Nga Viron Gjymshana
Vëllazëria vëllazëri, por qesja të shkojë e të vijë!
Është kjo një shprehje e moçme shqiptare që i vinte kufirin te thana ndërhyrjeve të padobishme të vëllezërve në punët e njëri –tjetrit. Një fjalë e urtë kjo e lindur nga përvoja e gjatë shekullore e popullit tonë. Aq më shumë kur bëhet fjalë për dy vëllezër të rritur, që kanë ngritur secili shtëpitë e veta.
Sepse Shqipëria dhe Kosova janë sot në të vërtetë dy shtëpi të ndara. Si dy vëllezër që jetojnë veç e veç. Gjaku mbetet i përbashkët, por problemet janë të veçanta. Secili ka jetën dhe kokëçarjet e veta. Për më shumë që këta dy vëllezër as nuk janë rritur bashkë.
Njëri është rritur nën kërbaçin e një « kryeplaku » të egër dhe tjetri i rritur në një internat, ku më të mëdhenjtë e shtypnin dhe e poshtëronin ! Në këto kushte ëndrra e tyre e përbashkët ishte të çliroheshin nga shtypja dhe të afroheshin sa më shumë me njëri tjetrin. Por siç ngjet në çdo familje vëllezërit shpesh herë kanë karaktere dhe « tabjate » të ndryshme.Pa folur këtu për shijet e veçanta të krijuara gjatë rrugëtimit të rritjes së tyre.
Kështu po ngjan sot edhe ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Të ethshëm për tu njohur dhe dashur më fort, por edhe të stepur ngaqë kanë jetuar disi larg njëri tjetrit për një kohë të gjatë.
Shtëpitë i kanë pranë e pranë, por në mes të një lagjeje ku jetojnë dhe familje të tjera. Me shtëpi disakatëshe, më solide dhe që bashkëpunojnë me njëra tjetrën kur ua kërkon interesi.
Dy vëllezërit shqiptarë po përpiqen që edhe ata të arrijnë fqinjët në nivel jetese dhe përparim. E dinë po ashtu që po të bashkohen do të jenë më të fortë, më të pasur dhe më të respektuar. Edhe fqinjët e dinë këtë dhe nuk ndjehen shumë të lumtur nëse « vëllezërit » e heqin gardhin që i ndan oborret e tyre.
Ideja e fundit e tyre është krijimi i një oborri të përbashkët, të hapur, ku mund të qarkullohet lirisht dhe të shkëmbehen prodhimet e tyre të « kopështit », por që ofron mundësinë edhe të dialogut dhe bisedimeve.
Njëri nga vëllezërit e pranon këtë ide, tjetri është më mosbesues. Disa nga këta që ofrojnë sot paqe dhe prosperitet ai i ka pasur në internat dhe e di çfarë ka hequr prej tyre!
Që të flasim konkretisht dhe pa aforizma. Sot jemi një komb i ndarë në dy shtete. Por shumë më mirë sesa ishim para 50 apo 100 vjetëve. Kjo falë edhe miqve tanë ndërkombëtarë. Të cilët sot kërkojnë dhe këmbëngulin që lufta të zëvendësohet nga paqja. Që pa harruar të kaluarën vështrimi të hidhet drejt së ardhmes. Që Ballkani të kthehet në një treg të hapur që të thithë edhe investimet e huaja. Por po ashtu të mundësojë rritjen ekonomike të të gjitha shteteve që do marrin pjesë në këtë nismë. Këtu si për Uashingtonin, aq edhe për Berlinin dhe Brukselin nuk duhet të ketë dilema dhe mëdyshje.
Por siç u nënvizua në fillim të shkrimit vëllezërit nuk duhet t’i fusin hundët në punët e njëri tjetrit. Konkretisht ndërhyrja e Kurtit në politikën e brendshme të Shqipërisë ishte një veprim, në rastin më të mirë i papjekur, në rastin më të keq tepër i dëmshëm për kohezionin kombëtar. Aleanca e tij me Berishën dhe Metën u prit negativisht dhe me neveri nga shumica dërrmuese e popullit shqiptar.
Udhëheqësi i dikurshëm i Kosovës, Ibrahim Rugova, sikur i kishte parashikuar përplasje të tilla kur deklaronte pa pushim para Parlamentit Europian se Prishtina do të mbante marrëdhënie të barazlarguara nga Tirana dhe Beogradi. Megjithatë historia dhe praktika ka dëshmuar se kur vjen puna për të ruajtur “arat e babait” vëllezërit duhet detyrimisht të bashkëpunojnë. Sepse para se të bashkëpunosh me fqinjin duhet të bisedosh me vëllain tënd. Aq më shumë kur fqinji i ka rënë në qafë prej kohësh njërit prej vëllezërve!
Pyetja shtrohet : A duhet që Shqipëria të merrte pjesë në Ballkanin e Hapur pa u dakordësuar më parë me Prishtinën. Dhe përgjigja është « Po ». Sepse kryeneçësia dhe inatet e vjetra nuk të lënë kurrë të shohësh përpara.
Të ngresh sot një furtunë në gotë në mbarë Kosovën se në një qytet të Shqipërisë po vjen për të marrë pjesë në festën e birrës një këngëtar serbo/kroato/boshnjak, kur po ky këngëtar ka performuar pa u qederosur njeri në Tiranë që në vitin 2006, kjo nuk mban erë të mirë.
Prandaj vëllazëria vëllazëri, por qesja të shkojë e të vijë. Pra secili zot në shtëpinë e tij, pa i futur hundët në punët e njëri tjetrit. Megjithatë për të mirën e përbashkët ndonjëherë nevojitet edhe një ndërthurrje e qëndrimeve brenda familjes para se të negociosh me komshiun ! Por me urtësi, dashuri dhe respekt të përbashkët.