NGA RIGELS SELIMAN
Mazhoranca qeverisëse nuk ka humbur kohë sa i takon rrudhjes së kompetencave të presidentit Ilir Meta. Kreu i shtetit prej disa kohësh ka nisur një luftë të fortë me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe ka futur në kaos Gjykatën Kushtetuese me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare të saj.
Ndërkohë që në disa raste përmes vendimmarrjeve të tij ka bllokuar edhe ecurinë e reformës në drejtësi. Por duket se pas 3 shkurtit presidenti Ilir Meta nuk do ta ketë më të lehtë të bëjë të tilla manovra, pasi Partia Socialiste do të kufizojë disa prej kompetencave të tij, duke e izoluar totalisht.
Gazeta ka siguruar axhendën e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, teksa në datën 27 janar priten që të diskutohen dy draftet e mazhorancës që synojnë shmangien e bllokimit të reformës në drejtësi. Më konkretisht, të hënën që vjen në orën 11:00 tek Komisioni i Ligjeve do të diskutohet projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar”” dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar””, propozime këto që vijnë si nisma deputetësh.
Pas kësaj, sipas axhendës dy projektligjet pritet që t’i përcillen Kuvendit për votim, teksa parashikohet që në seancën plenare të datës 3 shkurt të këtij viti ato të marrin dritën jeshile nga deputetët. Kjo do të thotë se pasi të miratohen këto ndryshime në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe atë për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, presidentit Ilir Meta, pas 3 shkurtit nuk ka asnjë shans që të bllokojë reformën në drejtësi.
Ja si do izolohet Meta
Interesant është fakti se në dy projektligjet që pritet të diskutohen në datën 27 janar tek Komisioni i Ligjeve, të cilët rrudhin kompetencat e presidentit Ilir Meta, socialistët propozojnë ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i dhënë zgjidhje së pari çështjes së SPAK. Me ligjin aktual anëtarët e SPAK betohen tek Presidenti i Republikës, por me ndryshimet e reja që kanë bërë socialistët, prokurorët dhe gjyqtarët që do luftojnë korrupsionin nuk kanë nevojë të presin t’i thërrasë presidenti për betim, pasi kjo kompetencë i është hequr plotësisht Ilir Metës.
“Mandati i prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme fillon në datën e ngritjes së tyre në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”, thuhet në draft-propozim. Pra, këto ndryshime kanë vlerë për anëtarët e tjerë që pritet t’i bashkohen SPAK, pasi 8 anëtarët e zgjedhur të kësaj strukture u betuan në Presidencë. Ndërkohë, ndryshime socialistët kanë bërë dhe sa i takon anëtarëve të Gjykatës së Lartë, teksa propozohet që këta gjyqtarë të betohen pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe jo pranë Presidentit të Republikës. Por përveç ndryshimeve në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mazhoranca ka propozuar ndryshime edhe në ligjin aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kështu, socialistët propozojnë që paragrafi i parë i nenit 8 të ligjit aktual për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të ndryshohet, duke i vënë presidentit një afat prej 10 ditësh për të ftuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që të betohen në Presidencë dhe nëse kjo nuk ndodh, anëtari ja dërgon betimin të shkruar, sikundër bëri Arta Vorpsi. Sipas asaj që thuhet në draft, nga momenti që anëtari i Kushtetueses ia dërgon betimin me shkrim presidentit, quhet gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese. Pra, duket qartë që mazhoranca nuk po humb kohë, pasi është e vendosur të izolojë presidentin Ilir Meta, teksa ky i fundit nuk do të ketë më kompetenca si më parë dhe nuk do të ketë më asnjë shans që të bllokojë reformën në drejtësi.