Nga Luan Banushi
Vëllau im kosovar,
E lexova me vëmendje shkrimin tënd. Në të gjej elemente të përçarjes mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës. Në të ka shumë hidhësi, akuza të rënda, mllefe, fyerje, etj. Ndërsa unë në përgjigjen time do të jem i ashpër, mos u mërzit vëlla, na bën mirë.
Po i analizoj një nga një çështjet që ngre.
Kështu në shkrimin tënd, në pikat 1 dhe 2, thua:
“Ne nuk presim nga ju se asnjëherë nuk na keni ndihmuar neve të Kosovës, as të Maqedonisë, as të Malit të zi. Nganjëherë se nuk keni pasur fuqi, por në shumicën e rasteve, sepse keni parë interesin e ngushtë. Po flas për shtetin shqiptar, jo për njerëzit e thjeshtë.
Me këtë argumentin edhe Serbia nuk duhej të ndihmonte serbët në Bosnje, Kosovë, apo në Mal të Zi… Ata shpenzojnë miliarda euro për njerëzit e vet. A janë pra ata budallenj apo juve nuk ju intereson kombi juaj?”
Shkrimin e ke nisur në numrin shumës, pra, flet në emër të të gjithëve, “…neve të Kosovës”, thua. Siç besoj e di, nuk na takon, as mua e as ty, të flasim në emër të të gjithëve, ne nuk përfaqësojmë askënd përveç vetes, prandaj duhet të flasim vetëm në emrin tonë, si i mendojmë gjërat ne vetë, kështu nuk krijojmë keqkuptime e nuk hidhërojmë pa vend të tjerët. Bie fjala, unë nuk besoj se mendojnë kështu si ti të gjithë shqiptarët e Kosovës. Po ta lexojnë letrën tënde me siguri nuk do të jenë në një mendje me ty.
Përveç kësaj shihet qartazi që bën një ndarje në dy palë, Ne dhe Ju, “Ne nuk presim nga ju”, thua. Ne nuk jemi dy palë, vëllau im, jemi një, por të ndarë në dysh, jo për fajin tonë.
Natyrisht nuk mendoj se i ke shkruar qëllimisht, ndoshta për ty është mënyrë të shprehuri, por i theksova se duhet të mësohemi të flasim drejt, që të mos lëndojmë të tjerët.
Qahesh, vëllau im, se nuk ju kemi ndihmuar sa duhet me para, se kemi parë interesin tonë të ngushtë, bën dhe digresion, shteti shqiptar është treguar i padrejtë, thua, jo njerëzit e thjeshtë. Madje e ke shtuar shumë hidhësinë, “…nuk ju intereson kombi juaj?”, bën pyetjen fatale.
Me ç’di unë, ne shqiptarët e Shqipërisë asnjëherë nuk kemi qenë shtet i fuqishëm, pra nuk kemi pasur para mjaftueshëm për të ndihmuar shqiptarët jashtë kufijve tanë gjatë të gjithë historisë sonë shtetërore.
Nga ana tjetër, ne kemi jashtë kufirit dy të tretat e kombit dhe jo pakica, siç kanë serbët. Kosova është sa vetë Shqipëria si popullsi, shtoji shqiptarët e Maqedonisë, ata të Malit të zi, të Çamërisë?, a nuk duket barrë e pamundur edhe sikur të ishim shtet i fuqishëm? Ne nuk kemi lidhje parash me njëri-tjetrin, vëllau im, ne kemi lidhje gjaku. Kjo e dëshmuar jo një herë gjatë historisë tonë të hidhur.
U ndjeva keq që ke marrë shembull për mirë pikërisht armiqtë tanë, serbët. Nuk krahasohen ata me ne. Ne jemi qiellorë, por të pakët në numër e të sulmuar nga të gjithë, deri para pak kohësh. Gjithsesi dihet se Serbia ka qenë dhe është shtet shumë më i fuqishëm se ne dhe gjithnjë ka pasur ndihmë nga rusët.
