Nga Mero Baze
Ndoshta gazetarët që kanë idhull Albin Kurtin, kanë harruar çfarë kanë shkruar për të dy vite më pare, kur ai fitoi për herë të parë me 25% të votave në Kosovë dhe sillej sikur kishte marrë 99 për qind të votave. Në gjithë himnet e tyre për Albin Kurtin, ajo që shquante më shumë ishte se ai tani do të ishte promotor i ndryshimit politik dhe në Shqipëri dhe se do të vinte para Edi Ramën dhe klasën politike në pushtet.
Ideja se një zgalem i ri po vinte nga Kosova të “shpëtonte” shqiptarinë, ishte gjëja më vulgare, por njëkohësisht dhe precedenti i parë i rrezikshëm i eksportimit të konflikteve politike nga Kosova në Shqipëri.
E kundërta nuk ka ndodhur kurrë. Gjëja më e rëndë që ka ndodhur ka qenë përpjekja e Sali Berishës në vitin 1996 për të mënjanuar Rugovën, por dhe ajo në një shoqëri informale politike, që nuk kishte mekanizma realë gare.
Ndërhyrja e Albin Kurtit u prit me qetësi dhe u injorua nga Tirana zyrtare. Madje Edi Rama e ktheu në humor. Në ndonjë rast tjetër mund të merrej seriozisht dhe efektet e saj mund të ishin më të rënda se sa janë deri tani.
Po e kujtoj këtë episod pasi dëgjova Albin Kurtin të thoshte se më parë duhet të forcojmë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, pastaj me fqinjët e tjerë në rajon.
Hipokrizia e kësaj fjalie bëhet më e rëndë kur këtë e përshëndesin të njëjtët gazetarë që kalonin në delir kur Albin Kurti nisi ofensivën politike kundër qeverisë shqiptare, duke thënë se tani Edi Rama duhet t’i bjerë në gjunjë Albin Kurtit.
E shkruanin këtë edhe kur Albin Kurti tentoi të bëhej udhëheqësi moral i një opozite amorale në Shqipëri, kur kalorësi i “antikorrupsionit” të Prishtinës kishte idhull të tij në Tiranë, Sali Berishën dhe Ilir Metën, të damkosur ndërkombëtarisht si hajdutë të kombit shqiptar, kur patrioti i madh mbarëshqiptar, kishte idhull në Tiranë furnizuesin e ushtrisë serbe me naftë.
Qetësia me të cilin e shmangu këtë agresion politik nga Kosova, Edi Rama, është për t’i ngritur një përmendore të vërtetë patriotike, edhe pse tmerrohet prej saj, pasi shmangu një njeri banal, një delirant kokëthatë, që nuk përballet dot me problemet e Kosovës dhe kërkon të krijojë probleme në gjithë trojet ku banojnë shqiptarë.
Disa qindra mijëra shqiptarë të Kosovës janë shtetas të Shqipërisë me të drejtë vota dhe gjithë të drejtat e tjera, por kurrë nuk e kanë përdorur këtë privilegj që ua ka dhënë Shqipëria për të bërë agresorin politik ndaj saj.
I pari qytetar i natyralizuar i Shqipërisë që e ka përdorur pasaportën e shtetit shqiptar për luftë kundër shtetit shqiptar, është Albin Kurti. Më gjeni një shembull të dytë në botë kur kryeministri i një shteti tjetër, shkon të votojë fizikisht në kryeqytetin e shtetit amë, kundër qeverisë së saj. A ka shpallje lufte më të madhe se kaq në një konflikt politik të nisur nga vetë ai?
Albin Kurti e ka bërë më 25 prill të këtij viti në Tiranë.
E kishte nisur këtë luftë qysh më 2018, kur erdhi nga Prishtina në Tiranë, për të sulmuar dy ministra të Kosovës në qeverinë e Edi Ramës, Gent Cakaj dhe Besa Shahini.
