E lindur në djepin e artit shqiptar, në Shkodër, më 23 Shtator 1920, Maria vinte nga një familje e thjeshtë e punëtore. I jati Palok Çurçia ishte zejtar kurse e ëma Roza, shtëpiake.
Por babai i saj ishte një nga themeluesit e “Shoqërisë punëtore” një shoqëri sindikaliste. Që në vegjëli Marien e thirrën me përkëdheli Tushi. Ajo ndoqi shkollën femërore të “Motrave Stigmatine”, ne Shkoder, një shkollë që përmbante në programin mësimor edhe lëndë fetare fakultative.
Në gjimnaz filluan të duken prirjet e para, Maria vizaton bukur, këndon dhe më vonë fillon t’a shoqërojë veten me mandolinë ose kitarë, nuk i pëlqen matematika dhe lënda e Besimit. Por kënga e vizatimi ishin pasioni i moshës. Në Arkivin Privat Logoreci ruhen rreth 20 vizatime të asaj kohe në të cilat dëshmojnë një shpirt të butë e delikat dhe një raport fin me objektin që vizaton; dashuria, syri i mprehtë e vëzhgues, harmonia e ngjyrave dhe fantazia në vizatim të bëjnë të mendosh vetëm për talent.
Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhët italiane e malazeze, por ajo që ndikoi fuqimisht në shpirtin e saj dhe që la gjurmë përjetë ishte njohja që në vogli me zakonet, traditat dhe eposin e veriut. Njohja dhe më vonë studimi i këtyre zakoneve, mjedisit, folklorit e etnografisë u bë një pasion i ri për Marien.
Të atit kur i thoshin se Tushi është e shkathët si djalë, bisedon me të rriturit, këndon dhe i bie mandolinës shumë mirë, ai përgjigjej: – “Po, por nuk është djalë!” …Kujtonte kështu fëmijën e parë, djalin që i kishte vdekur.
Kujtimet nga fëmijëria
Duke shfletuar në arkivin e saj gjen fletoren e hartimeve të shkollës ku ajo shkruan tregimin: “Dje në Tiranë…sot në Shkodër…”
“Më 27 të Nandorit shkova në Tiranë me e pritë kremtjen e flamurit. Atje ndeja edhe do dit të tjera me e pa ma mirë kryeqytetin,…– dhe pasi përshkruan bukuritë e Tiranes, vazhdon – Mbasi e njofta mirë, ktheva në Shkodër e u kujtova se më kishte marrë malli për njato pak dit që ndenja atje.
Mandej thashë: dje në Tiranë sot në Shkodër, ma mirë sot se dje, se si i thonë një fjalës: Vendin e huej ta lëvdoshin, por mbrendë mos i shkosh.”
Nga Shkodra në Tiranë
Por nuk kaluan as 6 vjet dhe Maria shkoi përgjithmonë në Tiranë. Ajo u largua nga Shkodra në vitin 1937. Maria u martua në Tiranë me Kolë Logorecin i cili në atë kohë ishte kthyer nga Vjena ku kishte mbaruar studimet e mesme e të larta për ekonomi. Pranë “Miqve të muzikës” kishte ndjekur për pesë vjet mësimet për instrumentin e dashur të Vjenës, violinën.
Ai ishte ekonomist shumë i zoti dhe brenda disa vjetësh u bë Shef i Buxhetit të Shtetit dhe mori titullin më të lartë të kohës në Shqipëri “Kalorës i urdhërit të Skënderbeut”. Kola ishte djali i madh i atdhetarit e gjuhëtarit Mati Logoreci (Mësues i Popullit) një nga figurat e njohura të shoqërisë së kohës. Ai rridhte nga familja e njohur e Logorecëve që përmendet që në vitin 1300 me emrin Logoreseos. Në shtëpinë e Logorecëve Maria ra në kontakt me shoqërinë e kohës me bisedat e Matisë me Fishtën, Koliqin, Çabejin, Xhuvanin dhe me kujtimet për Luigj Gurakuqin, e Mjedën qe sapo kishte vdekur të cilin Matia e kishte djalë halle.
Në këtë mjedis pasioni i Maries gjeti terren që të zhvillohej dhe bota e saj shpirtërore e intelektuale u bë më e gjerë. Ajo filloi të mësojë nga i shoqi gjermanisht. Në pasionet e saj u fut edhe biçikleta. Bënte shëtitje duke shkuar me të shoqin me biçikleta shpesh në Durrës, por edhe deri në Shkodër.
