Ka hapur polemika në të gjithë botën, por edhe në Shqipëri, deklarata seksiste e prezantuesit ‘Amadeus’ për partneren e Valentino Rosit, gjatë prezantimit të emrave që do të drejtojnë këtë vit ‘Sanremo’-n .
Teksa po prezantonte Francesca Sofia Novellon, Amadeus u shpreh se e kishte zgjedhur për të prezantuar, ngaqë ajo ishte e bukur dhe qëndron pas një burri të madh si Rosi. “Këtë vajzë shumë të bukur, që të gjithë e dinim se është e fejuara e të madhit Valentino Rossi, e zgjodha sepse pashë te ajo njëkohësisht bukurinë por edhe aftësitë për të qenë pranë një njeriu të madh, duke qëndruar një hap pas, pavarësisht moshës së re”, ka qenë komenti i Amadeus, që ka sjell shumë reagime.
Kumbaro, tha disa ditë më parë, se “Sanremo” duhet bojkotuar, teksa deklaratën e sqaroi edhe tek Mustafa Nano, në Provokacija. Kumbaro tha se e tmerron fakti që Amadeus i cilëson ato vajza si objekte.
Deklarata e Kumbaros që hapi debat:
A thua të jemi vërtet në vitin 2020 ?!?! Kam gati 3 dekada që thuajse nuk e ndjek më Sanremon, qysh kur Liria e pas viteve 90’, na dha mundësinë e zgjedhjeve përtej spektaklit bardhë e zi me “mizat” e antenave “kanoçe” që na mundesonin zbulimin e festivalit të këngëve italiane, dhe përtej këngëve të Eurovizionit që na lejonte me pikatore diktatura.
Por më trondit fakti që ndërsa muzika e arti ndjekin rrugën e tyre përpara, mizogjinia, seksizmi dhe injoranca mbajnë me kokëfortësi vendin e parë në skenat popullore, për të ruajtur egzistencën e tyre përmes vezullimit të xixave dhe broçkullave të injorancës.
Nuk është thjesht një idiot i radhës që flet, por një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë së shekullit XXI që fatkeqësisht zë ende një hapësirë të madhe publike duke mbajtur peng dritat e skenës.
Gruas i kërkohet vetëm të jetë e bukur! Asnjë meritë tjetër! Sepse “gratë duhet të kakarisin vetëm në kotec”, thoshte Kapedani…
Ndërkohë, jam e bindur, pa i njohur, se zonjat që ka në krahë duhet të kenë shumë më tepër cilësi dhe aftësi se sa vetëm bukuria e tyre. Prandaj ato duhet të flasin! Do bindin më mirë shoqërinë!
#BOJKOT
As këtë vit, si në këta 30 vjet, s’kisha ndërmend të jepja nga koha ime për të ndjekur ditët e Sanremos, dhe s’besoj se jam e vetmja.
Ama, kësaj radhe do e shoqëroj edhe me thirrje për #BOJKOT !
Rruga për emancipim është ende shumë e gjatë. Dhe jo vetëm në Shqipëri!
Të paktën s’jemi vetëm në këtë hall të madh.