Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi në mbledhjen e sotme vendimin e qeverisë për amnistinë, por me dy ndryshime. Ndryshimi i parë lidhet me penalizimin e të gjithë atyre që janë dënuar për shkak se kanë vjedhur. Propozimi i kryetares së komisionit të sigurisë që të mos përfitojnë ata që janë dënuar për vjedhje, pasi ky fenomen është në rritje, është miratuar nga anëtarët e komisionit. “Vjedhja është një vepër e përhapur, janë 4 mijë e ca raste, gati gjysmës nuk i dihet autori. Prandaj të dënuarit për vjedhje të mos përfitojnë nga amnistia” tha ajo. Në amnisti u miratua edhe propozimi i dytë i Felajt, që ata që janë dënuar për ndërtim pa leje të lirohen nga burgu.
LEXO EDHE:
Këshilli i Europës dërgon paketën anti-shpifje në Komisionin e Venecias
Deputeti socialist Spartak Braho ishte kundër mënyrës së hartimit të kësaj amnistie. Ai e cilësoi si jo humane duke kërkuar lirimin nga burgu të të gjitha grave. “Drafti është i njëjtë me atë të 2016. Pse nuk amnistoni shpifjen, fyerjen? Mendja më thotë se jeni selektivë, mund ta kem edhe gabim. Kjo amnisti nuk ka humanizëm, të tëra gratë duhet të dalin nga burgu. Gruaja edhe kur vret, vret nga halli, edhe kur bën vetëgjyqësi e bën nga halli. Gruaja lë familjen, lë fëmijët. Duhet të jemi më humanistë me gratë dhe moshat e reja. Mbani në burg, një, pse e mbani atë (të rinjtë). Ai shtet që bën amnisti është shtet i fortë, nuk është i dobët. Nuk trembet shteti serioz nga ata që dalin nga qelitë” tha Braho. Por Felaj doli kundër “Nëse ka shkelur ligjin, cdo njeri duhet të dënohet. Nuk është rasti që dikush të dalë sikur është mbrojtës më i mirë i grave apo të miturve” tha ai.
Ndërkohë që ministrja Etilda Gjonaj në fjalën e saj para komisionit e vendosi theksin te përjashtimi nga përftimi i amnistisë, uljes së dënimit për të dënuarit me rrezikshmëri të lartë, duke nënkuptuar rastin e Endrit Dokles, anëtarit të bandës së Durrësit, që gjykata i njohu 5 vite ulje nga amnistia ndër vite. “Sakrifikova mbledhjen e qeverisë sot për të vijuar mbledhjen për amnistinë. Lirimin e disa subjekteve kriminale me rrezikshmëri të lartë. Edhe unë i kam marrë masat dhe kam reaguar duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë reagimin e përshtatshëm dhe për këtë arsye kemi qenë të kufizuar për kriteret dhe kategoritë e atyre që përfitojnë.
Ka një problematikë që nga amnistitë e mëparshme janë përfshirë të gjitha kategoritë pa vënë kriter ndalues dhe duke u krijuar mundësi përfitimi atyre me rrezikshmëri të lartë. Dhe nëse sot gjykata ka njohje të amnistinë për ata të dënuar me burgim të përjetshëm, ata kanë përfituar nga amnistitë e mëparshme. Kategoritë e caktuara nuk kanë pasur ndalesë duke u ulur dënimin 1, 1.5 apo dy vite nga dënimi i tyre. Burgjet kanë një sërë problematikash. Problematika e burgjeve nuk vjen sot ka qenë që në fillim. KÇK-ja nuk është në qeveri ne po luftojmë të gjithë ata që shkelin ligjet. Amnistia nuk ka qellim uljen e mbipopullimit në burgje. Kemi 800 vende të lira, por në Shënkoll pati dëmtime nga tërmeti dhe u dërguan në Reç” tha ministrja, raporton gazetari i Report Tv, Elis Memelli. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë sqaroi se përllogaritja e atyre që do të përfitojnë do të nisë në momentin që Presidenti Ilir Meta do të dekretojë amnistinë. 731 të dënuar e fundit që patën mundësi të liroheshin nga amnistia i përkasin vitit 2016.
Kategoritë që përfitojnë sipas vendimit te qeverise (Amnistia pësoi dy ndryshime sot te Komisioni i Sigurise)
1. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
2. Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
3. Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
4. Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
5. Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
6. Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
7. Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
8. Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/3 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.