NGA ARBJONA ÇIBUKU
Rëndohet gjendja e presidentit Ilir Meta. Pas sulmeve dhe akuzave kundër qeverisë dhe ambasadorëve të BE, OSBE dhe Italisë, Meta ka hyrë në zyrtarisht në “luftë” me amerikanët. Edhe pse ambasadorja e SHBA Yuri Kim ka rreth një muaj që ka ardhur në Tiranë, ajo dje është kthyer në objekt sulmi për presidentin Ilir Meta.
Ndaj paraardhësit të saj, Meta nuk u kursye me sulmet, duke u shprehur se ai ishte në shërbim të Sorosit. Pyetja që shtrohet në këtë rast është: Edhe Yuri Kim është e kapur nga George Soros si Donald Lu? Yuri Kim u zgjodh nga vetë Donald Trump, armiku i Gorge Soros dhe kjo tregon se SHBA është gjithmonë në të njëjtën linjë dhe se Ilir Meta ka hyrë në listën e zezë të amerikanëve. Të mërkurën ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u takua me ministren Etilda Gjonaj, e cila po ashtu ka qenë një objekt sulmi për presidentin Ilir Meta.
I pyetur në lidhje me këtë takim, presidenti Meta u shpreh se nuk ndalon askënd të takojë një falsifikatore. Meta është shquar për sulme ndaj ndërkombëtarëve dhe këtë herë duket se është radha e SHBA-së. Vlen të theksohet se edhe para tubimit të 2 marsit, Meta bëri disa takime me ambasadorë të huaj, por të vetmit që nuk i shkuan në zyrë ishin ambasadorja e SHBA dhe ai i BE. Po ashtu Kim u distancua nga tubimi i Metës duke i dhënë atij një shuplakë të fortë, çka duket se e ka rënduar gjendjen e presidentit dhe e ka bërë atë që të shpërthejë në sulme ndaj ambasadores. “Pyetja kishte të bënte me Gjykatën Kushtetuese po edhe me skandalet më të fundit për rrëmbimin e Gjykatës Kushtetuese përmes praktikave mafioze të falsifikimit të ushtruara nga ministrja e Drejtësisë, e cila është akuzuar për katër vepra penale. Ajo vazhdon të jetë krenare ndërkohë që i vetmi detyrim është të përgjigjet para prokurorisë nëse ajo është e paanshme. Nuk ndaloj askënd të rreshtohet krah falsifikatorëve brenda dhe jashtë vendit. Se kush e ka minuar zbatimin e suksesshëm të kësaj reforme.
Kush ka përkrahur direkt apo tinëzisht miratimin e ligjeve antikushtetues, si në rastin e prokurorit që u zgjodh me 69 vota, kush ka bllokuar komitetin e emërimeve në drejtësi për 3 vite, kjo është çështje tjetër dhe na ka dëmtuar shumë, por edhe se kush përpiqet të mbështesë këtë akt që unë me anë të fakteve dhe argumenteve të mia e kam cilësuar si përpjekjen finale për grusht shteti, të gjithë po e shohin shumë drejt”, u shpreh Meta.
Blushii vogël në rolin e e zv, presidentit sfidon Kim
Zëdhënësi i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pasi ky i fundit tha se Meta ka puthur flamurin e SHBA në tubimin e 2 marsit pa leje. Blushi me një postim në Facebook është shprehur se Meta ngriti gjatë tubimit flamurin që sipas tij kishin sjellë me vete mbështetësit nga SHBA. Blushi i kërkoi Ramës përgjigje për disa pyetje lidhur me foton për të cilën ai akuzon se ka paguar për të pozuar krah ish-presidentit amerikan Barack Obama. “Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta nuk puth flamurin e asnjë vendi tjetër, përveç Flamurit Kombëtar, flamurit më të bukur në botë. Presidenti Meta në Manifestimin madhështor Mbarëkombëtar të 2 marsit ka ngritur Flamurin e SHBA, të sjellë nga grupi i shqiptaro-amerikanëve, në nderim të gjithë atyre të cilët udhëtuan për ditë të tëra për t’iu bashkuar pranverës kuq e zi”, ka shkruar Blushi. Por reagimi i tij ishte dhe një sfidë ndaj ambasadores, e cila tregoi qartë se SHBA nuk do që Meta të prekë flamurin e saj.