Sa për atë që e ke me shtetin dhe jo me shqiptarët e thjeshtë, duhet ditur se shteti nuk është entitet që prodhon para, shteti paratë ua merr shtetasve me anë të taksave ose merr borxhe që i paguajnë po qytetarët e thjeshtë. Në këtë kuptim, nuk mund të veçohen shteti nga njerëzit. Pra, nuk mund të kërkohen para sikur ato janë aty po nuk duan t’i japin shtetarët. Edhe kur gabon (bën faj) një shtetar, nuk duhet të themi ka gabuar shteti, por filan shtetar, gabimi apo faji ka emër. E keqja ka emër, kush e bën në shumës ka prapavijë, ka qëllime të errëta. Po qe për të mirën, vëre në shumës, nuk mërzitet e mira.
Pamundësia e financimit të të gjithë shqiptarëve jashtë kufirit shtetëror nuk e bën shtetin shqiptar dhe shqiptarët brenda kufirit të painteresuar për shqiptarët jashtë kufirit. Është një pamundësi objektive, që duhet të mirëkuptohet nga shqiptarët kudo që ndodhen edhe nga ti vëllau im, nuk është se shihet interesi i ngushtë. Ju në Kosovë, në fakt, keni qenë në gjendje më të mirë ekonomike se ne, për shkak se aty tek ju nuk u hoq prona private si tek ne.
“Asnjëherë nuk na keni ndihmuar (me para)”, thua. Jo vëllau im, sa herë ka qenë e nevojshme dhe e mundshme ne kemi qenë krah jush (jo me para, por me diçka më shumë). Kështu kemi çliruar Kosovën në luftën e dytë botërore, ku kanë rënë dëshmorë rreth 350 partizanë, gjithashtu kemi marrë pjesë në luftën e UÇK-së në 1999 dhe kemi pasur dëshmorët tanë aty. Me krenari po të njoftoj se kushëriri im Dilaver Goxhaj ka qenë në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së.
I hapëm dyert të gjithë shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës me serbët, sa që e habitëm, por dhe i vërtetuam botës që edhe pse ishim rreth një shekull të ndarë, ne jemi një popull. Një shekull ndarje dhe ne u sollëm sikur të kishim qenë gjithnjë bashkë, ka provë më të madhe që ne jemi një popull, një komb? Këto janë ndihma prej vëllau. T’i harrosh këto, të harrosh gjakun e derdhur nuk është thjesht mosmirënjohje, është ligësi. Serbët nuk e besonin se ne do të silleshim si një komb i vetëm, ndarja e gjatë përligjte pritshmërinë e tyre, por kur panë reagimin tonë, ata menjëherë iu vunë punës për të na përçarë. Kanë njëzet vjet që punojnë për të na përçarë dhe duket se kanë arritur suksese jo të vogla.
Në vijim thua:
“Sa për vuajtjet tona nuk i heshtim, sepse me hesht është të nëvlerësosh vetveten. Nëqoftëse ju do të ishit tamam në kokë, ju edhe për vrasjet e masakrat në veri të Shqipërisë nga serbët në vitet e para të shekullit 20 kishit kërkuar falje, po s’jeni. Serbia edhe sot gënjen për ne shqiptarët kinse u kemi marrë organet në Shqipëri e ju injorantët bëheni sikur s’ka gjë që ata po duan të na dëmtojnë imazhin. Mos të flasim për gënjeshtrat e tjera të tyre”.
Këtu, vëllau im, ke kaluar në çështje historike, që tregon se e keqja ka hyrë thellë, por me ç’shoh, t’i kanë mësuar gabim. Na kërkon që të kërkojmë falje, për masakrat në veri të Shqipërisë, ndjesë që nuk di se çfarë masakrash janë bërë në fillim të shekullit të njëzetë në veri, di që në këtë periudhë janë bërë masakra në jug, në Korçë dhe në Gjirokastër nga andartët grekë, veç nëse e ke fjalën për masakrën e Tivarit. Për këtë masakër di të them vetëm kaq, nuk është masakër e bërë nga shqiptarët. Është e rëndë t’u ngarkosh shqiptarëve të tu një masakër të tillë. Nëse mund të kritikohen qeveritë që nuk e kanë ngritur zërin aq sa duhet për ta dënuar atë, është çështje tjetër. Ndërkohë lidhur me masakrat e fundit në Kosovë, në dijen time, parlamenti ynë ka bërë disa rezoluta, ndërkohë që parlamenti i Kosovës nuk di të ketë bërë të tilla.
