Çfarë rikthimi në ring për Jurgen Uldedajn! Boksieri lezhjan ishte thjeshtë fantastik në duelin ndaj ukrainasit Dmitri Serguta të cilin e mposhti me nock-out në raundin e 7-të.
Pas një ndërprerje nga Pandemia, këtë të shtune, më 17 Korrik, Jurgen Uldedaj (13-0-0), kampioni aktual botëror i dyfishtë në “WBO Youth” dhe “WBC Youth” deri 24 vjeç, në peshën Cruiserweight mbrojti titullin “WBC Youth Champion“ kundër boksierit nga Ukraina, Dymitr Serguta (7-1-0).
Kjo ishte fitorja e 14-të e 23-vjeçarit që bokson në kategorinë “Cruiser”, deri në 90 kilogram.
Rivali i tij nga Kievi, ishte një kundërshtar shumë serioz me shtatë nokaute në shtatë luftimet e tij fitimtare. Jurgen Uldedaj, edhe pse është pjesë e klubit gjerman “SES Boxing”, lufton për ngjyrat e flamurit tonë kombëtar në ring.
23-vjeçari lezhian është shqiptari i vetëm që mban dy tituj botërorë në dy federatat më të rëndësishme të boksit profesionist: WBO dhe WBC.
Uldedaj prej vitesh stërvitet në Gjermani nën urdhrat e trajnerit Dirk Dzemski dhe promotorit më të njohur në Gjermani Ulf Steinforth.
Me kalimin e viteve Uldedaj ka legjitimuar veten si bokseri numër një në peshën “Cruiser” në skenën gjermane të boksit.