E kush mund të thotë se Toka është pronë e tij absolute? E kush mund të thotë se Toka është produkt i tij dhe jo ai produkt i Tokës? E kush mund të thotë se kjo Tokë nuk ka vend për të gjithë por vetëm për disa? E kush mund të zgjedhë se cilët janë këta superiore që meritojnë të vetëm të gëzojnë të mirat e këtij planeti?
Nëse është dikush nga ju zoterinj te politikes europiane që mund ta thotë, le të ketë kurajon të ngrejë gishtin e të ndajë se cilët duhet të jetojnë e cilët duhet të vdesin, cilët duhet te luajnë me bollëkun e cilët të vdesin nga uria, cilët duhet të jetojnë të mbrojtur në kulla të fildishta e cilët të vdesin me tmerret e luftës si kujtim i fundit i kësaj bote.
Le ta thotë, pra, e të mos fshihet pas termave të shumtë që prodhojnë akronime të reja cdo ditë si EU, OKB,UNCHR, FMN e të tjera gërma, që, perballë turmave të përzënatë refugjatëve të sotëm duken si hieroglifë të pakuptueshme, duken si fjalë të një gjuhe të vdekur.
Për ne, shqiptarët që kemi kaluar përmes këtij kalvari, herë të mirëpritur e herë të fshirë me operacione fshese, këto pamje jjanë thjesht pamje “pa koment” por vetëm dhimbje, dhimbje që të këput shpirtin!
Vogëlushet e pafajshëm sirianë nuk e dinë se zjarri europian nuk do te ndizet kurrë per ta, se zjarri europian ndizet me urdhër të etërve té politikës, jo me mjekër të bardhë po kollare e jakë të bardhë.
Dhe ata urdhërojnë me zgjedhje, ky të hyjë, ky të mos hyjë, ky të jetojë ky të mos jetojë.
Këta Cerberus në dyert e parajsës europiane.
Ku po shkojmë? Drejt selektimit të mëtejshëm darvinist, më i forti mbijeton e më i dobëti zhduket?
Dakort pra, thuajeni këtë me zë të lartë!Kini kurajo të pranoni atë që jeni. Thoni me zë të lartë se vogëlushët ne krahet e babit të vet jane thjesht një selektim natyror.
Thuajeni me zë të lartë, e mos u fshihni pas lotëve të hipokrizisë, e vetmja gjë globaliste deri sot.
Ju bastarde pa zemër!
Deri kur me dhimbje që të shkërmoq eshtrat?/Nga Ilir Metaj