Teksa e gjithë bota zien për shkak të Koronavirusit, Kosova është mbërthyer nga një krizë e thellë. Ashtu siç pritej, Lëvizja Demokratike e Kosovës ka vendosur t’i japë fund koalicionit me Albin Kurtin, duke nisur një mocioni mosbesimi. Arsyeja e përplasjeve brenda koalicionit është sjellja e Kurtit përballë SHBA sa i takon taksës.
Amerikanët kërkuan që të hiqet totalisht taksa ndaj Serbisë, por Kurti refuzoi. Mustafa u shpreh për mediat se nuk mund të cenohen marrëdhëniet me SHBA. Kjo solli dhe një reagim të Kurtit, i cili po ashtu tregoi se gjithë debati ka të bëjë pikërisht me qëndrimet e qeverisë kosovare ndaj amerikanëve. “Kosova është vendi më pro amerikan në botë, është shteti në të cilin Amerika ka pushtetin më të madh, si u bë që në një vend më pro amerikan fitoj një person që është anti amerikan, këtë se beson askush”, tha Kurti.
Zërat që qarkullojnë në korridoret politike janë se Mustafa mund të kalojë drejt një koalicioni të ri, (flitet me PDK) dhe Kurti të dalë në opozitë. Por nëse i hyjmë një analize të thellë, në një hark kohor prej 9-10 muajsh, kemi dy kryeministra në Kosovë që vuajnë pasojat pas përplasjeve me amerikanët. Haradinaj dha dorëheqjen në korrik pas përplasjeve të forta sa i takon taksës ndaj Serbisë. Në Kosovë flitet se ishte pikërisht presioni amerikan që e detyroi të largohej.
Ndërkohë tani kemi Kurtin, i cili rrezikon shkarkimin pikërisht sepse po refuzon thirrjet e amerikanëve. Këto sjellje në Kosovë janë dhe një mesazh për të gjithë ata që sfidojnë amerikanët, përfshirë dhe presidentin tonë revolucionar Ilir Meta. Ky i fundit ka nisur një luftë për jetë a vdekje me Uashingtonin, por mesazhet nga Kosova janë shumë të qarta. Haradinaj, i cili është miku i tij, u largua. Ndërkohë dhe Kurti, i cili ka mbështetjen e PD-LSI dhe të Metës gjithashtu, po ikën. Duket qartë se presidenti do e ketë pisk punën pavarësisht se situata ka bërë që ai të qëndrojë dhe për disa muaj të tjerë në detyrë.