Fillimet në karrierë si këngëtare
Jeta artistike e Marie Logorecit nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1945 ku këndoi si soliste, drejtpërdrejt në mikrofon, në emisione 20 minutëshe, këngë popullore të Shkodrës, të Shqipërisë së mesme dhe këngë partizane. Ndërkohë ndoqi një kurs njëvjeçar për kanto që u hap pranë Liceut Artistik në Tiranë, me pedagoge Jorgjia Trujën (Artiste e Popullit). Filloi të këndojë gjithashtu në koncerte që jepeshin në kryeqytet në raste të ndryshme. Në vitin 1947 bëri pjesë si soliste në korin e përgjithshëm të Shtetit me të cilin bëri turne edhe jashtë vendit.
Hapen dyert e Teatrit
Duke parë aftësinë interpretuese të Maries kur këndonte, i propozuan të punonte në Teatrin Popullor. Ky kalim ishte i vështirë edhe për Marien dhe për mjedisin. Por familja e emancipuar dhe i shoqi Kola luajti një rol të madh, duke e ndihmuar që ajo të ecte përpara, të zhvillonte talentin e saj. Kështu në Nëntor të vitit 1947 për Marien u hap perdja e jetës së vërtetë skenike, ajo tashmë ishte aktore e Teatrit Popullor. Rruga e saj skenike kaloi me përpjekje, por me kënaqësinë e përmbushjes së pasionit dhe suksesit.
Me punën e saj krijuese Marie Logoreci na ka dhënë një galeri të pasur figurash që nuk harrohen, për skalitjen me mjeshtri, për forcën shprehëse e realizmin. Gama e roleve të interpretuara nga Maria është e gjerë dhe e pasur në tipa e karaktere të afërt e të kundërt. Mjeshtëria interpretative dhe forca e saj emocionale janë shtrirë që nga anët më të ndritshme të shpirtit njerëzor deri në skajet më të errta, tek rolet Alisa Lengton, ne “Rrënjët e thella”, Kristina Padera, ne “Komplloti i të dënuarve”, Gertruda, tek “Hamleti”, Fatimja, te “Halili dhe Hajria”.
Bernarda Alba, tek Shtepia e Bernarda Albes , Lady Milford në “Intrigë e dashuri”, Gjela tek “Përmbytja e madhe” etj. Kush e ka parë e nuk u emocionua e nuk fshiu një lot të fshehtë nga interpretimi i Maries në Loken te “Toka jonë”.
Kështu në veprat e Shekspirit, Molierit, Lorkës, Gorkit etj., si dhe në veprat kombëtare të Kolë Jakovës, Ndrekë Lucës etj.,
Pioniere e kinemasë shqiptare
Maria ishte edhe pioniere e kinematografisë shqiptare. Ajo ishte interpretuese në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijet e saj” dhe në 12 filma të Kinostudios dhe Televizionit. Interpretimi i Marie Logorecit në film ruan deri në një farë mase tiparet e interpretimit skenik. Heroinat e krijuara nga Maria në film, janë figura të individualizuara, çka ruajnë vlerën e tyre në historinë e filmit shqiptar në raport me kohën.
Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj duke mbetur për artdashesin simboli i nënës shqiptare Lokja.
Rolet më të suksesshëm të saj sipas kritikes janë: Xhesi te “Çeshtja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te “Toka jonë”, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, Nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, Plaka te “Çatia e të gjithëve”, Nëna te “Cuca e maleve”, Gjela te “Përmbytja e madhe” etj.
I biri kujton
Po them fillimisht se Maria mbiemrin e saj e kishte Çurçia, një familje që vazhdon të jetojë në Shkodër e Tiranë, në Itali, në Mal të Zi dhe Serbi. Të njohur nga kjo familje janë Arqipeshkvi Luigj Çurçia, Gaspër Çurcia, trombisti dhe drejtuesi i orkestrës së muzikës së lehtë në RTSH. Në familjen Logoreci, Maria shkoi nuse. Logorecët kanë pasur dhe kanë njerëz të njohur, Arqipeshkvi Andrea Logoreci, Mati Logoreci gjuhëtar (nipi i Andreas), Kolë Logoreci economist (i biri i Matisë), Anton Logoreci gazetar (i nipi i Matisë), sot është Susan Logoreci, ilustratore (stërmbesa e Matisë).
