Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt BE së shpejti, pasi ditën e djeshme ambasadorët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian ranë dakord për heqjen e kufizimeve për udhëtimet nga vendet e treta drejt Bashkimit Europian.
27 ambasadorët aprovuan zgjerimin e listës së vendeve të treta që pretendohet të jenë të sigurta për situatën lidhur me pandeminë. Ky zgjerim përfshin Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mësohet se Shqipëria arriti të futej në listën e vendeve të sigurta duke plotësuar kështu kriteret kryesore të vendosura nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Si përshembull më pak se 75 të infektuar për çdo 100.000 banorë për dy javët e fundit, një trend i qëndrueshëm në ulje të treguesve kryesorë lidhur me pandeminë që kanë të bëjnë me uljen e numrit të vdekjeve dhe të shtruarve në spital, disponueshmërinë e testeve dhe vijimin me procesin e vaksinimit.
Në dokumentin zyrtar thuhet se qytetarët mund t’i nënshtrohen një tamponi rreth 72 orë para udhëtimit drejt një prej vendeve të Bashkimit Europian. Ndërkohë po ashtu shtetet në varësi të rastit pritet të gjykojnë nëse karantina është e nevojshme pas mbërritjes në një prej shteteve të BE.
Qytetarët shqiptarë të vaksinuar me dy doza vaksinash të njohura nga Bashkimi Europian (EMA), nuk do ta kenë të nevojshëm kryerjen e tamponit. Vendimi zyrtar i shteteve anëtare të Bashkimit Europian mbi zgjerimin e listës së vendeve të treta pritet të merret ditën e premte gjatë takimit të ministrave të ekonomisë dhe financave të Bashkimit Europian.
Në këtë takim pritet që të vendoset saktësisht se nga cili afat, qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë drejt Bashkimit Europian për udhëtime jo-thelbësore. Për këtë çështje reaguan edhe shoqatat e operatorëve turistikë. Sipas tyre ky është një lajm i mirë megjithatë pritet që vendet anëtare të Bashkimit Europian të vendosin masa specifike për udhëtimet.