Por meqë jemi këtu tek kërkimi i faljes, më duhet të pohoj, me dhimbje e me turp, se ka një rast që unë duhet të kërkojmë falje, por besoj si unë dhe shumë shqiptarë të ndershëm, është rasti i thyerjes së embargos nga Sali Berisha që furnizoi me naftë makinerinë ushtarake të Milosheviçit për të vrarë kosovarët, vëllezërit tanë. Ndjesë vëllau im për çka u bëri Sali Berisha, mjerisht ka dhe të tillë mes nesh. Sa do doja të mos ishte e vërtetë, por ai e ka pohuar jo një herë me mburrje.
Sali Berisha e paska pasur qëllim të hershëm luftën ndaj ne shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit. Kështu, me qëllim që ne shqiptarët këtej kufirit të mos mundeshim që t’ju ndihmonim, ai shkatërroi të gjithë pasurinë tonë kombëtare, mbi pesëqind fabrika, uzina e kombinate, me një vlerë mbi 500 miliardë dollarë, një shumë tepër e konsiderueshme edhe sot, duke na varfëruar në kulm. Në atë kohë nuk kishim pronë private, duke mos pasur dhe punë, mbetëm me duar në xhepa. Dihet se një popull i varfër nuk mund të ketë mendje për atdhe e për komb.
Në ato vite ju përgatiteshit për luftë kundër serbit dhe ai donte që ta priste njërin krah dhe në një farë mase ia arriti. Ne bridhnim deteve e maleve për të siguruar ushqim për fëmijët, megjithatë në luftën e UÇK-së morëm pjesë. U dolëm krah sa mundëm, nuk ju lamë vetëm. Unë kërkoj falje dhe besoj shumë shqiptarë të tjerë si unë, që Sali Berisha na kapi gafil, ne i besuam se ashtu ishim mësuar me Partinë e Punës, e cila atë që na premtonte, e bënte, por ky na preu në besë dhe bëri me pasurinë tonë çfarë deshi.
Por edhe ndër ju ka të tillë, për të cilët unë kërkoj falje, por besoj se kërkojnë falje si unë dhe shumë shqiptarë të tjerë të ndershëm, këtej e andej kufirit, se unë prapëseprapë e cilësoj shqiptar timin, s’ka rëndësi në është kosovar a shqiptar i jugut siç na quan ti neve.
Vite të tëra bridhte Rugova me shall në qafë për t’i sjellë pavarësinë Kosovës, një qëndrim i pakuptimtë i tij po të kemi parasysh se karshi kujt e bënte. Serbët nuk ishin anglezë, të cilët kanë tjetër kuptim për botën, tjetër kuptim për njerëzit, për liritë dhe të drejtat e tyre. Serbët ishin dhe janë komb fare i pazhvilluar. Shihe vetë, e kanë çliruar Kosovën fuqitë e mëdha dhe serbët ende nuk duan ta njohin pavarësinë e saj.
Nuk e kuptoja në ato vite pse Kosova nuk hidhej në luftë, kur Serbia ishte e zënë me luftra (Bosnje-Hercegovinën, etj) dhe do ta kishte të vështirë të përballonte njëherësh disa luftra.
Qe i rëndë qëndrimi i Rugovës kur e arrestuan serbët, nën kërcënimin e tyre ai pranoi t’u bënte thirrje aleatëve të ndalonin bombardimet mbi Serbinë. Që do të thoshte që serbët të vazhdonin të vrisnin kosovarë, gra e fëmijë, bashkëatdhetarë të tij, ata të cilëve ai pretendonte se u kishte dalë për zot. Pra, pa interesin e ngushtë të tij, siç thua ti dhe e la popullin në baltë (veç unë nuk them se të gjithë kosovarët janë të tillë).
Hero është ai që sakrifikon jetën për popullin e tij dhe bëhet burim frymëzimi. U çudita shumë kur pashë në një televizion të Kosovës bodiguardin e Rugovës që e justifikonte kështu qëndrimin e tij: “Kushdo që të ishte në ato rrethana ashtu do të vepronte, atij i rrezikohej jeta”, Jo vëllau im nuk është moral shqiptar ky, po as i kombeve të tjerë.
