UEFA i ka besuar vendit tonë organizimin e tri ndeshjeve të turit paraeliminator të Champions League. Më konkretisht, Shqipëria do të mirëpresë ndeshjet e këtij turi, që do të luhen në datat 22-25 qershor, në Durrës dhe Elbasan.
Më 22 qershor, në ora 20:00 do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë, ESS Folgore (SMR)-FC Prishtina (KOS), në stadiumin “Elbasan Arena”.
Po më 22 qershor, po në të njëjtën orë, në “Niko Dovana” të Durrësit do të luhet gjysmëfinalja tjetër, HB Torshavn (FRO)-Int.Club d’Escaldes (AND).
Fituesit e dy çifteve do të përballen në finalen e këtij turi, që do të luhet më datë 25 qershor, ora 20:00, në stadiumin “Elbasan Arena”.
Aty do të përcaktohet skuadra e kualifikuar për në fazën tjetër.
Kujtojmë se UEFA i ka besuar Shqipërisë edhe finalen e “Conference League”, në stadiumin “Arena Kombëtare”, në majin e vitit 2022.