Greg Rama, i biri i kryeministrit të vendit, ka folur sesi është që të bëjë art nën ‘hijen’ e të atit.
Duke folur për ekspozitën e tij të fundit që mban emrin ‘Fije Bari’, Gregu ka treguar edhe për ndikimin që ka pasur Edi Rama në punën e tij si artist.
I pyetur se si është të jetosh nën ‘hijen’ e babait, që është artist dhe kryeministër i vendit, ai u përgjigj me shaka se ngushëllohet duke i thënë vetes ‘hall më të madh mos paç’.
“Jam krenar për prindërit që kam, ai ka qenë një shtysë, më ka dhënë besim që unë të merrem me këtë gjë.
E ndjej që kam një përgjegjësi më të madhe se dikush tjetër që kur bëj diçka ta bëj sa më mirë.
Por ky proces, sikur çdo gjë tjetër e mia, ka ardhur natyrshëm dhe është zhvilluar natyrshëm,” tha ai për ABC News.
Shkëndijat për këtë vepër arti ai thotë se i ka lindur krejt rastësisht.
“Kam qenë ulur diku dhe përpara kisha me mijëra fije bari të cilat po i shikoja.. dhe më erdhi natyrshëm ideja..”
Duke folur më tej për punën dhe zgjedhjet e tij, Gregu shton se “arti është një punë e ndyrë, por dikush duhet ta bëjë.”
Gjithsesi, arti mbetet një zgjedhje për të cilën ai ndihet mirë dhe investohet shumë në të.