Një vit më vonë sesa ishte planifikuar për shkak të pandemisë, kampionati evropian i futbollit “Euro 2020” çeli siparin të premten. Ndërsa futbolli mund të jetë spektakolar –në të marrin pjesë 7 skuadrat më të mira në botë, dhe do të ketë tifozë në tribuna pas një viti heshtjeje për shkak të Covid– edhe politika mund të jetë po aq interesante.
Nuk ka shumë ndeshje të tensionuara. Serbia nuk u kualifikua, duke shmangur kësisoj një përplasje të mundshme me Kroacinë, dhe as Bjellorusia, duke mos e sikletosur shumë UEFA–n se çfarë duhej të bënte me të. Gjithsesi ka ende shumë burime të mundshme të tensioneve. Ja cilat mund të jenë disa prej tyre:
Francë–Gjermani
Kjo ndeshje përfaqëson më shumë sesa krenaria kombëtare. Pas Brexit, ekuilibri i fuqisë midis Francës dhe Gjermanisë është nën vëzhgim të madh. Ka zëra në Francë, sidomos në të djathtën ekstreme, për një dominim në rritje të Gjermanisë brenda BE-së. Ndeshja e së martës do të shikohet nga afër, edhe si një tregues kush nga partnerët është më i fortë.
Ukrainë – Rusi
Ndërsa këto 2 vende janë të përfshira në një konflikt të armatosur, një ndeshje e mundshme midis tyre tej fazës së grupeve, mund të bëjë që policia të jetë më e shqetësuar për përleshjet në fushë sesa në tribuna. Dhe tensionet janë që tani të larta.
Zyrtarët rusë u zemëruan me uniformën e ekipit të Ukrainës, që përmban një hartë të vendit ku përfshihet edhe Krimeja, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014, dhe territoret e Donjeckut dhe Luhanskut, që të dyja të kontrolluara nga separatistët pro-rusë. Të enjten, Ukraina u urdhërua nga UEFA të ndryshojë uniformën e saj. Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se uniforma është “padyshim e veçantë”, por ajo afirmon sovranitetin territorial të vendit.
Skoci-Angli
Një fitore e papritur ndaj Anglisë në Uembli në ndeshjen 18 qershorit, diçka që Skocia nuk e ka arritur që nga viti 1999, ka të ngjarë të rrisë ndjenjën nacionaliste në veri të kufirit. Boris Xhonson – kryeministri anglez i Mbretërisë së Bashkuar – ka nevojë për një fitore të lehtë të Anglisë për të shuar entuziazmin separatist që do të nxitej nga një fitore e skocezëve. Për kryeministren skoceze, Nikola Starxheion, kjo ndeshje përfaqëson një shans që futbolli të çojë përpara kauzën e saj të pavarësisë.