Prej të paktën dy ditësh, “Banka Kombëtare Tregtare” vazhdon të jetë totalisht jashtë funksionit, pavarësisht se klientë e saj presin pagat apo që banka t’i kthehet normalitetit.
Ka pasur klient tepër të shqetësuar, të cilët pasi kanë marrë vesh se banka nuk ka lëshuar pagat klientëve, jo vetëm në kryeqytet por dhe në rrethet e tjera të vendit, kanë dyshuar dhe kanë hapur fjalë se banka ka falimentuar.
E ky nuk është aspak faji i klientëve të bankës, të cilët presin prej ditësh pagat e tyre apo të kryejnë veprime bankare, ndërsa banka nuk ka dal me një reagim zyrtarë karshi tyre dhe t’i shpjegoj problemin e saj, qysh në momentin e parë që ka ndodhur.
Gjatë gjithë ditës së djeshme, po ashtu edhe sot, shumë klientë të “BKT” janë ankuar për shërbimin e dështuar të kësaj banke. Gjithashtu është parë edhe një radhë e madhe jashtë disa degëve të bankës.
Së fundi, “BKT” u detyrua të njoftonte të gjithë klientët e saj se disa shërbime bankare ishin ndërprerë për shkak të disa problemeve në sistemin qëndror bankar.
Sot dega e saj në zonën e Ish-Bllokut ishte e mbyllur e totalisht jashtë funksionit, ndërsa në disa degë të tjera radha në pikun e vapës dhe temperaturave të larta ka qenë raskapitëse për klientët e bankës.
Nga ana tjetër, klientët e “BKT” shprehen të shqetësuar për faktin se kanë detyrime për të shlyer dhe iu duhen paratë për ta bërë këtë. Ndërsa banka që i kanë besuar paratë dhe kursimet e jetës, mjaftohet vetëm me një njoftim në rrjete sociale se ka probleme teknike.
Nuk janë të paktë ata qytetarë që denoncojnë bankën, se kjo situata e cila vazhdon prej tre ditësh po bëhet e papërballushme. Edhe sa duhet të presin klientët e “BKT” për të marrë në dorë paratë e tyre? Kush mund t’u garantojë atyre se të tilla ngjarje nuk do përsëriten më?
Shpresojmë që banka të jap dhe një sqarim më të gjerë për pikëpyetjet që shqetësojnë klientët e saj dhe të mos mjaftohet me një status në Facebook, a thua se i ndodhi gjëja më normale në botë ose paratë janë të tyret./Ekskluzive.al