Për shkak të rrezikut nga koronavirusi, edhe Parlamenti Shqiptar do të kyçet. Ashtu sikundër ka ndodhur në shumë shtete të botës, ku janë anuluar shumë ngjarje të rëndësishme dhe të gjithë do të punojnë online, kështu do të ndodhë dhe në vendin tonë.
Gazeta SOT ka mësuar se deputetët janë informuar se duke filluar nga java e parë e prillit, procesi i shqyrtimit të projektligjeve do të bëhet online. Duke qenë se ka shumë ligje që kërkojnë shqyrtim dhe miratim, Kuvendi nuk mund të pezullojë punën. Për këtë arsye gjithçka do të bëhet në mënyrë dixhitale. Nuk dihet qartë se si do të operohet, por pritet që të hartohet një rregullore sa i takon procedurave që do të ndiqen.
Rasti më i freskët vjen nga Komisioni i Venecias, i cili vendosi që miratimin e raporteve të rëndësishëm ta kryejë online. Kështu pritet të ndodhë dhe tek ne, ndërkohë që do të jetë vetë Parlamenti që do të zbardhë procedurat që do të ndiqen. Sipas burimeve, në këtë lloj formë do të shqyrtohen çështjet më imediate. Kjo do të thotë se dekretet e presidentit për ndryshimet në ligjet për Gjykatën Kushtetuese dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shtyhen për pak kohë. Së pari Kuvendi nuk do të jetë tërësisht funksional dhe së dyti në letrën që Komisioni i Venecias ka dërguar në Parlament për shtyrjen e raportit final, kërkon që shqyrtimi i dekreteve të lihet derisa të dalë raporti final. Pritet që mazhoranca ta zbatojë këtë kërkesë.