Ky palaço që predikon bashkimin kombëtar dhe që lufton natë e ditë për përçarje kombëtare, mori rrugën nga Prishtina të sulmonte të vetmin gjest politik të unitetit kombëtar që ka bërë Edi Rama, duke futur dy të rinj të Kosovës në qeverinë e Tiranës.
Në Kosovë, maksimumi kanë punësuar nga Shqipëria ndonjë redaktor letrar që t’i ndihmojë për ndonjë shkresë zyrtare.
Ky ka ardhur nga Prishtina në Tiranë, të sulmojë gjestin e parë dhe të vetmin deri tani të unitetit kombëtar të përfshirjes së dy ministrave, qytetarë të Kosovës, në kabinetin e Tiranës, dhe e ka vazhduar këtë betejë deri më 25 prill kur mori 0.001 për qind të votave me kandidatët e tij idiotë.
Tani në pamundësi t’i përballojë presionin e SHBA dhe BE për bashkëpunimin rajonal, pasi ka ndërsyer gjithë zagarët e vet të shpallin Shqipërinë tradhtare dhe Edi Ramën kryetradhtar, vetë tenton të dalë si njeri i unitetit kombëtar dhe kërkon së pari forcimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Shikojeni me vëmendje!
Kërkon së pari atë që ka bërë së pari në të kundërtën, luftën dhe përçarjen me Shqipërinë.
Njeriu që e ka nisur këtë luftë dhe e ka çuar deri në fund me të vetën, por që Shqipëria e ka injoruar, tani do të bëjë fajtore dhe Shqipërinë për luftën e dështuar të tij.
Nëse këtë do t’ia kishte bërë Sali Berishës apo Ilir Metës, nuk do të shkelte as në Morinë. Ia ka bërë Edi Ramës, i cili si shumë gjëra të njerëzve primitive, dhe këtë nuk e merr seriozisht dhe e fton këtë “nacionalistin” në shtëpi bashkë me gruan e tij skandinave, për t’i treguar se nuk e shqetësojnë deliret e tij dhe diskutojnë me të për ndonjë film të parë në Netfliks apo ndonjë libër që ka lexuar (atyrisht jo romani “I huaji” të Albert Kamysë, se pastaj e ngatërron në fjalime. Se ndryshe nga çfarë mbahet, ky është dhe i vetmi politikan që mbahet i lexuar se ka dëgjuar për libra.)
Tani nëse Albin Kurti e ka seriozisht që duhet të forcojë marrëdhëniet me Shqipërinë, duhet të kuptojë se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë më të forta se kurrë.
Marrëdhëniet e Albin Kurtit me qeverinë shqiptare janë më të pandershme se kurrë, dhe kjo është për shkak të Albin Kurtit. Ai mund të kërkojë ndjesë për përpjekjen e tij delirante të eksportimit të luftës për pushtet nga Kosova në Shqipëri dhe të tërhiqet nga kjo marrëzi, e cila nuk e shqetëson Shqipërinë, por e turpëron Kosovën.
Të tërhiqet mbi të gjitha nga policimi i asaj çfarë duhet të bëjë Shqipëria, si duhet të sillet, çfarë duhet të lexojë apo dëgjojë, sipas shijeve te Ajatollahut të Prishtinës.
Pastaj gjërat e tjera janë në rregull. Shqiptarët nuk e duan Kosovën për shkak të Albinit. E duan si pjesë të identitetit të tyre. Për shkak të Albinit mund të zemërohen me ata që mbështesin Albinin, si një armik real i paqes mes shqiptarëve .
Por nuk na prish punë as si i tillë. Natyrisht nuk na bën dot budallenj të shtiret sikur është për unitet kombëtar, ndërkohë që ka katër vjet me pishtarin e përçarjes në dorë.
Tani ose është penduar, ose është dorëzuar. Por i munduri, apo i dorëzuari, zakonisht nuk mund të jetë kokëlartë si ky. Përveç rastit, kur janë kokëboshë.