Në të njëjtat kushte presidenti i Bosnje-Hercegovinës Alija Izetbegoviç tregoi se ishte i denjë për popullin e tij. Edhe atë e arrestuan serbët dhe i kërkuan t’u thoshte njerëzve të tij të ndalonin luftën, ndryshe do ta vrisnin. Izetbegoviçi i mori në telefon të vetët dhe u tha: “Mua më kanë arrestuar serbët dhe do të më vrasin, por ju vazhdoni luftën”.
Ja që ne prodhojmë edhe të tillë prijësa, vëllau im. Unë kërkoj falje edhe për Rugovën se ai ishte shqiptar, unë nuk i ndaj prijësat, ata janë të të gjithë shqiptarëve, unë shqetësohem njëlloj si për sjelljen e prijësave tek ju ashtu dhe për sjelljen e prijësave tek ne. Dhe ndjehem fajtor për sjelljen e tyre, se e shoh si detyrë timen që gjithnjë të reagoj karshi sjelljeve jo adekuate të tyre. Ka tridhjetë vjet që bëhet propagandë që të lëvdojmë atë që nuk është për t’u lëvduar dhe të anatemojmë atë që nuk është për t’u anatemuar, këtë kulturë po na e fut serbi për qëllimet e veta. Kemi shkuar deri aty sa të anatemojmë të vetmen luftë që kemi fituar që pas vdekjes së Skënderbeut, që ka qenë një luftë gjithëpërfshirëse, që me të kemi qenë në anën e duhur të historisë, e merita të tjera, Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare.
Meqë jemi këtu në histori, po të kujtoj se ka pasur shqiptarë të Kosovës që kanë ardhur dhe kanë bërë terror tek ne shqiptarët “e jugut”. Në Kosovë shqiptarët e “jugut” kanë ardhur gjithnjë vetëm për t’ju ndihmuar, jo për t’ju vrarë, ndërsa shqiptarë të Kosovës, si Xhafer Deva, në bashkëpunim me gjermanët, kanë ardhur në Tiranë në shkurt të vitit 1944 dhe kanë bërë terror. Po kështu në vitin 1997 Bujar Bukoshi solli trupat e tij për të ndihmuar Sali Berishën, por nuk e lanë fuqitë e mëdha se nuk dihet se si do të shkonte puna. Kështu kanë ndihmuar dhe Ahmet Zogun në vitin 1924 për të ardhur në pushtet, së bashku me serbët. Ne asnjëherë nuk kemi thënë se na kanë vrarë kosovarët, jo, kemi përmendur vrasësin. Ne të gjithë jemi shqiptarë.
Unë edhe për këta kërkoj ndjesë se janë shqiptarë, si unë besoj kërkon ndjesë dhe çdo shqiptar i ndershëm. Të gjithë këta janë shqiptarë që nuk na nderojnë, janë shqiptarë që na bëjnë me turp.
Sa i përket çështjes së marrjes së organeve, di që është në hetim gjyqësor, por, në dijen time, përsëri Shqipëria ka mbajtur qëndrimin e duhur. Na thua se nuk jeni mirë nga trutë e kokës, se jemi injorantë, etj., etj., siç e kupton edhe vetë fjalë të tilla janë të tepërta mes burrash.
Në pikën 4, thua:
“Tema është se ju të Shqipërisë na shitni neve shqiptarëve jashtë Shqipërisë kurdo të mundeni për interesa të ngushta personale. Kurse Serbia, serbët jashtë kufirit të tyre i financojnë, bëjnë nonstop propagandë për ta, thërresin Këshillin e Sigurimit nëqoftëse një qime u hiqet atyre. E çfarë bëni ju? Harroni krejt masakrat, përdhunimet e të gjitha të këqijat që ata na bëjnë neve (jo vetëm Kosovës, por të gjithë shqiptarëve)”.
“…na shitni, …kurdo të mundeni, …për interesa të ngushta personale”, thua plot gojën, pa dhënë qoftë dhe një shembull të vetëm, qoftë sa për të kuptuar për çfarë e ke fjalën, për çfarë ju kanë shitur shqiptarët e jugut dhe tek cilët.
