NGA KLITI TOPALLI
Shtohen sinjalet se me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të nisë një epokë e re në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në SPAK janë të njëjtët emra që kanë qenë te Krimet e Rënda dhe kjo ka bërë pesimistë shumë persona, por BKH duket se do të jetë ndryshe.
Ky organ do jetë policia gjyqësore e SPAK dhe nëse kopsiten dosjet aty me prova dhe fakte, nuk ka gjykatë e prokurori që shpëton politikanë dhe bosë krimi. Për këtë arsye SHBA po investon te BKH.
Arben Kraja hapi garën për drejtues të BKH dhe duket se kanë nisur aplikimet e para. Gazeta ka mësuar se janë 7 emra që deri më tani kanë dorëzuar dosjet për të marrë frenat e FBI-së shqiptare. Mes emrave, 4 janë prokurorë, policë dhe Oficerë të Policisë Gjyqësore. Ndërsa 3 janë shtetas shqiptarë që jetojnë në SHBA. Edhe këta me profesione prokurorë, gjyqtarë apo avokatë. Mes emrave që kanë shfaqur interes nga SHBA është ai i ish-zv/Kryeprokurorit Fatos Dervishi. Ai mbajti këtë post nga viti 1994 deri në vitin 1998. Gjatë kësaj periudhe ka pasur në ngarkim shumë dosje të bujshme, mes të cilave ajo e arrestimit të Fatos Nanos.
Dervishi ishte ai që hetoi dhe arrestoi ish-kreun e PS së asaj kohe. Në vitin 1998 ai emigroi në SHBA dhe u vendos në New York. Në shkurt të vitit 2006 ai kaloi provimin e avokatisë në shtetin e New Yorkut. Aty ai ka krijuar një studio ligjore të njohur duke dhënë shërbime avokatie dhe konsulence. Dervishi shfaqi interes për të qenë pjesë edhe e organeve të vetingut, por u skualifikua në atë kohë. Mbetet të shihet tani se çfarë do të vendosë SPAK. Sipas informacioneve, në Prokurorinë e Posaçme është ngritur komisioni që do të përzgjedhë kreun e BKH, anëtarët e të cilit janë: Arben Kraja, Ened Nakuçi dhe Behar Dibra.
Emrat e tjerë
Gazeta ka mësuar se pranë Prokurorisë së Posaçme kanë shfaqur interes dhe disa emra të tjerë të njohur. I pari është prokurori Adnan Xholi. Ai është folur prej kohësh se do të jetë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Emër tjetër është Artan Shkëmbi. Ai mban postin e kreut të njësisë Task-Forcë në Policinë e Shtetit. Një tjetër emër që ka shfaqur interes është Edi Bardhi, pjesë e Policisë Gjyqësore pranë ish-Krimeve të Rënda. Një tjetër emër që përflitet se do të jetë në garë është Gledis Nano. Ky i fundit është drejtori i Njësisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit. Po ashtu gazeta ka mësuar se kreu i Policisë Ardi Veliu ka zhvilluar takime me përfaqësues të Policisë Gjyqësore dhe Policisë së Shteti ku ka kërkuar që të ketë më shumë interes për BKH dhe bashkëpunim me SPAK, për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Gara për në BKH
Gara për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimi do të mbyllet brenda 31 dhjetorit dhe më pas 3 anëtarët e komisionit do të përzgjedhin kryetarin. Ajo që duhet theksuar është se BKH do të jetë në dorë të amerikanëve dhe sipas burimeve do të ketë konsultime me ta. Ndërkohë, përveç Fatos Dervishit janë dhe dy emra të tjerë që janë shqiptarë me origjinë, por që jetojnë dhe kanë nënshtetësi amerikane, të cilët kanë shfaqur interes. Fakti që kemi 3 emra nga jashtë që kandidojnë është një sinjal se SHBA do të vendosë dikë të trajnuar prej tyre, me qëllim që të nisë reprezalja ndaj pushtetarëve.