Jeta e Maries ka qenë një jetë normale e intelektualeve të asaj periudhe, ku kryesisht familja merrej me preokupimet e mbarëvajtjes së shfaqjeve. Bisedat kryesore ishin gjithashtu të lidhura me artin. Shpesh babai i binte violinës, kryesisht valseve të Shtrausit. Shumë më rrallë Maria i binte mandolinës. Ajo gjithnjë e më tepër lexonte, dëgjonte muzikë. Unë meqë punoja në Radio Tirana (në atë kohë), kujdesesha që të regjistroja për magnetofonin muzikën që ajo donte, që ishin vepra klasike simfonike dhe operistike.
Me pak fjalë, jetën e Maries shokët e saj e kanë përcaktuar kështu: çohej shpejt, ushqente qentë, macet, pëllumbat, gatuante dhe nisej vonë për në punë. Sandër Prosi thoshte “Maria niset nga shtëpia në orën 9-të dhe do të arrijë në punë në 9-të pa pesë.”
Mbasditja gjithashtu ishte e ngarkuar edhe kur nuk kishte shfaqje, sepse kishte dëshirë ti ushqente vetë breshkat që mbante, të lagte lulet dhe në fund ulej të lexonte. Autoret e saj të preferuar, ishin Shekspiri, Çehovi, Balzaku, Dostojevski…
Kolegët dhe bashkëpunëtorët kujtojnë
“Loket e saj shqiptare janë të pashoqe, të papërsëritshme. Teatri ynë duhet ta quajë veten fatlum që pati një aktore si ajo. Dashuria për teatrin, vullneti, përkushtimi, zëri i saj melodioz, gjykimi i saj çudibërës janë mishëruar në një varg rolesh përmendore. S’ka pluhur t’i mbulojë ato, s’ka kohë dhe sistem t’i venitë. Kur ke thënë Marie, ke pohuar krijuesin dhe njeriun bashkë. Është e vërtetë që këto nuk shquhen te kushdo, veçse ajo dinte t’u shërbente që të dyve, dinte t’i shkrinte mjeshtërisht ato, duke i skalitur nga roli në rol”- shprehet Margarita Xhepa.
Pirro Mani ka shkruar: “Marie Logoreci s´pati rast të kryente shkollë teatri, por në sajë të talentit e punës këmbëngulëse, përvojës së madhe jetësore, u bë vetë shkollë për të tjerët, sidomos për artistët dhe regjisorët e rinj që i ndihmonte dhe i mbështeste pa u kursyer. Kryesorja që mësuam prej saj është vërtetësia e madhe e interpretimit, e krijimit të figurës artistike të personazhit. Ajo ishte gjithnjë e vërtetë sepse s´pranonte kurrë dicka që nuk e bindte fort, që nuk i “ngjiste” te vetvetja, e prej këndej buronte sinqeriteti dhe natyrshmëria e saj në interpretim”
“Eshtë për tu përmendur që shumica e roleve të interpretuara nga Maria kanë qenë role kryesore – është shprehur artistja e merituar Behije Cela, ….ajo që më bënte përshtypje te Maria ishte thjeshtësia e saj. Një aktore si ajo, me një galeri të larmishme rolesh, përsëri kurrë nuk pretendonte se bënte cdo lloj roli.”
Ndrek Luca, e ka përshkruar Marien me këto fjalë: “Maria ishte një aktore e madhe, me një individualitet të vecantë. Energjia, ekspresiviteti, dinamika, zëri i saj i bukur janë shfaqur me virtuozitet në shumë figura si Lokja, Tringa, Gjela e Alisa, Gertruda nga dramaturgjia botërore. Më kujtohet shpesh finalja e dramës Toka e Jonë, në të cilën Maria zbulonte tërë forcën e shpirtit të saj, të talentit të saj. Pas vrasjes së Murrashit, duke e përmbajtur dhembjen, i thosha nënës për herë të parë “Loke” dhe ajo më përqafonte me lot në sy, duke më thënë: ”Lekë, bir i nënës…” Ishte një përqafim sa prekës, aq dramatik, që më ka shoqëruar për vite të tëra.”
Aktorja Eva Alikaj për Marien: “… T´i transmetosh shikuesit të gjithë dramën shpirtërore, të tipizosh deri në detaje e në vijat themelore një tip shoqëror, të krijosh figura artistike përfaqësuese të një epoke të caktuar, sic arriti të bëjë aktorja jonë e madhe Marie Logoreci, do të thotë të kesh një pasuri të pafundme mjetesh shprehëse, një këmbëngulje të admirueshme dhe pasion të madh, një dashuri të jashtëzakonëshme për artin skenik, për njerzit.”