E rëndë, vëllau im, kjo që thua, si ta zuri goja. Nëse e ke fjalën që nuk financojmë që të bëjmë propagandë për shqiptarët jashtë Shqipërisë, siç bën Serbia (sa më dhemb kur më sjell për shembull pozitiv Serbinë!?) është tjetër gjë, kjo nuk është shitje, kjo e shumta është mosinteresim, a indiferentizëm, moskujdesje për shqiptarët, por jo shitje, ndryshe duhet të më jepje një rast shitjeje që të arsyetoja nëse ke të drejtë.
Sidoqoftë nuk ke të drejtë as t’i ndash shqiptarët dhe as t’i përgjithësosh, sidomos kur bëhet fjalë për veprime të këqija. Siç thashë më lart, e keqja gjithmonë ka emër, e mira jo gjithmonë.
Na akuzon se harrojmë masakrat, përdhunimet e të gjitha të këqijat, akuzë shumë e rëndë kjo. Jo, vëllau im, nuk është e vërtetë që i harrojmë, të këqijat na dhëmbin të gjithëve dhe ne shqiptarët e Shqipërisë kemi treguar, jo një herë, se i ndjejmë njëlloj dhimbjet tuaja dhe bëjmë përpjekje t’ua lehtësojmë.
Na kujton se të këqijat që i bëhen Kosovës, janë të këqija që u bëhen të gjithë shqiptarëve. Është fraza e parë bashkuese që del nga goja jote. Është fraza e parë që edhe ti, pa dashje, u ndjeve njëlloj me shqiptarët e jugut. Po, vëllau im, dhimbjet na shkaktohen të gjithëve bashkë.
A kanë bërë qeveritë dhe qeveritarët tanë sa duhet, ky është problem tjetër. Për qeveritë dhe qeveritarët tanë kam vërejtje pafund edhe unë, por nuk duhet ngatërruar populli me qeveritë e tij. Duhet të mos ngatërojmë sjelljen e qeverive apo të qeveritarëve tanë me sjelljet tona si popull. Qeveritë dhe qeveritarët tanë jo rrallë nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës, pse?, se janë të korruptuar dhe një qeveritar i korruptuar është i kapur.
Në përfundim thua:
“Dhe në fund, mos harro se na të Kosovës kemi qenë të parët pas shuarjes së perandorisë osmane që kemi demonstruar për një shtet shqiptar dhe se është thjesht për shkaqe sigurie shpallja e pavarësisë në Vlorë. Ju nuk keni vuajtur nga të huajt, kështu që ju duhet të keni shumë kujdes për dhimbjet tashmë shekullore të neve që kemi jetuar jashtë shtetit shqiptar. Dhe shembullin që shumë nga ju kur shkojnë në emigrim apo dhe brenda Shqipërisë bëhen shpejt grekë apo italianë apo ku di unë tregon ndryshim mes neve, që nën gjithë atë presion, kemi mbetur dhe do të mbetemi shqiptarë të vërtetë”.
Lidhur me pavarësinë historia është pak më e ngatërruar. Sa për respekt po përmend që nuk luftuam për pavarësi, pra nuk mund të krenohemi dhe aq dhe kur një gjë ta japin do marrësh atë që të japin dhe sa të japin. Nga ana tjetër, nuk na bën neve më patriotë fakti që flamuri është ngritur në Vlorë. Fare mirë mund të ishte ngritur në Prishtinë, por Prishtina u la jashtë, për arsye që nuk është vendi këtu të diskutohet.
Këto vuajtjet i dimë, por shikoj që i përmendni vend e pavend. Lëruni radhë të tjerëve t’ju qajnë hallin. Neve vërtet na vjen keq dhe jemi përpjekur t’ua lehtësojmë dhimbjet, por nuk jemi fajtorë. Duket se po na kërkoni llogari neve, kur këtë duhet t’ua kërkoni serbëve. Janë serbët që duhet t’u kërkojnë ndjesë, por ata nuk e bëjnë, atëherë jeni ju që duhet t’i detyroni. Edhe luftëtarët e UÇK-së nuk u kërkuan ndjesë serbëve, por ata mblodhën materiale dhe i çuan në Hagë. Atëherë përse Kosova nuk i çon serbët në Hagë?
Akuza tjetër e rëndë është se shumë nga ne bëhen shpejt grekë, ndërsa ju keni mbetur shqiptarë të vërtetë. Duhet ta kurseje këtë akuzë. Që ka shqiptarë që kanë ndërruar emrat në Greqi, kjo është e vërtetë, por kjo nuk mund të përgjithësohet e të kalohet në fyerje të rëndë duke arritur në konkluzionin se ne shqiptarët e jugut nuk jemi shqiptarë të vërtetë. Ne kemi marrëdhënie me grekët siç vazhdoni të keni ju marrëdhënie me serbët. Ka shkruar Kimete Berisha një artikull interesant lidhur me këtë temë, kosovarët i blejnë tullat në Serbi për të rregulluar shtëpitë që ua ka djegur serbi, thotë diku ajo.
Me ç’di unë edhe në Kosovë ka që i shërbejnë serbit, por nuk mund të themi se kosovarët janë të tillë. Duhet pasur kujdes në zgjedhjen e fjalëve që përdorim se prek rëndë koshiencën e njerëzve të tu, vëllezërve të tu, që nuk të kanë asnjë faj. Ndoshta juve nuk u është kërkuar me forcë një gjë e tillë, se besoj do të kishim të tillë dhe tek ju. Nuk jam i sigurt, nuk di shumë për marrëdhëniet tuaja me serbët, veç shoh mbiemra shqiptarë që u është shtuar një “viç” nga pas. Ndoshta jam i gabuar.
A jeni ju më patriotë se ne?, jo, njëlloj jemi patriotë, një racë jemi. Ju dukeni më patriotë se keni qenë vazhdimisht të pushtuar dhe valëvisni flamurin gjithnjë, ndërsa ne përtojmë, madje edhe në raste festash, pse?, ju flamurin ia valëvisni me krenari ish pushtuesit, ndërsa ne nuk kemi kujt t’ia valëvisim. Patriotizmi i tillë tregon se ju keni nevojë ta shprehni, me gjeste, keni nevojë që t’ua bëni të ditur të gjithëve gjendjen tuaj shpirtërore.
“…tregon ndryshim mes neve…”, thua. Më në fund vëllau im dole aty ku duket se të qan zemra, dole në atë që duket se është dhe qëllimi i këtij shkrimi, “jemi të ndryshëm”, kjo është ajo që ti ke në kokë. Thua jemi ndryshe që do të thotë se më shumë na ndajnë se na bashkojnë, se është e kotë që përpiqemi të bëhemi një shtet. Kjo është përçarëse, është e ligë, më ngjall krupë, nuk duhet kurrësesi ta thoshe. Po ta përsëris, jo, nuk jemi të ndryshëm. Harroje, harroje, harroje, jemi një edhe të njëjtë. Fiksoje mirë, shërbeji shqiptarisë, jo serbisë.
Duke përfunduar përgjigjen time do të theksoja se që të gjithë, këtej e andej kufirit, duhet të bëjmë përpjekje që të afrohemi si popull, që bashkimi të jetë sa më i natyrshëm, duhet të përmendim vetëm gjërat që na bashkojnë dhe të minimizojmë gjërat që na ndajnë. Ne duhet të jemi populli që jemi, me madhësinë që kemi pasur.
Ka rëndësi pesha specifike në marrëdhëniet midis popujve, një popull i madh shihet ndryshe, një popull i vogël merret nëpër këmbë, e kemi provuar gjatë ne.
Vëllau im, kur të dëgjosh dikë që na ndan në ne dhe ju, dije se, me ose pa dashje, ai po bën punën e serbit, prandaj kërkoi të sqarohet. Duhet të jemi vigjilentë dhe xhelozë ndaj bashkimit tonë. Të glorifikojmë gjithçka që na bashkon dhe të harrojmë gjithçka që na ndan, ky është interesi ynë, interesi kombëtar!
Çdo njeri i thjeshtë i popullit nuk duhet të lejojë përçarjen mes nesh, këtë mund ta bëjnë qeveritarët, jo se u lejohet, por dihet që ka prej tyre që janë në shërbim të hasmit, po neve nuk na lejohet, se ne jemi themeli, sado pa vlerë të dukemi. Ne populli duhet të kemi moral të lartë se qëndrimet themelore i mbajmë ne dhe vendimet po ne. Populli duhet të ketë ndërgjegje të lartë kombëtare, pasi mund të manipulohet lehtë.