100 mijë të moshuar kanë marrë tashmë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Shifrën e publikoi kryeministri Edi Rama, i cili ka siguruar sërish se vaksina kineze është e sigurtë dhe efektive.
Nga Berati, ku së bashku me ministren e Shëndetësisë ndoqi nga afër procesin e vaksinimit, kreu i qeverisë apeloi qytetarët që të mos hezitojnë të injektojnë vaksinën sa më parë:
“Të mos bjerë askush viktimë e hijenave dhe kukuvajkave. Vaksina e ardhur nga Turqia e kompanisë Sinovac, është një vaksinë super e suksesshme, e cila faktikisht Turqinë po e nxjerr përditë e më shpejtë nga tuneli i pandemisë.
Eshtë vaksina që kanë preferuar vendet e pasura të Lindjes së Mesme. Fakti që nuk ka hyrë në Bashkimin Europian nuk ka lidhje me eficencën e vaksinës por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër që ne nuk na interesojnë dhe nuk na prekin, pasi ne na intereson të nxjerrim urgjent nga tuneli popullin shqiptar”.