e vogël e një strukture galaktike shumë më të madhe. / Livescience – Bota.al