Shkrimtari Kolë Jakova për Marien: “…Marie Logoreci krijoi një galeri tipash nga më të ndryshmit. Pasi u luajtën “Prefekti” dhe “Halili dhe Hajrija”, ku Maria luajti role episodike, i erdhi radha dramës “Toka e Jonë”. Pandi Stillu si regjisor, une si drejtor dhe autor i dramës, menduam që rolin e Lokes t´ia jepnim Marie Logorecit. Për këtë nuk u gabuam. Maria e mori rolin me pasion të madh.
Ajo vec provave që bënte në sudio, punonte në shtëpi deri natën vonë. Një ditë më tha disi e hutuar: Ti po më cmendë. Unë tashti nuk shikoj tjetër vec Loken. Ajo më del edhe në gjumë. Nuk e di si do t´ia arrij këtij roli që e dua me gjithë shpirt…… Maria pati fatin të luaj me aktorë si Naim Frashëri, Loro Kovaci, Mihal Popo, Sandër Prosi ….Partneri i mirë të frymëzon. Ajo fliste dhe pa folur.
Ajo na mahniste edhe me qëndrimin e saj të heshtur. Maria ishte njohëse e shpirtit të popullit. Kur hynte në skenë e veshur me kostumin karakteristik malësor dhe me stap në dorë, qëndronte mbi një sukë të ngritur, dukej sikur vinte nga Iliria e lashtë dhe ngulej në mes të skenës si monument”
Aktorja Besa Imami ka treguar për jetën e saj në teatër me Marien: “ Me Marien po thuajse tërë jetën skenike kemi qënë në një kabinë. E njoha atë ashtu sic ish. E bukur, me sy, vetlla e flokë të zes. Tepër e gjallë, tepër e qeshur, me një gaz tingëllues. Me sy ekspresive si të Maries, qi ishin aq të ëmbël në butësi e aq të egër në inat. Ata sy i mbaj mend mirë, sepse shpesh më ka qëlluar të jem ballë për ballë me te në skenë si nënë e bije, si nuse e vjehërr, si motra, si shoqe, si armike….”
Aktorja Drita Pelingu: “….Natyrë gazmore, pak e zhurmshme, pak serdërlie dhe e rrëmbyer… në prova vinte çdo ditë me disa minuta vonesë (2-3 minuta). Apelit që bëhej përditë në studion kryesore i përgjigjej që tek porta e jashtme e oborrit – “Këtuuuuuu”. Gazi shpërthente në sallë..Hobi i saj: kafshët shtëpiake, lulet dhe gjelbërimi në kopshtin e vilës. Aty kishte dhe një nerënxë. Ajo mi binte me shportë dhe me mësonte ti bëja reçel.”
Shkrimtari Loni Papa shkruan: “Kur flasim për aktorë të mëdhenj, gjithmonë në ndiejmë se qënia e tyre shpërfytyrohet përpara shikuesit dhe humbet në botën e thellë të personazhit, ku edhe merr një shtrierje kohore, e me “magjinë” e rolit, hyn në ndjenjën e secilit. Kjo mund të thohet për aktoren Logoreci; jeta e saj u shpërbë dhe duhet kërkuar në jetën e personazhit. ……Do të kalojnë kohëra dhe drama “Toka Jonë” si një vepër madhore e teatrit tonë, do të rivihet e do të rivihet në skenë. Pa qenë skeptik, vështirë që ndonjë aktore e ardhshme të barabitet me Loken – Marie.”
Yllka Mujo: “Stili i M. Logorecit ka vulën e natyrës së saj. Karakteri dramatik, temperamenti, aftësia e rrallë komunikuese kanë gjetur shprehjen e tyre të plotë në të gjitha levizjet dhe në shqiptimin origjinal. Ajo di ti imponojë spektatorit figurën artistike të krijuar dhe këtë e arrin me të gjitha mjetet e arsenalit të saj aktoresk, që nga pasuria intonative e zërit e deri tek natyra e vet dinamike.
Aktorja ka arritur të njohë mirë, nganjëherë deri në virtuozitet forcën akustike të veprimit mbi spektatorin. Një pausë e zgjedhur në çastin e duhur, një fjalë e bashkangjitur me vend, për një aktore si Maria ka qënë një efekt shprehës që përdorej për të arritur një objektiv të caktuar ideoemocional.”
Vlerësimet
Marie Logoreci është vlerësuar disa herë për punën e saj artistike. Ajo mban titullin më të lartë artistik “Artiste e Popullit”. Në vitin 1995 nderohet me çmimin e “Karrierës” në Festivalin e Filmit Artistik. Në vitin 1997 dekorohet me çmimin e Madh të Nderit./AFP.Al/