Kryeministrja serbe Ana Brnabiç iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme të OKB –së duke akuzuar Prishtinën se ka ndezur së fundmi një krizë të madhe me një demonstrim joracional të forcës. Sipas saj Beogradi mbetet i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje të bazuar në kompromis.
“Kjo spirale e dhunës në Kosovë arriti kulmin në fillim të kësaj jave ku me pretekstin e zbatimit të rregullave të reja të targave, Prishtina dërgoi forca speciale të armatosura rëndë në veri. Situata e re e provokuar është një shkelje tjetër brutale e marrëveshjes së Brukselit. Eshte ndërprerë furnizimi me ushqime dhe ilaçe për komunitetin serb në veri”.
Dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura janë mënyra e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, theksoi Kryeministrja serbe.
Ajo kujtoi se, gati nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, formimi i Bashkimit të Komunave Serbe, i cili është shtylla kurrizore e asaj marrëveshjeje – as që ka filluar ende. “Serbia”, tha kreu i qeverisë se Beogradit “është veçanërisht e angazhuar për të ndryshuar të ardhmen përmes punës së përbashkët dhe krijimit të një aleance, përmes iniciativave të tilla si Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur. Të tjerët po përpiqen të prishin këto procese, dhe në vend që të përqëndrohen në të ardhmen, ata duan të kthehen në të kaluarën – pavarësisht çmimit“, vuri në dukje Brnabić.
Kryeministrja serbe theksoi se numri i sulmeve ndaj serbëve, pronës së tyre dhe trashëgimisë fetare në Kosovë po rritet vazhdimisht.