Një avion dyshohet se ka dalë nga pista në Aeroportin e Rinasit. Sipas informacioneve të para, avioni nuk ka mundur të hapë rrotat gjatë uljes. Raportohet se avioni që ishte duke u ulur në tokën shqiptare, nuk kishte pasagjerë brenda.
Fatmirësisht piloti ka arritur që të ulë avionin pas shumë vështirësive, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar. Duke marrë shkas nga ngjarja në fjalë, janë pezulluar fluturimet përkohësisht në Rinas.
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka dalë me një njoftim lidhur me një incident të ndodhur sot në pistë.
Mësohet se një avion i vogël që kishte 4 persona në bord, shtetas zviceranë, bëri një ulje të detyruar pasi pësoi avari në sistemin e rrotave. Fatmirësisht nuk ka të lënduar dhe katër pasagjerët gëzojnë shëndet të plotë.
Për momentin gjithçka në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i është rikthyer normalitetit.
Njoftim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës njofton se në orën 16.15 të datës 28 Shtator 2021, një avion i vogël model Beechcraft me regjistrim zviceran HB-EFH, me 4 persona në bord, dy të rritur dhe dy fëmijë, të gjithë shtetas zviceranë, bëri ulje të detyruar në mes të pistës pasi pësoi një avari në sistemin e rrotave. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar dhe të katërt gëzojnë shëndet të plotë. Pasagjerëve u dha ndihma e parë menjëherë.
Pas lajmërimit të Organit Kombëtar të Investigimit të Incidenteve Ajrore dhe kryerjes së investigimit, avioni u zhvendos nga pista. Si pasojë, fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, u pezulluan për 1 orë e 45 minuta.
Për momentin gjithçka në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës i është rikthyer normalitetit. TIA mbetet në dispozicion të çdo pasagjeri dhe falenderon të gjithë udhëtarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin.