Shtrohet sërish kërkesa për nisjen e ndërtimit të linjës hekurudhore Prishtinë-Nish. Kjo erdhi gjatë samitit të Hekurudhave të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Beograd.
Për ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinore dhe Infrastrukturës të Kosovës, Liburn Aliu, ndërtimi i saj do të kishte kuptim vetëm nëse lidhet me portin e Durrësit.
“Është kërkuar që të bëhet edhe një linjë tjetër, nga Prishtina për Nish. Kjo linja tjetër nga Prishtina për Nish, do të kishte kuptim vetëm nëse do të kishim me e lidhë Prishtinën me Durrësin. Prandaj, është e domosdoshme sot që të insistohet nga ne, por edhe nga Republika e Shqipërisë, sepse ka fonde të BE-së, që ta bëjnë linjën hekurudhore nga Prishtina në Durrës. Kjo nënkupton që do të kemi qarkullim të udhëtarëve, por edhe të mallrave, pasi që pritet që Porti i Durrësit të jetë një port i rëndësishëm i Mesdheut”, deklaroi ai.
Gjatë samitit në Beograd u nënshkruan dhe marrëveshje. “Traktati, i cili u nënshkrua ka të bëjë me harmonizimin e legjislacionit ndërmjet vendeve, ka të bëjë me modernizimin e korridoreve dhe linjave hekurudhore në mënyrë që të mundësohet një komunikim dhe një transport normal mes vendeve të Ballkanit. Problemet e shumta janë pikat kufitare, pra në këtë rast, është edhe çështja e mënjanimit të procedurave nëpër pika kufitare”, shtoi Aliu.
Kjo nuk është hera e parë që Kosova dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje të tilla. Më 14 shkurt të 2020-s, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit u dakordësuan për ndërtimin e autostradave dhe linjave hekurudhore përmes të cilave, palët shprehën gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, gjithashtu edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me vendete rajonit dhe Bashkimit Europian.