Nga Ylli Pata
Marrëveshja e 4 shtatorit 2020, që u firmos në Shtëpinë e Bardhë, nga Presidenti Donald Trump dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic e kryeministri i Kosovës, Avdulla Hoti, përveçse nuk prekte çështjen e njohjes, institucionalizoi normalizimin ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës, që është një përforcim i Procesit të Berlinit, i inicuar nga kancelarja Angela Merkel.
Në draftin e marrëveshjes së 4 shtatorit, thuhet qartë e prerë; “Të dyja palët do bashkohen në iniciativën e Minishengenit, ku kanë marrë pjesë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në tetorin e vitit 2019”.
Ky tekst është pjesë e traktatit të firmosur Shtëpinë e Bardhë, kur ajo “banohej” nga Donald Trump, është përgatitur nga dy njerëzit e afërt të tij; Robert O’Brien dhe Richard Grenell.
Të tre këto burra, politikisht kanë qenë e janë kundërshtarët politikë më të egër ndaj George Sorros, të cilin e konsiderojnë si një ideolog të së majtës liberale.
Kështu që logjika që po del këto ditë, se ajo minishengeni është një ide që udhëhiqet nga Sorosi, bie që në fillim.
Për këtë ide ka shumë, po shumë fjalë pa fund nga ekspertë të asgjësë në Tiranë, Prishtinë e diasporë, që e shikojnë si ushqim për të ashtuquajturin “nacionalizëm tallava”, kur mungojnë idetë dhe logjika politike dialektike.
Thelbi i gjithë kësaj është se kemi të bëjmë me një pakt shtetëror që është firmosur në nivelin më të lartë nga kryeministri i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, e si e tillë, ajo asnjëherë nuk është ç’firmosur nga qeveria pasardhëse e Albin Kurtit.
Kurti ka qenë kundërshtar i një pakti në Shtëpinë e Bardhë, që njëherë e ka quajtur edhe “Shtëpia e Zezë”, ku “valojnë thikat”, por këtu kemi një marrëveshje shtetërore.
Rrëzimi i kësaj marrëveshje shtetërore, që ka ndodhur defakte, është një fakt politik, pra që Kosova është kundër një marrëveshje me qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pas fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale amerikane, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e tha qartë se SHBA do të vijojë të mbështesë marrëveshjet e normalizimit mes Kosovën me Serbinë, duke i quajtur pozitive qasjet e ndërmarra nga administrata Trump. Pra këtu kemi të bëjmë me një vazhdimësi klasike të një shteti serioz siç është SHBA e që për Kosovën e ka bërë gjithmonë. Si administrata e Bushtit të Madh, ajo e Clinton, Bushit të vogël, e më pas ajo e Obamas dhe e Trump kanë qenë në të njëjtën gjatësi vale për Kosovën pa asnjë ndryshim.
E këtë duhet ta bëjë edhe Kosova, jo thjesht për reciprocitet, por për luajalitet dhe mirënjohje politike e humane ndaj të gjithë asaj mbështetje që ka pasur nga Uashingtoni.
Qasjet “antiimperialiste” që ngjajnë me dacibaot e kohës së Enver Hoxhës nuk pijnë aspak ujë në logjikën normale të çdo qytetari që realitetin e sheh me sy.
Kosova, edhe pse liderë të saj për interesa krejt të pavizion politikisht kundërshtojnë hyrjen në nismen e një ballkani pa barriera, nuk se është një vend që ka qenë që në fillim të saj, një shtet që ka krijuar tregëtinë paternaliste.
Në Kosovë mallrat serbe e tregtia nga Serbia ka vijuar pa asnjë ndërprerje si në kohën e Jugosllavisë, madje tregu i Kosovës është i varur nga tregtia me Serbinë.
Nisma që propozohet nga SHBA dhe e firmosur nga Prishtina zyrtare është që Kosova, të ketë një tregti të tillë të lirë edhe për mallrat që dërgon në Serbi, apo edhe me Shqipërinë, ku edhe pse nuk ka barriera politike kufijsh, tregtia mes nesh është e kondicionuar nga barriera të pafundme.